Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

23-vjeçarja që ka rekordin për paraqitje në përfaqësueset e Kosovës

Më 6 prill të vitit 2017, futbollistet e Përfaqësueses së Kosovës e zhvilluan ndeshjen e parë në gara zyrtare ndërkombëtare.

Paraqitja në raundin preliminar u bë e veçantë për futbollistet e Kosovës. Në hapje të kampanjës së parë kualifikuese, Kosova luajti ndaj Shqipërinë.

Kosova pati humbur 3:2 nga Shqipëria në ndeshjen e parë paraeliminatore për Botërorin 2019. Pjesë e Kosovës në atë ndeshje historike ishte Kaltrina Biqkaj, atëbotë 16-vjeçare.

Sot, Biqkaj, kapitenia e skuadrës së Mitrovicës, numëron plot 45 ndeshje me përfaqësuese. 23-vjeçarja nga Kamenica ka më shumë ndeshje se secila lojtare e Kosovës, jo vetëm në futboll por edhe në sportet tjera kolektive.

“Paraqitjet për Kombëtare janë të veçanta dhe është kulmi ta përfaqësoj vendin tim”, ka thënë Biqkaj në një bisedë për KOHËN.

Edhe Kosova luan ndaj Letonisë, Biqkaj optimiste për tjetër sukses Futboll Kosova luan ndaj Letonisë, Biqkaj optimiste për tjetër sukses

Kaltrina Biqkaj gjatë javës ka stërvitur me ekipin e Mitrovicës, ndërsa të premten e ardhshme do ta zhvilloj një ndeshje shumë të rëndësishme me Kosovën në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Ndeshjen vendimtare për kalim nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve, Kosova e ka kundër Bullgarisë në “Zahir Pajaziti” në Podujevë nga ora 13:00.

“Jemi në grup me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Është finalja e fundit me 1 dhjetor, është loja e fundit për kualifikime të Ligës së Kombeve dhe nëse e fitojmë kalojmë tutje. Besoj se do t’ia dalim”, ka theksuar Biqkaj.

Ajo për Kosovën ka shënuar shtatë gola. Është golashënuesja më e mirë po ashtu, së bashku me kapitenen Erëleta Memeti.

Kaltrina ka besim se do t’ia dalë së bashku me lojtaret e tjera, ashtu siç ia doli të bindë të gjithë se duhet të vazhdoj të merrej me futboll.

Përderisa futbolli i femrave ka histori të gjatë dhe të qëndrueshme në shumë shtete, ky sport në fillimet e tij në Kosovë konsiderohej vetëm për meshkuj. Diskriminimi gjinor ishte i qartë. Për shumë kohë ka pasur mungesë të mbështetjes financiare e shumëçka tjetër.

Por Kaltrina Biqkaj thotë se nga futbolli ka fituar gjithçka.

“Ka pasur diskutime e paragjykime duke më thënë se nuk mund të arrij asgjë me futboll, askund nuk të çon futbolli e shumë gjëra të ndryshme. Por mendoj se ka qenë gabim, sepse edhe nëse nuk kemi fituar asgjë financiarisht, ose nuk kemi arritur diçka shumë, ne fizikisht kemi fituar shumë, pasi kemi qenë të shëndetshme e po ashtu edhe mendërisht duke të larguar nga dukuritë negative. Kemi njohur kultura të ndryshme, kemi vizituar vende të ndryshme, kemi krijuar shoqëri të ndryshme duke u socializuar dhe shumë anë të tjera pozitive kemi marrë nga futbolli”, thotë Biqkaj.

Karrierën si futbolliste e ka nisur te Drita. Pastaj luajti në Hajvali dhe së fundmi për shumë vjet është pjesë e Mitrovicës, skuadrës më të suksesshme të futbollit të femrave në vend.

Edhe Synimet e mëdha të Kaltrinës me Trabzonsporin Futboll Synimet e mëdha të Kaltrinës me Trabzonsporin

Kaltrina thotë se është e privilegjuar për besimin që i është dhënë nga klubi Mitrovica. Vlerëson se të jesh kapitene e skuadrës më të suksesshme të futbollit të femrave, është edhe përgjegjësi e madhe.

Biqkaj me Mitrovicën në vitin 2019 patën arritur sukses historik duke zënë vend në mesin e 32 ekipeve më të mira në Evropë. Kjo u arrit pas tri fitoreve në Grupin 2 kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Fitorja e fundit e ekipit në atë kampanjë erdhi ndaj Breznicës së Malit të Zi, të cilin ekip mitrovicasit e pati mposhtur 1:0 në Nikshiq me golin e Biqkajt në minutën e 90-të.

“Momenti më i mirë ka qenë kur kemi kaluar grupin, ku kemi hyrë në 32 skuadrat më të mira. E kam shënuar golin e kualifikimit dhe atë vit jam shpallur lojtarja më e mirë dhe mendoj se kjo ka qenë e arritura ime më e madhe deri tash. Por besoj që do të ketë edhe diçka më të madhe dhe nuk besoj se duhet të ndalem vetëm me atë”.

Tani Kaltrina synon edhe më shumë.

“Nëse kemi arritur në mesin e 32 më të mirave, synojmë të futemi në 1/8 e finales që do të ishte e arritura më e madhe në histori të futbollit të femrave”, thotë ajo.

Biqkaj mburret me karrierën që ka bërë në Kosovë. Por ende ka boshllëk në karrierën e saj.

“Jam e kënaqur sepse kam punuar për këtë karrierë, por ende nuk është përmbushur. Nëse do të luaja në Evropë në ndonjë ekip do të përmbushem si futbolliste në karrierë”, ka thënë Biqkaj.

Edhe Kosova me fitore dramatike ndaj Bullgarisë Futboll Kosova me fitore dramatike ndaj Bullgarisë

VIDEO:

Biqkaj pritet shpejt ta bëjë këtë hap para në karrierë. Para se të largohet nga Kosova për karrierë më të mirë, Biqkaj pret të realizojë synimet që ka me Kosovën dhe Mitrovicën.