Ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik janë dy shtyllat kryesore të një jete të shëndetshme. Por, nëse do të duhej të zgjidhnim vetëm njërën prej tyre, cila do të kishte ndikimin më të madh në jetëgjatësi?
Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Mayo Clinic Proceedings, përgjigjja është aktiviteti fizik. Studiuesit zbuluan se lëvizja e rregullt dhe përmirësimi i gjendjes fizike lidhen shumë më fort me uljen e rrezikut të vdekjes sesa cilësia e ushqimit, ka shkruar ScienceAlert.
Studiuesit Glenn Gaesser nga Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe mjeku Robert Sallis analizuan dhjetëra studime shkencore për të krahasuar ndikimin e ushqyerjes dhe aktivitetit fizik në jetëgjatësi.
Rezultatet treguan se një ushqyerje e dobët lidhej me rritjen e rrezikut të vdekjes me rreth 3-20 për qind. Ndërsa te personat që nuk ushtronin dhe kalonin pjesën më të madhe të ditës ulur, ky rrezik ishte 46 për qind deri në më shumë se 163 për qind më i lartë.
“Në çdo rast, aktiviteti fizik ose kapaciteti kardiorespirator kishin një lidhje shumë më të fortë me mundësinë për të jetuar më gjatë”, ka shpjeguar studiuesi Glenn Gaesser.
Studimi ka treguar gjithashtu se personat që arrinin rreth 11 mijë deri në 16 mijë hapa në ditë kishin një rrezik vdekjeje 45-67 për qind më të ulët, krahasuar me ata që bënin vetëm 2 mijë deri në 5 mijë hapa.
Edhe një ndryshim i vogël në përditshmëri mund të sjellë përfitime të konsiderueshme. Sipas studiuesve, shtimi i rreth 2 mijë hapave në ditë lidhej me një ulje prej 25-50 për qind të rrezikut të vdekjes.
Po ashtu, për personat që qëndrojnë ulur për shumë orë, shtimi i vetëm 5-10 minutave aktivitet fizik në ditë lidhej me ulje prej 30-42 për qind të këtij rreziku.
Ushqyerja e shëndetshme mbetet e rëndësishme, por ndikimi i saj në këtë analizë ishte më i vogël. Për shembull, rritja e konsumit të frutave dhe perimeve nga 2.5 në 5 racione në ditë lidhej me ulje prej 13 për qind të rrezikut të vdekjes. Ndërsa konsumimi i më shumë drithërave integrale dhe fibrave lidhej me ulje prej 6-20 për qind.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet bazohen kryesisht në studime vëzhguese, ndaj nuk mund të provohet me siguri se aktiviteti fizik është shkaku i drejtpërdrejtë i këtyre uljeve të rrezikut.
Ata nënvizojnë se kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të neglizhojnë ushqimin e shëndetshëm. Përkundrazi, të dyja janë të domosdoshme për shëndetin dhe parandalimin e sëmundjeve kronike.
“Shëndeti optimal kërkon pothuajse me siguri ushqyerje cilësore dhe aktivitet fizik të rregullt. Megjithatë, kur bëhet fjalë për jetëgjatësinë dhe uljen e vdekjeve nga sëmundjet kronike, të dhënat tregojnë se aktiviteti fizik është një mjet më i fuqishëm”, përfundojnë studiuesit.