Fikret Shatri çdo ditë gjen kohë për të dalë në natyrë, pavarësisht angazhimeve.
Parkun Gërmia dhe bjeshkët e Istogut, sportisti i frekuenton më së shpeshti.
Shatri është i njohur si basketbollist i dalluar, por gjurmë ka lënë edhe para 5 vjetësh duke vrapuar për 48 orë nga sheshi “Skënderbe” në Prishtinë deri te sheshi “Skënderbe” në Tiranë.
“Ecja në natyrë është diçka e pazëvendësueshme. Sepse ecja në natyrë dhe vrapi gjithashtu janë një terapi që e ulin stresin, sjellin hare dhe pozitivitet. Nuk është ditë e njëjtë kur unë një ditë jam në natyrë dhe një ditë nuk jam në Gërmi apo diku në natyrë. Përveç Gërmisë, i frekuentoj edhe bjeshkët e Istogut, sidomos gjatë vikendeve. Janë bjeshkë të bukura. Shtigjet që i ka Gërmia janë shtigje të bukura që të gjitha shtresat e njerëzve mund t’i kalojnë. Gërmia është përrallore, shtigjet më të bukura i ka nga të gjitha. Ju këshilloj të gjithëve të dilni në Gërmi për ecje dhe vrapim. Kohëve të fundit çdo ditë po bëj fitnes, sepse me fitnes po i aktivizoj të gjitha pjesët e trupit, por i kombinoj edhe me ecje dhe vrap në natyrë. Kur kombinohen këto, çdo kush mund ta forcojë trupin dhe të ketë shëndet më të mirë”, thotë Shatri.
“Në kohën e pandemisë ka qenë një demoralizim në popullatë. Gjithçka ishte në mbyllje. Pasi e bëra vrapin nga Prishtina në Istog, vendosa që më 2 korrik të nisesha nga sheshi ‘Skënderbe’ në Prishtinë drejt sheshit ‘Skënderbe’ në Shqipëri. Ka qenë temperaturë 43 gradë dhe kam hasur vështirësi të shumta, por e kam tejkaluar. Ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Krejt këtë e kam përballuar me ndihmën e miqve nga grupet sportive”, shton ai.
Edhe
Ushtrime më efikase në fitnes apo ecje në natyrë
Shatri e ka nisur karrierën si sportist profesionist në basketboll, por edhe më pas ka mbetur aktiv.
“Në vitin 2020 e kam ndërprerë karrierën si lojtar profesionist. Gjatë viteve është një numër i madh i ndeshjeve që kam luajtur, ndër to edhe kemi fituar. Tash jam kampion në ligën e veteranëve të basketbollit që janë mbajtur para 3 vjetësh. Edhe kësaj dite jam aktiv dhe do të vazhdoj me sportin”, deklaron Shatri.
Ndërsa Rushit Ismajli, mjek i përgjithshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, tregon se ecja dhe vrapi sjellin shëndet të mirë.
“Ecja është shumë e dobishme për shëndetin tonë, pasi me këtë e vëmë në funksion qarkullimin e gjakut dhe funksionin e zemrës. Me ecje edhe e qetësojmë trurin. Ecja me hapa të shpejtë rrit të rrahurat e zemrës dhe e përshpejton qarkullimin e gjakut. Ecja në natyrë është shumë mirë, por edhe vrapi është i domosdoshëm dhe shumë më i mirë për shëndetin tonë”, deklaron ai.
Edhe
Pesë minuta lëvizje në orë mund të rrisin performancën në punë
Ecja në natyrë nuk kërkon shumë, preferohet që të paktën 30 minuta në ditë t’i ndajmë për ecje apo vrap në natyrë.
E 15 tetori njihet si dita e ecjes në natyrë.