Futboll

Hajdari synon të lërë gjurmë te Kosova

Albian Hajdari

Kosovës nuk i ishte mbyllur asnjëherë dera nga mbrojtësi i Hoffenheimit, Albian Hajdari.

22-vjeçari në gusht kishte dhënë sinjale se e ardhmja e tij mund të jetë te Kosova. Kishte thënë se vendimin nëse do të vazhdonte me Zvicrën apo do t’i bashkohej Kosovës në nivelin e të rriturve do ta marrë “kur të vijë koha”.

Dhe, koha erdhi. Hajdari të hënën ka njoftuar se ka vendosur ta lërë Zvicrën për Kosovën, ashtu siç muajin e kaluar bëri bashkëlojtari i tij te Hoffenheimi, mesfushori Leon Avdullahu.

Qendërmbrojtësi i Hajdari ka thënë për KOHËN se zemra gjithmonë i ka rrahur për Kosovën.

“Vendimi nuk ishte i lehtë, por ishte i drejtë. Zemra ime gjithmonë ka rrahur për Kosovën. Është nder i madh ta bart fanellën e vendit tim dhe dua ta jap kontributin për të ardhmen e futbollit tonë. Dua të jem pjesë e historisë që po e shkruan Kosova”, ka thënë Hajdari

Ai është shumë i motivuar për ta dhënë maksimumin për fanellën e Kosovës.

“Do ta jap shpirtin për këtë fanellë sa herë që do të paraqitem në fushë. Së bashku duam të shkruajmë histori dhe ta dërgojmë Kosovën aty ku e meriton. Jam më shumë se kurrë i motivuar për ta dhënë maksimumin për Kosovën, tifozët dhe për flamurin që e mbajmë me krenari. Çdo ndeshje është një hap drejt ëndrrës tonë”, ka vazhduar Hajdari.

Hajdari rrënjët i ka nga Kamenica. Thotë se Kosova për të ka vlerë të madhe. Ka folur sikur pjesë e përfaqësueses të jetë për kohë të gjatë.

“Kosova mund të jetë e vogël për botën, por për ne është krejt bota. Ne nuk presim që të shkruhet historia, ne vetë e shkruajmë atë. Ne nuk dorëzohemi, sepse besojmë në forcat tona. Dua ta ndihmoj Kosovën të ecë përpara dhe të ndërtojmë diçka që do të mbetet për brezat e ardhshëm. Ata që zgjedhin të luajnë për përfaqësuesen, e forcojnë identitetin dhe suksesin e saj, duke treguar se Kosova është shtëpia e tyre”, thotë Hajdari.

Mbrojtësi i qendrës u transferua gjatë verës nga Lugano e Zvicrës te klubi i Bundesligës gjermane, Hoffenheim. Ai ishte ndër më të dalluarit në kampionatin elitar të Zvicrës.

Shkaku i gripit mungoi të dielën ndaj Freiburgut. Por ai vlerësohet e ardhmja e ekipit gjerman e po ashtu edhe e Kosovës.

Te Hoffenheimi janë edhe Fisnik Asllani e Leon Avdullahu. Asllani ka kohë që është pjesë e Kosovës, ndërsa në fillim të këtij muaji Avdullahu luajti dy ndeshjet e para me fanellën e “Dardanëve”.

Kosova në tetor luan në shtëpi me Slloveninë dhe në udhëtim me Suedinë. Hajdari pritet të debutojë.

“Janë dy ndeshje të vështira, por ne do të jemi të motivuar pas fitores ndaj Suedisë për të dhënë më të mirën dhe për të arritur rezultate pozitive”, ka thënë Hajdari.


Ademi: Jemi të lumtur që Hajdari zgjodhi Kosovën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se mbrojtësi i Hoffenheimit, Albian Hajdari, do te jetë i gatshëm për ndeshjet e tetorit.

Ademi ka theksuar se qendërmbrojtësi është i lumtur për vendimin për ta përfaqësuar Kosovën.

“Jemi të lumtur që Albiani zgjodhi të paraqitet për Kosovën. Edhe Albiani është i lumtur për vendimin. Do të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën. Është lojtar me potencial të madh dhe do t’i shërbejë shumë Kosovës. Ai do të jetë gati për ndeshjet e tetorit. Uroj të jetë shëndosh e mirë!”, ka thënë Ademi.