Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kosova me fitore dramatike ndaj Bullgarisë

Futbollistet e Kosovës

Artikull i përditësuar - Goli i Erëleta Memetit në minutën e 96-të ia ka siguruar Kosovës një tjetër fitore në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2027. 

Me fitoren 2:1 të shtunën ndaj Bullgarisë në Prishtinë, Kosova është shkëputur në tabelë, tani me gjasa reale për ta fituar Grupin C2.

Kosova i ka katër fitore pas katër ndeshjeve të luajtura dhe i prin Grupit C2 me 12 pikë. “Dardanet” e udhëhequra nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, i kanë shënuar 12 gola, ndërsa i kanë pranuar vetëm dy. Kroacia mbetet e dyta në grup me nëntë pikë, ndërsa Bullgaria e treta i ka tri pikë. Kroacia po të shtunën e mposhti Gjibraltarin 9:0. 

Gjibraltari është i fundit, pa pikë.

Sfida e së shtunës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, që u zhvillua në praninë e një numri shumë të vogël të shikuesve, nisi me dominim të Kosovës. 

Edhe Kosova vazhdon dominimin ndaj Bullgarisë, i afrohet vendit të parë në grup Futboll Kosova vazhdon dominimin ndaj Bullgarisë, i afrohet vendit të parë në grup

Por ishin bullgaret që shkuan në pushim me epërsinë e një goli. Lora Petrova shënoi në minutën e 42-të. 

Pas pushimit, Kosova e rriti ritmin e lojës dhe rezultati u barazua shpejtë. Në minutën e 52-të, mbrojtësja Blerta Smaili përfitoi nga largimi jo i mirë i portieres kundërshtare. Topi mbeti afër portës, dhe Smaili shënoi pa telashe për 1:1. 

Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit me rezultat të barabartë, në skenë u shfaq kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti. Futbollistja e Eintracht Frankfurtit në Bundesligën gjermane, u asistua nga Donjeta Halilaj. Më pas bukur e plasoi topin mbi portieren Milena Karakoleva. Festa ishte e madhe, pasi Kosova i është afruar shumë një tjetër suksesi historik. Deri në fund të kampanjës kualifikuese për Botërorin 2027, Kosova do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje. Më 5 qershor luan sërish në “Fadil Vokrri” përballë Kroacisë, rivales direkte për pozitën e parë. Më 9 qershor e zhvillon ndeshjen e fundit në udhëtim te Gjibraltari. 

Vendi i parë në grup e siguron plejofin për kualifikim në Botëror dhe në të njëjtën kohë, edhe kalimin në Ligën B në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Plejofin do ta sigurojnë edhe dy përfaqësueset më të mira që përfundojnë në pozitën e dytë nga gjashtë grupe sa janë gjithsej. 

Te futbollistet, kualifikimet organizohen në nivel ligash, njëjtë si Liga e Kombeve. 

Edhe Kosova luan me përfaqësuesen që e mposhti në pesë prej gjashtë ndeshjeve Futboll Kosova luan me përfaqësuesen që e mposhti në pesë prej gjashtë ndeshjeve

Në plejof të Botërorit në fund të muajit mars u paraqit edhe Përfaqësuesja e Kosovës te futbollistët. 

Kosova e kishte fituar gjysmëfinalen ndaj Sllovakisë 4:3 në Bratislavë, por e kishte humbur finalen e plejofit të Botërorit 2026 nga Turqia në Prishtinë, 1:0.