Gjunjët janë thelbësorë për pothuajse çdo lëvizje të përditshme, nga ecja dhe ngjitja e shkallëve deri te ngritja nga karrigia apo ushtrimet fizike. Megjithatë, shumë njerëz shqetësohen se aktivitetet si vrapimi mund t’i dëmtojnë ata, ka shkruar The Washington Post.
Në fakt, studimet tregojnë se vrapimi nuk e rrit domosdoshmërisht rrezikun për artritin e gjurit. Përkundrazi, vrapuesit në përgjithësi kanë më pak gjasa të zhvillojnë artrit të dhimbshëm sesa personat që nuk vrapojnë, ndërsa te ata që e zhvillojnë, sëmundja mund të përparojë më ngadalë.
Sipas studiuesve, gjunjët mund të qëndrojnë të shëndetshëm gjatë gjithë jetës, nëse kujdesemi për ta dhe ruajmë aktivitetin fizik.
Një nga mënyrat më të thjeshta për të ruajtur shëndetin e gjunjëve është ecja e rregullt. Një studim me persona të moshuar që kishin ose rrezikonin të zhvillonin artrit të gjurit tregoi se ata që ecnin të paktën 6.000 hapa në ditë ruanin më mirë aftësinë për të lëvizur dhe përjetonin më pak dhimbje.
Edhe personat që nuk arrinin këtë numër hapash përfitonin nga shtimi i ecjes. Sipas studimit, funksioni i gjurit përmirësohej me rreth 16 për qind për çdo 1.000 hapa shtesë në ditë.
Ushtrimet ulje-ngritje (që njihen si squat) janë gjithashtu të dobishme, sepse forcojnë muskujt e kofshëve, të cilët ndihmojnë në stabilizimin e gjunjëve.
Në një studim të vitit 2021, një program 12-javor me ushtrime ulje-ngritje nga karrigia ndihmoi 16 persona të moshuar të rrisnin masën dhe forcën muskulore. Ata gjithashtu arritën të ngriheshin më shpejt nga karrigia, një tregues i rëndësishëm i forcës dhe lëvizshmërisë.
Edhe pse gjunjët pësojnë ndryshime me kalimin e viteve, shumë probleme mund të parandalohen ose të zvogëlohen përmes aktivitetit të rregullt fizik.
Ecja, forcimi i muskujve dhe ruajtja e lëvizshmërisë janë hapa të rëndësishëm për të mbrojtur gjunjët dhe për të ruajtur pavarësinë në moshë të madhe.