Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Berani për Ligjin për Specialen: Politikanët po japin autogola

Evliana Berani

Gazetarja Evliana Berani ka kritikuar mënyrën se si është iniciuar diskutimi për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se politikanët dhe deputetët në Kosovë po bëjnë gabime në rrafshin politik dhe po “japin autogola”.

Berani ka thënë se iniciativa për këtë çështje është nisur në mënyrë të gabuar, pasi sipas saj nuk është analizuar mjaftueshëm dhe nuk është marrë parasysh se përveç ligjit në fuqi, ekziston edhe marrëveshja ndërkombëtare që lidhet me Gjykatën Speciale.

“E gjithë iniciativa për këtë ligj është nisur mbrapsht. Nuk është menduar, nuk është analizuar si duhet dhe realisht ne në Kosovë, politikanët, deputetët po vazhdojnë të japin autogola”, ka thënë Berani në “Konfront”. 

Ajo theksoi se në diskursin publik po flitet vazhdimisht për Ligjin për Specialen, ndërsa sipas saj diskutimi duhet të përfshijë dy dokumente kryesore – ligjin në fuqi për Dhomat e Specializuara dhe marrëveshjen ndërkombëtare.

“Janë dy lloje të dokumenteve për të cilat duhet të diskutohet. Është ligji në fuqi për Gjykatën Speciale dhe marrëveshja ndërkombëtare. A do të ketë efekt juridik apo jo, është temë për debat”, shtoi ajo.

Sipas Beranit, edhe nëse Kosova arrin të ndryshojë apo shfuqizojë ligjin, pa një pajtueshmëri për ndryshimin ose zhbërjen e marrëveshjes ndërkombëtare dhe obligimeve që Kosova ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ndryshimi i ligjit mund të mos prodhojë efektin e synuar.

“Nëse nuk arrin pajtueshmëri që të zhbëhet apo ndryshohet marrëveshja ndërkombëtare dhe obligimet që i ka Kosova me ndërkombëtarët, atëherë edhe ai ligj mund të mbetet një shkronjë e vdekur në letër”, u shpreh Berani.

Lexo përditësimet tjera
Konfront

Ligji për Specialen, Kuvendi dhe agjenda evropiane | KONFRONT