Futboll

Hajdari tregon këshillat që i mori nga Ronaldo

Albian Hajdari

Mbrojtësi i Kosovës, Albian Hajdari, ndihet krenar që për një kohë ishte bashkëlojtar me Cristiano Ronaldon. Hajdari në moshë të re iu bashkua ekipit U19 të Juventusit. Ishte përvoja e tij e parë jashtë Zvicrës. Te Juventusi kishte kaluar në vitin 2021 nga Baseli U21.

Te Juve e kishte rastin të ushtronte bashkë me superyllin e futbollit, Ronaldon.

Në një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të Hoffenheimit, Hajdari ka folur edhe për periudhën te Juventusi.

“Nga perspektiva sportive, nuk ishte përvojë e mirë për mua. Por ishte shumë e rëndësishme për mua si person. Isha vetëm 18-vjeçar. Ishte vend krejtësisht tjetër, kulturë tjetër, gjuhë e re, larg prej familjes. Nuk i kisha shokët më përreth. Nëse e shikoj në retrospektivë, më ka ndihmuar. Por si adoleshent nuk ishte e lehtë”, ka thënë Hajdari.

Ai tashmë është shumë i rëndësishëm te Hoffenheimi i Bundesligës gjermane, njëjtë si te Kosova. Ndonëse ende 22-vjeçar, Hajdari e di që ka përfituar nga periudha te Juve.

“Si 18-vjeçar, ju vetëm shikoni dhe vështirë që merrni guximin të flisni me yjet e nivelit botërore. Por ata më kanë ndihmuar shumë, si person dhe si futbollist”, ka thënë Hajdari.

Njëri prej atyre që e ka ndihmuar është portugezi Ronaldo.

“Isha me shumë fat. Mund të them se isha bashkëlojtar i tij, ndonëse për kohë shumë të shkurtër. Kemi pasur gjithnjë seanca në palestër para stërvitjeve, ku në të shumtën e rasteve ishim në biçikleta në të njëjtën kohë. Kështu që çdo mëngjes kemi folur rreth 20 minuta për gjëra të ndryshme. Ky ishte privilegj”, ka theksuar Hajdari.

Ai ka vlerësim maksimal për Ronaldon, që është prej më të mëdhenjve të të gjitha kohëve.

“Ishte me këmbë në tokë dhe i sinqertë. Dhe ai më dha një këshillë. Më tha se duhet që të koncentrohem në futboll, pasi mund të luaj për kohë të caktuar. Dhe se duhet ta shfrytëzoj këtë kohë që të fokusohem te vetja ime. Njerëzit dhe shokët vijnë e shkojnë, kështu që gjëja më e rëndësishme është familja”, ka treguar ylli i ri i Kosovës.

Hajdari ka thënë se nuk është lojtar që dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Më shumë njihet si lojtar që kryen “punët e vështira”.

“Nuk kam këmbë magjike që mund ta kompensojë distancën që e mbuloj duke vrapuar në fushë. Kur bëj diçka e bëj më së miri që është e mundur”.

Hajdari thotë se i pëlqen që në fushë të bëjë gjërat që ndoshta të tjerët nuk i bëjnë.

Ai ka folur edhe për kalimin gati të papritur te Hoffenheimi nga Lugano, pasi kishte nisur edicioni aktual. Ai ishte i vendosur të transferohej te ndonjë klub i top-ligave evropiane, ndërsa tregon se për këtë kishte bërë punë shtesë, që të jetë gati kur të vinte mundësia.

Bashkëlojtarë të Hajdarit te Hoffenheimi janë Fisnik Asllani e Leon Avdullahu, me të cilin ka lidhje të veçantë që nga koha në Zvicër.

“Unë jam lider. Por lojtari që dëshiron të jetë lider në këtë ligë, duhet të jetë shembull. Unë jam gati për këtë. Dëshiroj të shkoj atje ku dhemb, që t’i tregoj ekipit që jam prezent. Nëse bashkëlojtarëve u duhem, unë jam aty për ta”.

Ndikimi i tij në sukseset e Hoffenheimit është goxha i madh. Dhe pjesa e deritashme e edicionit për këtë skuadër gjermane ishte shumë e suksesshme.