Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ardhjet e vitit

Leon Abdullahu - Albian Hajdari

“Rritja” e Kosovës është realizuar edhe falë futbollistëve që erdhën gjatë vitit 2025 dhe sollën më shumë cilësi në ekip.

Janë mesfushori, Leon Avdullahu, dhe mbrojtësi i qendrës, Albian Hajdari, që vlerësohen ardhje të vitit. Të dy lanë Zvicrën për t’iu bashkuar Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hajdari 22-vjeçar tashmë ka debutuar për Zvicrën. Por pasi nuk luajti ndeshje garuese, e kishte të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses. E shfrytëzoi këtë të drejtë, duke sjellë stabilitet shtesë në mbrojtjen “dardane”.

Ai debutoi te Kosova më 10 tetor, në barazimin pa gola me Slloveninë në Prishtinë. I kompletoi edhe ndeshjet që Kosova i fitoi me Suedinë dhe me Slloveninë në udhëtim. Ndërkohë përzgjedhësi Franco Foda e pushoi nga ndeshja e fundit me Zvicrën, nga droja se do të ndëshkohej me karton të verdhë dhe kështu do të mbetej jashtë ndeshjes gjysmëfinale të plejofit.

Për arsye të njëjtë Foda e pushoi edhe mesfushorin Leon Avdullahu. 21-vjeçari luajti për të gjitha grupmoshat e Zvicrës dhe vlerësohej me potencial për ftesë te Zvicra A. Por vendosi për Kosovën.

Debutoi pikërisht ndaj Zvicrës, më 5 shtator në Basel, në humbjen 4:0 të Kosovës. Më pas kompletoi dy ndeshjet me Suedinë dhe dy të tjerat me Slloveninë. Avdullahu është i pazëvendësueshëm në mesfushë, bashkë me Elvis Rexhbeçajn, një tjetër ardhje cilësore, por e vitit 2024.

Ardhja gjatë vitit 2025 te Kosova dhe e kaluara te Zvicra nuk janë të përbashkëtat e vetme të Hajdarit e Avdullahut. Ata janë po ashtu në një skuadër – te Hoffenheimi i Bundesligës gjermane. Te kjo skuadër me shumë sukses luan edhe Fisnik Asllani, tashmë partner i Vedat Muriqit në sulmin e Kosovës. Asllani ka debutuar te Kosova në vitin 2024.

Ardhje tjetër e rëndësishme gjatë vitit 2025 te Kosova është ajo e Veldin Hoxhës, që ishte pjesë e të rinjve të Kroacisë. Ky mesfushor 23-vjeçar bën karrierë te Rubin Kazani në Rusi. Në hierarki të mesfushës është prapa Rexhbeçajt e Avdullahut, por vlerësohet i rëndësishëm për ekipin përfaqësues.