Shkrimi i Kohës Ditore në janar të vitit 2018 për boksierin e njohur Nazif Gashi. Gashi, njëri prej emrave më të mëdhenj të sportit të Kosovës, vdiq të mërkurën.
Ka plastifikuar dhjetëra faqe të rubrikës së sportit në “Rilindje”. Secila prej tyre pasqyron suksese të Nazif Gashit si pjesë e Klubit të Boksit të Prishtinës në ish-Jugosllavi. Mirëpo, suksesin e madh të Gashit dhe boksit kosovar e kishin veçuar edhe teknikisht redaktorët e gazetës së vetme të përditshme të kohës.
“GASHI E MUNDI KAMPIONIN EVROPIAN”, shkruhej në 2 dhjetorin e vitit 1974. Shkrimi shoqërohej me një fotografi të Gashit, teksa e godet me të majtën direkt në fytyrë Marjan Beneshin me gardin e shpartalluar.
Gashi do ta plastifikojë edhe një fotografi që e përjetëson momentin kur gjyqtari ia ngre dorën e djathtë si fitues i meçit historik kundër boksierit që la gjurmë në historinë e boksit jugosllav. “Muharrem Spanca, pensionist i policisë, njeri që i kishte ruajtur gazetat e atëhershme të Jugosllavisë, ma dërgoi një ditë. E kishte fotografuar”, thekson Gashi, që për pak shkëputet prej “Rilindjes”, duke spikatur fotografinë në celular.
Marjan Benesh ishte boksier me të cilin në vitet shtatëdhjetë krenohej tërë Jugosllavia. Ishte kampion i katërfishtë i ish-Jugosllavisë, nëntë herë kampion i Bosnjë-Hercegovinës, kampion i boksit amator evropian më 1974 dhe kampion i Evropës në profesionalizëm më 1979.
Hakmarrja e madhe
Gashi iu hakmor Beneshit për humbjen e parë që ia shkaktoi kur u ndeshën më 1971 me Prishtinën si mysafire e ekipit “Sllavija” nga Banja Lluka. Ishte dueli i dytë në karrierën e Gashit, lindur më 1951, në fshatin Mramor në Prishtinë.
Megjithatë, ai nuk u dorëzua dhe shumë shpejt rimori veten. Shënoi fitore të njëpasnjëshme me klubin më të suksesshëm të sporteve kolektive në Kosovë në ligat jugosllave. Pesë herë do të shpallej kampion në ish-Jugosllavi si pjesë e ekipit prishtinas. Për katër vjet me radhë ishte pjesë e përfaqësues së Jugosllavisë.
“Jam sportisti i parë që e kam çelë derën e reprezentacionit të Jugosllavisë. Kam dokumente, sepse ka të tjerë që thonë, por pse nuk i nxjerrin dokumentet”, thekson Gashi gjatë një interviste të gjatë.
Nëpërmjet fotografive e shkrimeve në “Rilindje” shpalos pjesë të karrierës. Fitorja ndaj Beneshit në dyluftimin e dytë në fakt ishte meçi i finales së turneut të tetëmbëdhjetë “Dorëza e artë” në Beograd. “Gongun e artë” do ta fitonte në Shkup dy herë radhazi më 1975 e 1976.
Gashi thotë se kishte derdhur shumë djersë për arritjen e sukseseve. Nuk kishte munguar në asnjë stërvitje a meç si pjesë e klubit nga Prishtina. Madje preferonte që të shkonte i pari e të dilte i fundit nga palestra.
“Për Nazif Gashin të flitet është pak, mirëpo ai mbetet një nga figurat më të mëdha të sportit të Kosovës për shekullin e kaluar. Nazif Gashi ishte më i merituari për pesë titujt e ish-Jugosllavisë që fitoi KB Prishtina në atë kohë”, shkruan uebfaqja “albanianboxing.com”, themeluar më 2005 nga Luan Dreshaj, adhurues i boksit nga Kosova.
Dreshaj jeton dhe vepron në Gjermani si këshilltar i disa boksierëve profesionistë. Aty citohen fjalët e trajnerit legjendar, Lah Nimani, për Gashin, përherë të gatshëm për ta sfiduar cilindo kundërshtar pavarësisht sukseseve, që shumë rivalëve ua fusnin frikën. “Ai ishte xhokeri im”, citohet të ketë thënë Nimani.
Boksi, krenari kombëtare
Vetë Gashi tregon se Lah Nimani ishte punëtor dhe frymëzues i jashtëzakonshëm për gjeneratën e artë të boksierëve kosovarë. Dhe ishin sukseset e vazhdueshme që mobilizonin mijëra shqiptarë të ndiqnin të adhuruarit e tyre anembanë Jugosllavisë.
“Beso që vinin shikuesit tanë edhe nëpër qytete më të largëta të Jugosllavisë, se për Serbi s’e bënin llaf”, kujton Gashi kohën kur nuk kishte vend nëpër palestra për shqiptarët që boksierët nuk i konsideronin vetëm sportistë.
“Në ndeshjet tona si vendas te salla ‘1 Tetori’ katër mijë veta ishin brenda, dhe ndoshta katër mijë të tjerë mbesnin jashtë. Kam parë me sytë e mi se si policia përdorte edhe qentë dhe krijonte kordonë nga frika se mund të kishte tollovi para sallës”.
