Është ndër muzetë më të vjetër të qytetit.
Është Muzeu Arkeologjik i Prizrenit në të cilin janë të ekspozuara artefakte të shumë periudhave historike.
Vizitat i ka të shumta, por duke qenë në objekt të njërit prej hamameve më të vjetra, dyert e ngushta ua pamundësojnë personave me aftësi të kufizuara ta vizitojnë çdo hapësirë të tij.
“Ec ma Ndryshe” është organizata që po ua mundëson atyre vizitat brenda këtij muzeu, falë platformës virtuale që e ka krijuar.
“Ky është Muzeu Arkeologjik i Prizrenit apo më mirë të themi objekti i Hamamit të Shemsedin Beut dhe konsiderohet hamami i parë në qytetin e Prizrenit, i ndërtuar më 1948. Pas një periudhe është shndërruar në muze, pas disa gërmimeve që janë bërë në lokalitetin e Romajës së Hasit, prandaj për t’i ekspozuar artefkatete e gjetura kanë vendosur që t’i ekspozojnë në këtë muze. Njëra prej arsyeve pse ‘Ec ma Ndryshe’ ka vendosur që ta virtualizojë këtë muze është për arsye sepse ky monument nuk i ka hapësirat adekuate që atë ta vizitojnë edhe personat me aftësi të kufizuara. Dyert e këtij mzueu janë shumë të ngushta dhe persinat me aftësi të kufizuara nuk mund të qasen lehtë brenda këtij muzeu. Kjo na bëri ne si organizatë ta mendojmë virtualizimin e këtij muzeu e po ashtu edhe ta shfaqim edhe më tepër rëndësinë e këtij muzeu te vizitorët”, deklaron Edin Gështenja nga “Ec ma Ndryshe”.
“Kur folëm për dhomat e muzeut, ku në ambientet e para personat me aftësi të kufizuara kanë qasje, këtu jemi te ambientet e tjera ku këta persona do të mbeteshin pa i vizitu nëse nuk do të ishte platforma virtuale, për shkak të këtyre dyerve të ngushta siç po i shihni”, shton ai.
Njëra nga hapësirat e këtij muzeu është me e rëndësishme, sipas Edinit.
Kjo pasi që posedon shumë fotografi të eksponateve ilire, të cilat kanë mbetur në Serbi pas ekspozimit në një ekspozitë atje dhe nuk janë kthyer më.
“Ndryshe nga vitrinat e tjera, kjo është ndër më të veçanta, pasi nuk është vetëm me fotografi, por jo me artefakte për shkak se këto artefakte për momentin nuk janë në Kosovë, pasi që shumë kohë më parë gjoja për një ekspozitë janë trasnsportuar në Serbi dhe nuk janë kthyer më. Prandaj, ne si organizatë po e bëjmë këtë si një thirrje të qartë që këto artefakte janë tonat dhe këtë po e bëjmë përmes ekspozitave të ndryshme”, thotë Gështenja.
“Ec ma Ndryshe” synon që përveç Prizrenit, këtë projekt për vizitën e muzeve në mënyrë virtuale ta bëjë edhe në muzetë e tjerë të Kosovës.
“Muzetë virtuale nuk i kemi në plan vetëm në Prizren, por në komunat më të mëdha të Kosovës. E kemi lansuar edhe platformën muzeu.info, e cila shërben për publikun që të marrin sa më shumë informata për të gjithë muzetë e Kosovës”, deklaron Gështenja.
Turistë e vizitorë të shumta i drejtohen Muzeut Arkeologjik të Prizrenit tashmë edhe përmes platformës online muzeu.info të krijuar nga “Ec ma Ndryshe”.