Opinion

Fenomenologjia e dezinformimit në kohë zgjedhjesh

Proceset zgjedhore në Kosovë gjatë vitit 2025, ato parlamentare të mbajtura më 9 shkurt dhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit (dhe balotazhi më 9 nëntor), u zhvilluan në një klimë ku informacioni dhe manipulimi bashkëjetuan në hapësirën publike. Proceset zgjedhore u shoqëruan me një rritje të dukshme të përmbajtjeve manipuluese në media dhe rrjete sociale, duke bërë që fushatat të mos zhvillohen vetëm përmes programeve politike dhe takimeve elektorale, por edhe në hapësirën digjitale ku dezinformimi u bë pjesë e përditshme e komunikimit publik. Përmbajtjet e rreme, gjysmë të vërteta dhe të manipuluara u përdorën si mjete për orientimin e votuesve, për krijimin e perceptimeve të rreme dhe për diskreditimin e kundërshtarëve politikë.

Një nga format më të dukshme të këtij fenomeni ishte krijimi dhe riaktivizimi i faqeve dhe llogarive të rreme në platformat sociale, veçanërisht në Facebook. Këto faqe shpesh kishin emra që ngjanin me media lokale, si “info”, “press” apo “lajm”, duke krijuar një fasadë legjitimiteti. Në prag të zgjedhjeve, ato rifilluan aktivitetin pas periudhave të gjata pasiviteti, duke shpërndarë përmbajtje të njëanshme dhe shpesh pa burime të verifikueshme. Ky mekanizëm i orkestruar kishte për qëllim të çorientojë publikun në lidhje me preferencat e votës, duke krijuar përshtypjen e një mbështetjeje popullore për kandidatë të caktuar.

Një element tjetër thelbësor i këtij procesi ishte përdorimi strategjik i grupeve dhe faqeve për të krijuar “dhoma jehone” (echo chambers), ku shpërndahen vetëm përmbajtje që përforcojnë të njëjtën narrativë politike. Me krijimin e faqeve dhe grupeve të ndryshme në media sociale synohet që të ushqehet një pjesë e shoqërisë me keqinformata dhe propagandë, duke e izoluar atë nga burime alternative informacioni. Brenda këtyre hapësirave digjitale, përdoruesit dëgjojnë vetëm “një zë” – një formë e amplifikimit ideologjik që prodhon uniformitet perceptimi dhe besnikëri ndaj një narrative të vetme. Kjo gjeneron jo vetëm polarizim, por edhe iluzione të konsensusit publik, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen elektorale.

Përdorimi i sondazheve të rreme dhe publikimi i “exit-polleve” pa asnjë bazë metodologjike u bë një mjet tjetër për të krijuar narrativën e fitores së parakohshme. Shumë prej këtyre postimeve në media sociale përmbanin grafikë të fabrikuar dhe shifra të sajuara, duke u përhapur përmes mediave periferike dhe llogarive politike në rrjete sociale. Qëllimi nuk ishte informimi, por krijimi i një efekti psikologjik mbi votuesin e pavendosur: nëse një kandidat perceptohet si fitues, ai fiton më shumë besim dhe mbështetje. Ky mekanizëm i “legjitimitetit të ndërtuar” tregon sesi informacioni, në mungesë të kontrollit dhe verifikimit, shndërrohet lehtësisht në propagandë.

Forma tjetër e keqinformimit lidhej me përdorimin e deklaratave dhe materialeve të vjetra, të rikontekstualizuara për të shërbyer qëllimeve aktuale politike. Video, fotografi dhe citate nga vite më parë u paraqitën si deklarata të reja, shpesh duke u përdorur për të dëmtuar reputacionin e kundërshtarëve ose për të nxitur antagonizma partiake. Ky manipulim  krijon një problem të thellë: kufiri ndërmjet së vërtetës dhe së pavërtetës bëhet fluid, ndërsa kujtesa publike manipulohet përmes ripërdorimit të së kaluarës si mjet politik.

Në media, keqinformimi u manifestua më shpesh në formën e titujve sugjestivë dhe favorizues. Në shumë raste, titulli i artikullit nënkuptonte mbështetje të gjerë për një kandidat apo fitore të sigurt, ndonëse përmbajtja nuk e përmbante asnjë fakt mbështetës. Ky lloj kornizimi mediatik, krijon perceptime të njëanshme te lexuesit që shpesh nuk e lexojnë tërë tekstin. Për më tepër, artikujt e sponsorizuar pa etiketa përkatëse kontribuuan në mjegullimin e kufirit ndërmjet lajmit dhe reklamës politike, duke minuar integritetin editorial të mediave lokale. Po ashtu, në disa raste rezultatet e exit-polleve të publikuara menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit janë paraqitur si rezultat final, ndonëse ato paraqesin vetëm trendin e votës, duke krijuar kështu konfuzion mbi rezultatin real.

Media sociale, sidomos Facebook, luajtën rolin e katalizatorit kryesor të përhapjes së përmbajtjeve manipuluese. Facebook-u dominohet nga format më të ndryshme të keqinformimit, për shkak se është platforma me shtrirjen më të madhe dhe përdorimin më gjithëpërfshirës në Kosovë, sidomos gjatë periudhave zgjedhore. Përmbajtjet keqinformuese dhe propagandistike u përhapën kryesisht në këtë rrjet, ku ndërveprimet dhe reagimet rrisin dukshmërinë e postimeve. Një pjesë e konsiderueshme e përmbajtjeve të sponsorizuara të kandidatëve për kryetarë komunash dhe partive politike u fokusua gjithashtu në Facebook, duke e bërë atë mjetin më të rëndësishëm të komunikimit elektoral, por edhe terrenin më të ekspozuar ndaj manipulimeve digjitale.

Këto praktika e sfidojnë vetë konceptin e informimit publik, duke e zbehur kufirin ndërmjet informacionit dhe manipulimit. Përmes përhapjes së qëllimshme të përmbajtjeve të pasakta ose të njëanshme, krijohet një realitet artificial që ndikon në mënyrën si qytetarët e perceptojnë procesin zgjedhor. Si pasojë, vullneti i lirë i qytetarëve vihet në pikëpyetje, pasi vendimet e tyre formohen jo mbi bazën e informacionit të saktë e të verifikueshëm, por përmes narrativave të dizajnuara për të orientuar sjelljen politike. Në mungesë të një kuadri të fortë rregullator dhe të një niveli më të lartë të edukimit medial, dezinformimi vazhdon të mbetet një faktor i fuqishëm ndikimi, duke e shndërruar hapësirën e informimit në arenë të perceptimeve, më shumë sesa të fakteve.

(Autori është hulumtues në hulumtues në hibrid.info)