Parkun e Taukbashçes e konsideron shtëpi të dytë atleti 72-vjeçar Skender Gashi.
Për t’i larguar ngarkesat e profesionit si mjek, Gashi e gjeti zgjidhjen te natyra dhe vrapi.
Tash janë bërë dy dekada prej se ai e përfaqëson Kosovën nëpër maratona ndërkombëtare.
“Tokbashqja për mua është shtëpia e dytë. Këtu e kaloj pjesën më të madhe të ditës. Unë këtu i kam ushtrimet e përditshme dhe stërvitjet për maratonë e gjysmëmaratonë tashmë janë bërë pjesë e jetës sime. Vrapi im e ka zanafillën mund të them në vitin 2002, rreth këtij viti kam nisur gjysmëmaratonën e parë, pastaj e kam shtuar secilën herë pjesëmarrjen në maratona duke nisur nga trevat shqiptare, e pastaj kam vazhduar në Evropë. Ndërkaq këto ditë po përgatitem që të udhëtoj për në New York për ta përfunduar këtë maratonë”, thekson Gashi.
Pesha prej 107 kilogramësh, të cilën atleti thotë se e kishte fituar si shkak i profesionit prej mjeku, ishte arsyeja kyçe që ai nisi të merrej me atletikë.
“Janë bërë vite prej se unë vrapoj e kam luajtur futboll. Këto aktivitete i kam pasur shkaku edhe i profesionit tim si mjek. Ky profesion ka bërë që unë edhe të shtoj peshë dikur 107 kilogramë. Aty kam fillu aktivitetin intensiv dhe kam nisur që t’i bëjë thuajse të gjitha shtigjet nëpër Kosovë”, deklaron Gashi.
Përveçse arriti të vrapojë në të gjitha shtigjet e vendit, atleti 72-vjeçar është pjesë e maratonave të shumta nëpër botë, nëpër të cilat ka hasur edhe vështirësi.
“Për t’u ndalur nuk jam ndalur, por sfida e momente të vështira kam pasur mjaft. E kujtoj maratonën që e kam realizuar në Athinë, sepse ka qenë një terren me një ngjitje në lartësi, mandej pjesa tjetër e maratonës ka pasur një terren krejt duke zbritur e më ka bërë pengesë. Në çdo maratonë ndërkombëtare unë dal me kapelën me flamur të Kosovës, e tashmë të huajt veç e njohin vendin, shtetin dhe tash kam krijuar shumë miq nga e gjithë bota”, shton Gashi.
Synim i tij është që atletikën ta vazhdojë deri në moshën 80-vjeçare.
“Ka qenë një vendim i kahershëm i imi që unë edhe e mendoj se ma shumë kisha pas qejf me vdekë në rrugë sesa në shtrat. Hiç nuk e kam siklet që aktin e fundit të jetës ta kem pas vrapit, ndoshta jo çdo herë të jem pjesë e maratonave, por të paktën deri në moshën 80-vjeçare do të jem ky me ecje e vrapim në natyrë”, thekson Gashi.
Atleti nga Rahoveci u drejtohet me një porosi të gjitha grupmoshave që të jenë aktivë me ecje apo vrapim për përfitime të shumta shëndetësore.