SOT

Kandidatët me fushatë në rrjete sociale synojnë votuesit e rinj

Fushatat zgjedhore kohëve të fundit janë më shumë të fokusuara online, secili kandidat për kryetar dhe asamble komunale po shfrytëzon rrjetet sociale për të promovuar vetën dhe partinë, por sa ka ndryshuar kjo ndër vite dhe a po arrin mesazhi tek gjithë qytetarët e vendit përmes fushatës online?

Qytetarët e komunave të Kosovës më 12 tetor do të kenë mundësinë të zgjedhin të parin e komunës së tyre e po ashtu edhe kandidatët për asamble komunale, e këtë herë si duket të gjithë kandidatët janë fokusuar në fushatë online për të fituar besimin e votuesve.

Me video promovuese, e me kreativitet janë mbushur rrjetet sociale, e që dikur fushatat zgjedhore nuk kishin qenë të zakonshme në mënyra të tilla.

Sipas historianit dhe analistit, Okataj Hasani, fushatat kanë ndryshuar ndër vite, nga ato ballë për ballë me qytetarë kaluan vetëm me promovim të vetvetes me video në rrjete sociale.

“Fushata zgjedhore që nga shekulli i kaluar ka pësuar ndryshime, në të kaluarën janë mbajtur fjalime në kafene siç ka qenë rasti i Hitler ose edhe fjalimet në radio të presidentit amerikan Roosevelt, më pas fushata me debate televizive gjatë fundit të shekullit 20, e në shekullin 21 ka dominu me postere në qytete të ndryshme, e tani është një ndryshim i madh i fushatës që është e bazuar më shumë në rrjete sociale, shumica e kandidatëve ose partive dominojnë me video të shkurta në të cilat përmbledhin pikat e shkurta të programit të tyre”, thotë Hasani.

Sipas tij fushata e tillë nuk prek secilin qytetarë dhe kandidatët duhet menduar një metodë që përfshin gjitha gjeneratat, e jo vetëm moshat e reja.

“Qasja te informacioni ka ndryshuar, në të kaluarën gazeta ka qenë trend, sot qasja më shumë është në rrjete gjitha moshat janë aty dhe kjo ka ndikuar që fushata nga tereni ose gazeta të kaloj në rrjete sociale pa u bërë shumë monotone por me video të shkurta. Duhet shkuar me kombinim të posterve dhe fushatës në rrjete sociale dhe në këtë mënyrë kandidatët mund të prekin gjitha gjeneratat sepse ka të moshuar që nuk kanë qasje në rrjete por janë votues, andaj duhet një kombinim i asaj online dhe postera fizik do ishte ideale për të përçuar mesazhin te qytetarët”, deklaron Hasani.

E sipas njohësit të Inteligjencës Artificiale, Egëzon Baruti, këtë herë kandidatët do të fusin në përdorim edhe IA, nëse duan të bëjnë manipulime por në të njëjtën kohë edhe të detektojnë lajmet e vërteta.

“Unë do të kisha dalluar zgjedhjet qendrore me ato lokale, në zgjedhje lokale më shumë mundohen të mbërrijnë tek njerëzit me takime, e në këto zgjedhje besoj se do të ketë më pas përdorim të inteligjencës artificiale, IA i ka edhe të mirat edhe të këqijat ku mund të manipulohet lehtë por në anën tjetër edhe hulumtimi për atë lajm se a është i vërtetë apo jo mund ta kuptosh më shpejtë”, deklaron Baruti.

Ai thotë se në masë të madhe kandidatët e rinj që nuk kanë qenë të kyqur në politikë promovimin e tyre do ta kenë më të lehtë me IA me përpilim të teksteve, e po ashtu gjenerim të videove kreative.

“Kandidatët e rinj që nuk kanë eksperiencë në fushën e politikës me gjasë se Inteligjencën Artificiale do ta përdorin më shumë, në përpilimin e ndonjë teksti, e manipulimet do të jenë më pak, fushata online është për votuesit e rinj, shkaku i moshës edhe trendëve me siguri me disa foto të mira do të ngrehin vota, por moshat më të vjetra kërkojnë drejtpërdrejtë takime dhe zgjedhje të problemit”, thotë Baruti.

E gazetarja që për një kohë të gjatë ka përcjellë pushtetin lokal, Rajmonda Zhdrella-Sopjani thotë se këto zgjedhje janë shumë në ndryshe nga ato të kaluarat dhe ka më shumë kandidat serioz dhe aktiv për asamble komunale.

“Këtë vit për dallim nga zgjedhjet e kaluara komunale po shohim më shumë kandidat për asamble që i japin më shumë rëndësi ndoshta paga ka ndikuar që edhe kandidati me qenë më serioz, kandidatët e rinj po sfidojnë ata më të vjetrit që e kanë bërë fushatën që kanë familjarët e farefisin që i votojnë sepse kështu janë përzgjedhur kandidatët për shkak afërsisë që kanë pas, e këtë herë po shoh ndryshim sepse të rinjtë po i shfrytëzojnë asetet e reja si rrjetet social po tregojnë kush janë e të tjerët shkojnë dhe prekin problemet e Prishtinës flasin me qytetarë dhe zgjedhjen që ata ofrojnë, mirë që janë transparent shpresoj edhe në 4 vitet e ardhshme të jenë njëjtë”, deklaron Zhdrella-Sopjani.

Përkundër aktivizimit që po bëjnë në rrjete sociale gjithë kandidatët, Zhdrella thotë se asnjëherë nuk mund të jetë fushata me fuqishme sesa ajo që bëhet në debate televizive, duke shpresuar se kandidatët për kryetar të shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Pavarësisht rrjeteve sociale ku po i shohim të gjithë me video promovuese por në debate janë dërguar nga partia kandidatët më të fortë, e në rrjete janë të gjithë njëjtë por kandidatët për kryetarë asnjëherë nuk e kanë seriozitetin dhe shikueshmërinë siç është në debate televizive, edhe në SHBA më e shikueshmëria më e madhe është te debati që bëhet mes kandidatëve para zgjedhjeve, edhe këtu duam të shohim përballë. Në rrjete sociale nuk ka sfidë, e në këtë pikë televizioni fiton sepse paraqitja televizive është me f fortë e sidomos kur ata përballen me njëri-tjetrin”, thekson Zhdrella-Sopjani.

Tiktok, Facebook e Instagram janë të mbushura me video në të cilat premtohet qytet më i mirë në secilën komunë.