Vetëm tetë muaj pasi u transferua te Hoffenheimi, Albian Hajdari ka firmosur kontratë të re me klubin e Bundesligës gjermane.
Hoffenheimi të premten njoftoi për vazhdimin e kontratës me mbrojtësin 22-vjeçar. Pos për Hajdarin e Hoffenheimin, ky është lajm shumë i mirë edhe për Kosovën.
Hajdari, që gradualisht po shndërrohet në lider të mbrojtjes së Kosovës, ka dëshmuar që i takon nivelit elitar evropian. Dhe një tjetër mbrojtës i nivelit elitar evropian është me shumë rëndësi për Kosovën. Ai do të vazhdojë të paraqitet në njërin prej kampionateve më cilësore në Evropë, ndërsa kontrata e re është edhe dëshmi që rruga e Hajdarit është vetëm për më lart, e jo në drejtim të kundërt.
Majtaku më 25 gusht të vitit të kaluar ishte transferuar nga Lugano e Zvicrës te Hoffenheimi. Menjëherë u stabilizua në përbërjen bazë të Hoffenheimit, që po e kërkon një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.
Nuk ndodh shpesh që një futbollist të firmosë kontratë të re afatgjatë dhe me kushte të përmirësuara, ende pa e bërë një vit në klubin me të cilin edhe ashtu ka kontratë për shumë vjet.
Edhe
Avdullahu nënshkruan kontratë të re me Hoffenheimin: Është strateg
Por Hoffenheimi ka dashur të vazhdojë rritjen duke siguruar edhe për shumë vjet mbrojtësin cilësor.
Edhe te Hoffenheimi kanë pranuar se me kontratën e re të Hajdarit dëshmojnë ambiciet që kanë.
“Albiani u bashkua me ne pak pasi nisi edicioni aktual dhe shpejt u zhvillua në lojtar vendimtar dhe në pjesë integrale të ekipit tonë. Nga dita e parë ai plotësisht iu përmbajt rrugës sonë dhe paraqitjet e tij kanë kontribuar shumë në suksesin e këtij edicioni”, ka thënë Andreas Schicker, drejtor sportiv i Hoffenheimit.
“Me vetëm 22 vjet, Hajdari ende ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim. E majta e fortë, fleksibiliteti në mbrojtje dhe mentaliteti i jashtëzakonshëm janë gjërat që e dallojnë atë”.
I lindur në Zvicër, Hajdari e ka bërë zhvillimin si lojtar te Baseli, Juventusi në Itali dhe te Lugano. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës, kurse vjet iu bashkua Kosovës. Tashmë është i pakontestueshëm në mbrojtjen “Dardane”.
Në Bundesligë tashmë i ka 26 ndeshje.
Edhe
Zyrtare, Hajdari vazhdon kontratën me Hoffenheimin
“Ndihem shumë rehat në Hoffenheim. Edhe kur u transferova këtu në verë, shpejt e kam kuptuar se diçka e veçantë po krijohet. Perspektiva është e mirë dhe dua të vazhdoj të kontribuoj në mënyrë aktive në këtë zhvillim pozitiv dhe në sukseset e Hoffenheimit”, ka theksuar Hajdari.
Kontratë të re me Hoffenheimin së shpejti do të firmosë edhe mesfushori Leon Avdullahu. Edhe ai verën e kaluar iu bashkua skuadrës gjermane dhe tashmë është lider i mesfushës së Kosovës. Ndërkohë Fisnik Asllani ka gjasa të mëdha të largohet për te ndonjë top-skuadër evropiane.