Ai ishte jo vetëm një nga arkitektët diplomatikë të përfundimit të luftës së Kosovës, por edhe një nga figurat që ndihmuan në pengimin e ndarjes së saj territoriale menjëherë pas luftës. Strobe Talbott (25 prill 1945 – 26 nëntor 2026) në pranverën e vitit 1999, mori përsipër një nga detyrat më delikate të diplomacisë amerikane: përfshirjen e Rusisë në procesin e përfundimit të luftës së Kosovës, pa cenuar objektivat themelore të NATO-s
Me rastin e ndarjes nga jeta të Strobe Talbottit (1946–2026), meriton të rivlerësohet një dimension jashtëzakonisht i rëndësishëm i veprimtarisë së tij diplomatike, i cili nuk ka marrë vëmendjen e merituar në diskursin publik dhe historiografinë e Kosovës. Krahas Madeleine Albrightit, Richard Holbrooke-ut dhe gjeneralit Wesley Clark, Talbott ishte një nga figurat qendrore të administratës së presidentit Bill Clinton në përfundimin e luftërave në ish-Jugosllavi.
Por kontributi i tij historik për Kosovën nuk kufizohet vetëm në përfundimin e luftës. Ai duhet parë edhe në kontekstin e përpjekjeve diplomatike amerikane për të penguar institucionalizimin e një ndarjeje territoriale të Kosovës përmes krijimit të një sektori të veçantë ushtarak rus në pjesën veriore të saj.
Në këtë kuptim, Talbott ishte jo vetëm një nga arkitektët diplomatikë të përfundimit të luftës së Kosovës, por edhe një nga figurat që ndihmuan në pengimin e ndarjes së saj territoriale menjëherë pas luftës.
Nga gazetaria në diplomaci: Formimi intelektual dhe ekspertiza mbi Rusinë
I lindur në Dayton të Ohajos më 1946, Strobe Talbott u diplomua në Universitetin Yale më 1968 dhe vijoi studimet për tre vjet në Universitetin e Oksfordit, si bursist i programit prestigjioz Rhodes. Përpara se të hynte në shërbimin qeveritar amerikan, ai kishte zhvilluar një karrierë 21-vjeçare në revistën TIME, ku kishte punuar si korrespondent për Evropën Lindore, korrespondent diplomatik, korrespondent i Shtëpisë së Bardhë dhe drejtues i zyrës së revistës në Washington.
Formimi i tij intelektual ishte i lidhur ngushtë me studimin e Bashkimit Sovjetik, diplomacinë e fuqive të mëdha dhe marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Moskës. Talbott kishte përkthyer dhe redaktuar dy vëllime të kujtimeve të Nikita Hrushovit, të botuara më 1970 dhe 1974, si dhe kishte shkruar një varg librash mbi marrëdhëniet amerikano-sovjetike, kontrollin e armatimeve bërthamore dhe përfundimin e Luftës së Ftohtë.
Pas ardhjes së Bill Clintonit në Shtëpinë e Bardhë, Talbott shërbeu fillimisht si ambasador me mandat të posaçëm dhe këshilltar i sekretarit të Shtetit për shtetet e reja të pavarura, të dala nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Më 22 shkurt 1994, Senati amerikan konfirmoi emërimin e tij si zëvendëssekretar të Shtetit, ndërsa një ditë më vonë ai bëri betimin para sekretarit të Shtetit, Warren Christopher.
Ky kombinim i përvojës gazetareske, formimit akademik, ekspertizës mbi Bashkimin Sovjetik dhe angazhimit diplomatik në hapësirën postsovjetike ndihmoi në shpjegimin e rolit që iu besua Talbottit si negociator kryesor amerikan me Moskën gjatë krizës së Kosovës më 1999. Njohja e thellë e politikës ruse, e kulturës diplomatike të Moskës dhe e kompleksitetit të marrëdhënieve amerikano-ruse përbënte një kapital të rëndësishëm profesional në përpjekjet për përfshirjen e Rusisë në procesin e përfundimit të luftës së Kosovës, pa cenuar objektivat strategjike të NATO-s.
Nga Bosnja në Kosovë: Talbott dhe strategjia amerikane në Ballkan
Angazhimi i Talbottit në Ballkan kishte filluar shumë kohë përpara ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Që në prill të vitit 1993, sipas historianit Stephan Kieninger, Talbott i kishte rekomanduar presidentit Clinton një strategji më vendimtare ushtarake ndaj konfliktit në Bosnjë, duke mbështetur ndërhyrjen ajrore të NATO-s dhe vendosjen e një force ndërkombëtare paqeruajtëse nën udhëheqjen e Aleancës.