I madh e i vogël ishte në pritje të duelit të tretë ndërmjet Gashit dhe Beneshit më 1977 në “1 Tetori”. Gashi thotë se shikues nga të gjitha trevat shqiptare ia kishin mësyrë kryeqendrës së Kosovës, që atëherë porsa kishte nisur t’i gëzonte disa të drejta me Kushtetutën e vitit 1974.
E treta nuk qe e vërteta për asnjërin prej boksierëve. Mijëra shikues vlerësuan se Gashi ishte fitues. Ndryshe vlerësuan gjyqtarët. I ndanë me barazim.
“Këtë e bëri emri i madh i Beneshit dhe reputacioni që e kishte nëpër ish-Jugosllavi dhe Evropë, e Nazif Gashi ishte vetëm një shqiptar, por publiku ynë e dinte se idhulli i tyre ishte ngadhënjimtar, edhe pse referët e vlerësuan ndryshe”, shkruan uebfaqja e Dreshajt.
“Edhe rinia duhet ta dijë ...”
Djersa e madhe do t’i shpaguhej me shpalljen dy herë sportisti i vitit në Kosovë. “NAZIF GASHI – MË I MIRI”, është titulli i faqes së parë të sportit në “Rilindjen” e 27 dhjetorit 1974.
Gashi shpalos edhe faqe të tjera të plastifikuara për sukseset individuale dhe ekipore. I ka plastifikuar veçmas dy fotografi të ekipit. “Gjenerata e vjetër çohet në këmbë kur na sheh dhe na përqafon”, thekson Gashi, duke shprehur drojën se sukseset e atëhershme të boksit kosovar nuk po u tregohen brezave të rinj.
“Edhe rinia duhet ta dijë, ta zëmë, kush është Nazif Gashi. Neve, shqiptarëve, nuk na intereson historia, ne flasim nganjëherë për histori, por pa interesim”.
Gashi thotë se duhet t’u jepet më shumë hapësirë nëpër media rrëfimeve të kohës së lavdishme të boksit. Thotë se televizioni publik do të duhej të kishte xhirime të meçeve më interesante në historinë e boksit të Kosovës.
“Por mezi i kanë mbledhur do kronika me sekuenca nga meçet. Një kasetë nuk e kanë”, shfryn Gashi.
Megjithatë e pranon se edhe vetë drejtuesit dhe njerëzit e boksit nuk janë interesuar fort për shpalosjen e sukseseve që do të ishin frymëzim për boksierët e rinj.
Madje tregon se si palestra e vjetër e klubit të boksit në kryeqytet u gjet me të gjitha pajisjet pas luftës, por u shkatërrua në kohë paqeje nga vetë shqiptarët.
Kritika të ashpra ka ndaj Federatës së Boksit, që nuk ka përmbledhur sukseset me ndonjë libër. “Edhe pse i kam shokë, mendjen e kanë vetëm se a kanë dalë paratë prej Ministrisë në bankë”, thekson Gashi.
Tregon se gjatë një viti e gjysmë në krye të reprezentacionit të Kosovës vetëm një herë një zyrtar i saj ia kishte mbuluar privatisht njëzet euro shpenzime derivatesh për makinë. “Jo thoshin qysh me pagu trajnerin e reprezentacionit, jo anej-knej”.
Sherri i interesave personale
Para udhëtimit drejt Sllovenisë të përzgjedhurit nuk kishin as rekuizita, duke e detyruar Gashin që t’ua kushtëzonte krerëve të Federatës shkuarjen me sigurimin e tutave të njëjta për boksierët e përzgjedhur.
Boksi i viteve të para pas luftës ishte ndër sportet më të popullarizuara, me palestrat në disa qytete që nuk kishin vend për të gjithë shikuesit e interesuar. Por menjëherë u shfaqën ndasitë që rrënuan gjithçka.
“Filluam mbarë dhe nisëm të ktheheshim të gjithë që kemi qenë pjesë e boksit, por nisën ngadalë me hy disa që s’kanë lidhje me boksin e me këto suksese. Faji ynë është se ditën me gjet rrugën, jo ai me mua, me rrëzu atë, jo ai me atë. Nisën ‘jo ne ishim në luftë’, por çka është më e keqja na ndanë edhe ndërmjet vete”, thekson Gashi.
Duke parë përçarjen që po mbisundonte, Gashi iu përkushtua paralelisht punës së tij private në studion e tij të bodibildingut dhe aerobikut afër “Kurrizit”, në Prishtinë.
Prapa tavolinës së punës pranë ka varur disa fotografi individuale e ekipore të brezit të artë të boksit kosovar.
Burri me shpirt luftarak beson se boksi kosovar mund të arrijë majat botërore. Krejt çfarë duhet është puna e ndershme, ngulmon ai.
“Ka mundësi dhe gjithë ka pasur mundësi. Mjafton të bëhemi të gjithë bashkë, sepse rrugët krejt i dimë, dhe na mund ta bëjmë një klub të suksesshëm jo vetëm në rajon, por edhe nëpër Evropë dhe botë. Vetëm duhet të jemi të sinqertë dhe të derdhim djersë në sallë”, thekson Gashi.
Sa herë kalon nga palestra “1 Tetori” i kujtohen sukseset individuale dhe ekipore të epokës së lavdishme. “Shumë djersë e gjak duhet të derdhet për suksese të mëdha në boks”.