SOT

Atletja 18-vjeçare synon garat në Lojërat Olimpike

Gerta Gashi është një 18-vjeçare nga Prishtina që merret me atletikë prej shtatë vjetësh. 

Ajo është pjesë e klubit “Atletik Prishtina” dhe garon në disiplinën e 800 metrave.

Atletja e nisi këtë rrugëtim si një hobi, por sot atletika është bërë një pjesë e rëndësishme e jetës së saj. “Me sportin e atletikës merrem qe 7 vjet. Në fillim nuk më ka tërhequr vrapimi, por më shumë më ka pëlqyer të jem pjesë e një komuniteti që kishte pasion dhe vullnet për atletikën. Edhe unë jam munduar ta ndjek këtë rrugë”, thotë Gashi.

Për shkak të mungesës së shtigjeve për vrapim, Gerta stërvitet në katër lokacione të ndryshme: në Gërmi, në Parkun e Qytetit, në Taukbahçe dhe në stadiumin “Fadil Vokrri".

“Për shkak të kushteve që nuk i kemi, i shfrytëzojmë katër lokacione për stërvitje: Gërminë, parkun e qytetit, Taukbahçen dhe stadiumin “Fadil Vokrri”. Ushtroj 7 ditë në javë, dy herë në ditë – në mëngjes dhe në mbrëmje. Ka ditë që jam e lodhur, ka ditë që jam e sëmurë, ka ditë kur moti nuk më përshtatet – është me diell, shi apo borë – por asnjëherë nuk i ndal stërvitjet”, shton Gashi.

Përkushtimi i atletes ka dhënë rezultate. Ajo është shpërblyer me mbi 150 medalje për vendin e parë, të dytë dhe të tretë. 

“Nuk i kam numëruar medaljet sepse janë shumë, por i kam mbi 150 medalje për vendin e parë, të dytë dhe të tretë. Njëra nga garat më të veçanta për mua ka qenë në Slloveni, ku përfaqësova Kosovën në disiplinën 800 metra. Edhe pse nuk ishte rezultati që doja, më e rëndësishme për mua ishte pjesëmarrja. Edhe në disa gara të tjera vendore jam shpallur kampione”, thekson Gashi.

Sportistja synon që një ditë të përfaqësojë Kosovën në atletikë edhe përtej kufijve. 

“Në të ardhmen e shoh veten duke marrë pjesë në gara ndërkombëtare – evropiane, botërore dhe në Lojërat Olimpike”, thotë Gashi.

Gertën asgjë nuk e ndal për qëllimet e saj në sportin e atletikës.