Në fjalimin e tij në National Press Club në Washington, më 9 nëntor 1995, ndërkohë që zhvilloheshin negociatat e Daytonit, Talbott e kishte identifikuar Kosovën si një nga vatrat potenciale të përhapjes së luftës në Ballkan. Ai paralajmëronte se një luftë në Kosovë mund të shkaktonte përfshirjen e Shqipërisë, destabilizimin e Maqedonisë dhe përplasjen e interesave të Greqisë dhe Turqisë.
Në të njëjtin fjalim, ai deklaronte: “Bosnja ka rëndësi për amerikanët, sepse Evropa ka rëndësi për Amerikën.”
Ky formulim pasqyronte filozofinë strategjike të Talbottit: konfliktet ballkanike nuk ishin thjesht konflikte periferike, por sfida për sigurinë evropiane, kredibilitetin e NATO-s, marrëdhëniet transatlantike dhe rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë.
Megjithëse Kosova mbeti jashtë agjendës së Daytonit, deklaratat e Talbottit dëshmojnë se rreziku i shpërthimit të një lufte në Kosovë ishte identifikuar në nivelet më të larta të administratës amerikane që në vitin 1995.
Trojka Talbott–Ahtisaari–Çernomërdin dhe diplomacia e përfundimit të luftës
Në pranverën e vitit 1999, Talbott mori përsipër një nga detyrat më delikate të diplomacisë amerikane: përfshirjen e Rusisë në procesin e përfundimit të luftës së Kosovës, pa cenuar objektivat themelore të NATO-s. Emërimi nga Boris Jelcini i ish-kryeministrit Viktor Çernomërdin si i dërguar i posaçëm për Kosovën krijoi mundësinë e kalimit nga kundërshtimi kategorik rus ndaj ndërhyrjes së NATO-s në një proces të përbashkët diplomatik.
Roli qendror i Talbottit në komunikimin diplomatik me Moskën ishte evident që në javët e para të ndërhyrjes së NATO-s. Sipas librit me kujtime të ministrit të Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, “Die rot-grünen Jahre. Deutsche Außenpolitik – vom Kosovo bis zum 11. September”, më 7 prill 1999, zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Avdejev, preferoi të zhvillonte një takim dypalësh me Talbottin, në vend që të merrte pjesë në mbledhjen e Grupit të Kontaktit në Bruksel. Ky zhvillim pasqyronte jo vetëm paralizimin e mekanizmave të Grupit të Kontaktit, por edhe rëndësinë që Moska i atribuonte kanalit të drejtpërdrejtë diplomatik me Washingtonin. Në këto rrethana, diplomacia gjermane ndërmori iniciativën për zhvendosjen e procesit negociues në kuadër të G8-s, presidencën e së cilës e ushtronte Gjermania.
Ndërthurja e kanalit dypalësh amerikano-rus me iniciativën shumëpalëshe gjermane krijoi një kuadër të ri diplomatik për përfshirjen e Moskës në procesin e përfundimit të luftës. Në këtë kontekst, Talbott u shndërrua në një nga hallkat kryesore të komunikimit ndërmjet diplomacisë amerikane, evropiane dhe ruse, duke kontribuar në krijimin e kushteve për bashkërendimin e qëndrimeve të fuqive të mëdha ndaj Kosovës.
Në këtë kuadër u formua trojka diplomatike: Strobe Talbott, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara dhe negociatori kryesor me Moskën; Martti Ahtisaari, president i Finlandës dhe përfaqësues i Bashkimit Evropian; Viktor Çernomërdin, përfaqësues i posaçëm i presidentit rus Boris Jelcin.
Rëndësinë vendimtare të kësaj trojke diplomatike e konfirmon edhe ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, i cili e cilësonte Talbottin si një njohës të shkëlqyer të Rusisë. Sipas Fischerit, ndërsa Grupi i Kontaktit kishte arritur në një rrugë pa krye, trojka Talbott–Ahtisaari–Çernomërdin mori përsipër barrën kryesore të negociatave për përfundimin e luftës. Paralelisht, negociatat në kuadër të G8-s, nën presidencën gjermane, përqendroheshin në hartimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Megjithatë, suksesi i këtij procesi shumëpalësh varej në masë të madhe nga përparimi i negociatave të trojkës dhe pranimi nga Beogradi i kushteve të bashkësisë ndërkombëtare.
Vlerësimi i Fischerit për ekspertizën e Talbottit mbi Rusinë nuk ishte i rastësishëm. Njohja e marrëdhënieve amerikano-sovjetike dhe e mekanizmave të vendimmarrjes në Moskë përbënte një kapital të rëndësishëm profesional. Sfida e tij në vitin 1999 ishte gjetja e një formule diplomatike që do të mundësonte bashkëpunimin me Rusinë, pa cenuar objektivat strategjike të NATO-s dhe pa krijuar premisat për ndarjen territoriale të Kosovës.
Dëshmia e Fischerit nxjerr në pah ndërlidhjen funksionale ndërmjet dy mekanizmave diplomatikë: ndërsa trojka synonte arritjen e një marrëveshjeje politike për përfundimin e luftës, G8-a punonte për institucionalizimin e saj në kuadrin e Kombeve të Bashkuara. Në këtë arkitekturë diplomatike, Talbott luante një rol qendror në harmonizimin e qëndrimeve amerikane, evropiane dhe ruse.
Në intervistën e tij retrospektive, Talbott shpjegonte se strategjia e përbashkët ishte konceptuar sipas metaforës hammer and anvil – çekiçi dhe kudhra. Çernomërdini do të ushtronte presion mbi Millosheviqin, ndërsa Ahtisaari do të përfaqësonte qëndrueshmërinë e kushteve ndërkombëtare për përfundimin e luftës.
Detyra e Talbottit ishte të harmonizonte qëndrimet amerikane, evropiane dhe ruse, duke i mbyllur Millosheviqit hapësirat për të shfrytëzuar dallimet ndërmjet fuqive të mëdha. Kjo ishte një ndërthurje e diplomacisë shtrënguese me negociatat shumëpalëshe: presioni ushtarak i NATO-s duhej të shndërrohej në një rezultat politik të qëndrueshëm, ndërsa Rusia duhej të bëhej pjesë e zgjidhjes dhe jo pengesë e saj.
Negociatat dramatike të Talbottit në Moskë dhe beteja diplomatike kundër ndarjes së Kosovës
Dimensioni më i rëndësishëm i angazhimit të Talbottit për Kosovën u shfaq në ditët e fundit të luftës dhe menjëherë pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 10 qershor 1999. Libri i John Norrisit, “Collision Course: NATO, Russia, and Kosovo” (2005), me parathënie të vetë Strobe Talbottit, ofron një dëshmi jashtëzakonisht të vlefshme për prapaskenat e këtyre negociatave. Ndonëse Moska kishte pranuar parimet e përgjithshme për përfundimin e luftës së Kosovës, çështja e pjesëmarrjes së Rusisë në forcën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë vazhdonte të mbetej e pazgjidhur. Udhëheqja ushtarake ruse kërkonte një sektor të veçantë territorial, nën komandën e një gjenerali rus dhe jashtë kontrollit efektiv të NATO-s.
Kundërshtimi i Talbottit ndaj krijimit të një sektori të veçantë rus në Kosovë nuk ishte një reagim spontan ndaj zhvillimeve dramatike të qershorit të vitit 1999, por pjesë e një qëndrimi strategjik të formuluar më herët nga diplomacia perëndimore. Siç dëshmon Joschka Fischeri në kujtimet e tij, që në maj të vitit 1999 ishin përcaktuar si çështje të panegociueshme tërheqja e plotë e forcave serbe të sigurisë nga Kosova, roli qendror i NATO-s në forcën ndërkombëtare paqeruajtëse, uniteti i strukturës komanduese dhe moslejimi i krijimit të një sektori të veçantë ushtarak rus. Në një bisedë telefonike me Fischerin, më 19 maj 1999, ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, shprehte pakënaqësinë e tij për qëndrimin e palëkundur të diplomacisë amerikane.
Kjo dëshmi e Fischerit ka rëndësi të veçantë për interpretimin e negociatave të mëvonshme të Talbottit në Moskë. Ajo tregon se përplasja diplomatike rreth organizimit territorial dhe komandues të pranisë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë kishte filluar disa javë përpara përfundimit të luftës. Në këtë perspektivë, vendosmëria e Talbottit gjatë negociatave të qershorit përbënte vazhdimësinë e një qëndrimi strategjik amerikan dhe jo thjesht një reagim ndaj politikës ruse të faktit të kryer.
Për Talbottin, kjo nuk ishte thjesht një çështje teknike e organizimit të forcave paqeruajtëse. Ishte një çështje me pasoja afatgjata për të ardhmen politike dhe territoriale të Kosovës. Gjatë negociatave dramatike të 11–12 qershorit 1999 në Moskë, ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, i komunikoi delegacionit amerikan se presidenti Jelcin kërkonte një sektor rus me komandant rus. Talbott kundërshtoi argumentin se dy struktura të veçanta komanduese mund të garantonin unitetin e misionit ndërkombëtar.
Sipas Norrisit, Talbott iu përgjigj Ivanovit: “In effect, you're talking partition.” (“Në fakt, ju po flisni për ndarje”).
Ky formulim dëshmon se diplomacia amerikane ishte plotësisht e vetëdijshme për implikimet politike të kërkesave ushtarake ruse.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë