Ka vdekur në moshën 74-vjeçare Nazif Gashi, njëri prej emrave më të mëdhenj të sportit të Kosovës në histori.
Gashi ka pasur karrierë të pasur si boksier. Ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës që për shumë vjet dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.
Për vdekjen e Gashit kanë njoftuar familjarët e tij.
Në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Gashi dhe boksierët e tjerë të Prishtinës kishin bërë krenarë gjithë Kosovën me paraqitjet e tyre.
I lindur më 1 tetor të vitit 1951, Nazif Gashi u bashkua me ekipin e parë të Prishtinës në vitin 1971.
“Unë kur kam ardhur në klubin e Prishtinës, kur kam hyrë në ekipin e parë, në vitin 1971, klubi vetëm sa kishte hyrë në Ligën e Parë të Jugosllavisë. Në atë kohë prej fundit të tabelës ne u bëmë kampion. Ishte një sukses i mirë, bëhej punë e mirë në klubin e Prishtinës, një ndryshim pozitiv. Pesë tituj rresht i kemi fituar”, tregonte Gashi në njërën prej bisedave të shumta për KOHËN.
Stili i boksit i Gashit dhe fitoret e tij të mëdha janë përmendur gjatë dhe përmenden ende nga tifozët besnikë të boksit.
Prej fitoreve më të famshme të tij ishte ajo e vitit 1974 në Beograd ndaj kampionit të atëhershëm të Evropës, Marjan Beneshi. E kishte mposhtur në kuadër të turneut “Doreza e Artë”.
Gjatë karrierës ka mposhtur edhe boksierë të tjerë të njohur në ish-Jugosllavi.
Në periudha të ndryshme ishte pjesë e Federatës së Boksit të Kosovës. Ishte edhe trajner i boksit e selektor, ndërsa për shumë vite i përshirë në bodibilding e fitnes.
Osmani: Kujtimi për Nazif Gashin do të jetë inspirues për brezat që vijnë
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për familjen Gashi pas vdekjes së legjendës së boksit, Nazif Gashi, njërit prej emrave më të shquar të sportit në Kosovë dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas.
Në telegramin e ngushëllimit, presidentja Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gashit për sportin dhe vendin.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit, njërit prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas”, thuhet në reagimin e saj.
Ajo kujtoi se Gashi, si boksier i klubit “Prishtina”, u bë simbol i guximit, disiplinës dhe përkushtimit, ndërsa paraqitjet dhe fitoret e tij e bënë të njohur klubin e kryeqytetit në gjithë Jugosllavinë e atëhershme.
“Kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë”, deklaroi Osmani, duke i shprehur ngushëllime familjes, të afërmve, Federatës së Boksit të Kosovës dhe gjithë komunitetit sportiv.
Në fund të mesazhit, presidentja u shpreh se në këto çaste të rënda që po kalon familja, ajo bashkëndjen dhimbjen me ta dhe u dëshiroi forcë për ta përballuar humbjen.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Nazif Gashin”, përfundon reagimi i presidentes.
Gashi vdiq në moshën 74-vjeçare.

Xhokeri i gjeneratës së artë
Ka plastifikuar dhjetëra faqe të rubrikës së sportit në “Rilindje”. Secila prej tyre pasqyron suksese të Nazif Gashit si pjesë e Klubit të Boksit të Prishtinës në ish-Jugosllavi. Mirëpo, suksesin e madh të Gashit dhe boksit kosovar e kishin veçuar edhe teknikisht redaktorët e gazetës së vetme të përditshme të kohës.
“GASHI E MUNDI KAMPIONIN EVROPIAN”, shkruhej në 2 dhjetorin e vitit 1974. Shkrimi shoqërohej me një fotografi të Gashit, teksa e godet me të majtën direkt në fytyrë Marjan Beneshin me gardin e shpartalluar.
Gashi do ta plastifikojë edhe një fotografi që e përjetëson momentin kur gjyqtari ia ngre dorën e djathtë si fitues i meçit historik kundër boksierit që la gjurmë në historinë e boksit jugosllav. “Muharrem Spanca, pensionist i policisë, njeri që i kishte ruajtur gazetat e atëhershme të Jugosllavisë, ma dërgoi një ditë. E kishte fotografuar”, thekson Gashi, që për pak shkëputet prej “Rilindjes”, duke spikatur fotografinë në celular.
Marjan Benesh ishte boksier me të cilin në vitet shtatëdhjetë krenohej tërë Jugosllavia. Ishte kampion i katërfishtë i ish-Jugosllavisë, nëntë herë kampion i Bosnjë-Hercegovinës, kampion i boksit amator evropian më 1974 dhe kampion i Evropës në profesionalizëm më 1979.
Hakmarrja e madhe
Gashi iu hakmor Beneshit për humbjen e parë që ia shkaktoi kur u ndeshën më 1971 me Prishtinën si mysafire e ekipit “Sllavija” nga Banja Lluka. Ishte dueli i dytë në karrierën e Gashit, lindur më 1951, në fshatin Mramor në Prishtinë.
Megjithatë, ai nuk u dorëzua dhe shumë shpejt rimori veten. Shënoi fitore të njëpasnjëshme me klubin më të suksesshëm të sporteve kolektive në Kosovë në ligat jugosllave. Pesë herë do të shpallej kampion në ish-Jugosllavi si pjesë e ekipit prishtinas. Për katër vjet me radhë ishte pjesë e përfaqësues së Jugosllavisë.
“Jam sportisti i parë që e kam çelë derën e reprezentacionit të Jugosllavisë. Kam dokumente, sepse ka të tjerë që thonë, por pse nuk i nxjerrin dokumentet”, thekson Gashi gjatë një interviste të gjatë.
Nëpërmjet fotografive e shkrimeve në “Rilindje” shpalos pjesë të karrierës. Fitorja ndaj Beneshit në dyluftimin e dytë në fakt ishte meçi i finales së turneut të tetëmbëdhjetë “Dorëza e artë” në Beograd. “Gongun e artë” do ta fitonte në Shkup dy herë radhazi më 1975 e 1976.
Gashi thotë se kishte derdhur shumë djersë për arritjen e sukseseve. Nuk kishte munguar në asnjë stërvitje a meç si pjesë e klubit nga Prishtina. Madje preferonte që të shkonte i pari e të dilte i fundit nga palestra.
“Për Nazif Gashin të flitet është pak, mirëpo ai mbetet një nga figurat më të mëdha të sportit të Kosovës për shekullin e kaluar. Nazif Gashi ishte më i merituari për pesë titujt e ish-Jugosllavisë që fitoi KB Prishtina në atë kohë”, shkruan uebfaqja “albanianboxing.com”, themeluar më 2005 nga Luan Dreshaj, adhurues i boksit nga Kosova.
Dreshaj jeton dhe vepron në Gjermani si këshilltar i disa boksierëve profesionistë. Aty citohen fjalët e trajnerit legjendar, Lah Nimani, për Gashin, përherë të gatshëm për ta sfiduar cilindo kundërshtar pavarësisht sukseseve, që shumë rivalëve ua fusnin frikën. “Ai ishte xhokeri im”, citohet të ketë thënë Nimani.
Boksi, krenari kombëtare
Vetë Gashi tregon se Lah Nimani ishte punëtor dhe frymëzues i jashtëzakonshëm për gjeneratën e artë të boksierëve kosovarë. Dhe ishin sukseset e vazhdueshme që mobilizonin mijëra shqiptarë të ndiqnin të adhuruarit e tyre anembanë Jugosllavisë.
“Beso që vinin shikuesit tanë edhe nëpër qytete më të largëta të Jugosllavisë, se për Serbi s’e bënin llaf”, kujton Gashi kohën kur nuk kishte vend nëpër palestra për shqiptarët që boksierët nuk i konsideronin vetëm sportistë.
“Në ndeshjet tona si vendas te salla ‘1 Tetori’ katër mijë veta ishin brenda, dhe ndoshta katër mijë të tjerë mbesnin jashtë. Kam parë me sytë e mi se si policia përdorte edhe qentë dhe krijonte kordonë nga frika se mund të kishte tollovi para sallës”.
I madh e i vogël ishte në pritje të duelit të tretë ndërmjet Gashit dhe Beneshit më 1977 në “1 Tetori”. Gashi thotë se shikues nga të gjitha trevat shqiptare ia kishin mësyrë kryeqendrës së Kosovës, që atëherë porsa kishte nisur t’i gëzonte disa të drejta me Kushtetutën e vitit 1974.
E treta nuk qe e vërteta për asnjërin prej boksierëve. Mijëra shikues vlerësuan se Gashi ishte fitues. Ndryshe vlerësuan gjyqtarët. I ndanë me barazim.
“Këtë e bëri emri i madh i Beneshit dhe reputacioni që e kishte nëpër ish-Jugosllavi dhe Evropë, e Nazif Gashi ishte vetëm një shqiptar, por publiku ynë e dinte se idhulli i tyre ishte ngadhënjimtar, edhe pse referët e vlerësuan ndryshe”, shkruan uebfaqja e Dreshajt.
“Edhe rinia duhet ta dijë ...”
Djersa e madhe do t’i shpaguhej me shpalljen dy herë sportisti i vitit në Kosovë. “NAZIF GASHI – MË I MIRI”, është titulli i faqes së parë të sportit në “Rilindjen” e 27 dhjetorit 1974.
Gashi shpalos edhe faqe të tjera të plastifikuara për sukseset individuale dhe ekipore. I ka plastifikuar veçmas dy fotografi të ekipit. “Gjenerata e vjetër çohet në këmbë kur na sheh dhe na përqafon”, thekson Gashi, duke shprehur drojën se sukseset e atëhershme të boksit kosovar nuk po u tregohen brezave të rinj.
“Edhe rinia duhet ta dijë, ta zëmë, kush është Nazif Gashi. Neve, shqiptarëve, nuk na intereson historia, ne flasim nganjëherë për histori, por pa interesim”.
Gashi thotë se duhet t’u jepet më shumë hapësirë nëpër media rrëfimeve të kohës së lavdishme të boksit. Thotë se televizioni publik do të duhej të kishte xhirime të meçeve më interesante në historinë e boksit të Kosovës.
“Por mezi i kanë mbledhur do kronika me sekuenca nga meçet. Një kasetë nuk e kanë”, shfryn Gashi.
Megjithatë e pranon se edhe vetë drejtuesit dhe njerëzit e boksit nuk janë interesuar fort për shpalosjen e sukseseve që do të ishin frymëzim për boksierët e rinj.
Madje tregon se si palestra e vjetër e klubit të boksit në kryeqytet u gjet me të gjitha pajisjet pas luftës, por u shkatërrua në kohë paqeje nga vetë shqiptarët.
Kritika të ashpra ka ndaj Federatës së Boksit, që nuk ka përmbledhur sukseset me ndonjë libër. “Edhe pse i kam shokë, mendjen e kanë vetëm se a kanë dalë paratë prej Ministrisë në bankë”, thekson Gashi.
Tregon se gjatë një viti e gjysmë në krye të reprezentacionit të Kosovës vetëm një herë një zyrtar i saj ia kishte mbuluar privatisht njëzet euro shpenzime derivatesh për makinë. “Jo thoshin qysh me pagu trajnerin e reprezentacionit, jo anej-knej”.
Sherri i interesave personale
Para udhëtimit drejt Sllovenisë të përzgjedhurit nuk kishin as rekuizita, duke e detyruar Gashin që t’ua kushtëzonte krerëve të Federatës shkuarjen me sigurimin e tutave të njëjta për boksierët e përzgjedhur.
Boksi i viteve të para pas luftës ishte ndër sportet më të popullarizuara, me palestrat në disa qytete që nuk kishin vend për të gjithë shikuesit e interesuar. Por menjëherë u shfaqën ndasitë që rrënuan gjithçka.
“Filluam mbarë dhe nisëm të ktheheshim të gjithë që kemi qenë pjesë e boksit, por nisën ngadalë me hy disa që s’kanë lidhje me boksin e me këto suksese. Faji ynë është se ditën me gjet rrugën, jo ai me mua, me rrëzu atë, jo ai me atë. Nisën ‘jo ne ishim në luftë’, por çka është më e keqja na ndanë edhe ndërmjet vete”, thekson Gashi.
Duke parë përçarjen që po mbisundonte, Gashi iu përkushtua paralelisht punës së tij private në studion e tij të bodibildingut dhe aerobikut afër “Kurrizit”, në Prishtinë.
Prapa tavolinës së punës pranë ka varur disa fotografi individuale e ekipore të brezit të artë të boksit kosovar.
Burri me shpirt luftarak beson se boksi kosovar mund të arrijë majat botërore. Krejt çfarë duhet është puna e ndershme, ngulmon ai.
“Ka mundësi dhe gjithë ka pasur mundësi. Mjafton të bëhemi të gjithë bashkë, sepse rrugët krejt i dimë, dhe na mund ta bëjmë një klub të suksesshëm jo vetëm në rajon, por edhe nëpër Evropë dhe botë. Vetëm duhet të jemi të sinqertë dhe të derdhim djersë në sallë”, thekson Gashi.
Sa herë kalon nga palestra “1 Tetori” i kujtohen sukseset individuale dhe ekipore të epokës së lavdishme. “Shumë djersë e gjak duhet të derdhet për suksese të mëdha në boks”.
Gjenerata e artë e boksit
Ka dyshime për ndonjë datë, por emrat i kujton shumë mirë. E kujton edhe rëndësinë që klubi prishtinas i boksit kishte për sportin në shtetin e atëhershëm federativ.
Mehmet Bogujevci flet me krenari për sukseset që janë arritur nga klubi Radniçki, që në fund të viteve shtatëdhjeta e ndryshoi emrin në Prishtina. Bogujevci, për kohë të gjatë sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, mban në zyrën e vogël të federatës disa fotografi të gjeneratave më të suksesshme të klubit prishtinas. Ai është në të gjitha fotografitë. Thotë se vetëm një titull Prishtina e ka fituar pa të në skuadër. Nga zyra e vogël, Bogujevci vazhdon të udhëheq boksin e vendit. Pranon se tani është shumë më vështirë dhe se përsëritja e sukseseve të viteve shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar është e pamundur. Përmend shumë arsye për këtë.
Për Bogujevcin, njëjtë si për gjithë boksierët e gjeneratës së tij dhe gjeneratës pas tij, tema e sukseseve të Prishtinës është e pëlqyer. Në secilën bisedë jep ndonjë detaj nga ndonjë ngjarje. Flet shpesh për bashkëpunimin me trajnerin e ndjerë, Lah Nimani, për përballjet e mbetura në kujtesë me boksierët më të mirë jugosllav të kohës.
Ai vlerëson se rritja e klubit Prishtina ka ndikuar që të ngrihet niveli i boksit në të gjithë Jugosllavinë. Tregon për kohën kur interesimi për boksin amator ishte jashtëzakonisht i madh. Kur të gjithë në Kosovë frymonin me sukseset e klubit të boksit.
Bogujevci në dhjetor të vitit 1969 iu bashkua Radniçkit, pasi për disa vjet kishte arritur suksese te Spartaku i Suboticës, vend ku ishte për shkollim. Gjatë kohës sa ishte në Suboticë, kishte shumë kohë të lirë dhe kishte vendosur të provonte boksin. Nuk kishte besuar se me kohë do të bëhej boksieri më i mirë në kategori dhe prej sportistëve më të mëdhenjë në histori të Kosovës. Titujt e parë individual i kishte fituar te Spartaku. Por pasi kreu shkollën e mesme, u kthye në Kosovë dhe iu bashkua klubit Radniçki.
Klubi i kategorisë së dytë
Radniçki ishte klub i kategorisë së dytë, por ngadalë nisi rritja e tij. Ishte klub dukshëm më i vogël dhe më pak i organizuar se Spartaku. Por kjo nuk zgjati shumë.
Ndryshimi i madh në klubin prishtinas ndodhi me ardhjen e trajnerit Lah Nimani nga Mitrovica.
“Kam filluar të boksoj për Prishtinën në mars 1970. Prishtina ka qenë në Ligën e Dytë, një klub jo fort mirë i organizuar, i lodhur. Me hyrjen në Ligën e Parë, ndërkohë është ndryshuar gjendja. Ka ardhur Zhivorad Shishkoviq për trajner, një ish-boksier i shkëlqyer i klubit të boksit Prishtina, një pedagog, një trajner i mirë. Kemi filluar të bëjmë rezultate të mira. Klubi Prishtina u bë i fortë kur u përforcua me boksierët e Trepçës, Faruk Gërxhaliun, Xhevdet Pecin dhe Enver Hajredinin dhe trajnerin Lah Nimani. Me ata tre boksier Prishtina shumë shpejtë ka filluar të korr suksese të njëpasnjëshme”, thotë Bogujevci.
Pak vite pas ardhjes së tij, Radniçki kaloi në ligën e parë federative. Ndryshimet vazhdonin të ndodhnin dhe gjendja në klub përmirësohej. Nuk vonoi dhe erdhi edhe suksesi i shumëpritur.
Titullin e parë Radniçki e fitoi në edicionin 1975/76. Pos Bogujevcit, që shpejt ishte graduar në kapiten të skuadrës, titullin e parë e sollën edhe Bajram Hashani, Xhevdet Peci, Nazif Gashi e shumë të tjerë. Bogujevci është i kujdesshëm me emrat. Nuk përmend shumë. Thotë se do t’iu mbetet hatri nëse e harron ndonjë. Edhe me data nuk merret shumë. Nuk merren as të tjerët, por e përbashkëta e të gjithëve është se flasin për pesë titujt, që Prishtinën e kthyen në skuadër të “pavdekshme”.
Në fakt Radniçki, përkatësisht Prishtina, fitoi disa tituj rresht, ndërsa pas një pauze, titullin e pestë e fitoi në vitin 1984. Bogujevci tashmë ishte i pensionuar, njëjtë si shumë boksierë tjerë të gjeneratës së parë të suksesshme.
Pasi fitoi titujt e parë, Prishtina vazhdimisht ishte prej klubeve kryesore në Ligën e Parë të Jugosllavisë, ndërsa disa herë doli nënkampione.
Bogujevci dhe të tjerët pretendojnë se kanë merituar më shumë tituj dhe se ka pasur padrejtësi të mëdha.
Ish-nënkampioni i botës ka thënë se Prishtina atëbotë ishte klub profesional i boksit amator. Ka treguar për përkrahjen e madhe që kishte klubi.
“Pas ndryshimeve kushtetuese të 74-s u ndryshua edhe kryesia e klubit. Kishte më shumë shqiptarë. Ekipi u përforcua me boksier të Kosovës. Vendasit pak më ndryshe ishin, kishte aq shumë publik sa që nuk i zinte stadiumi i sporteve të vogla, që ishte përplot i mbushur”, thotë Bogujevci.
“Automatikisht është rritur edhe konkurrenca. Të gjitha klubet e ish-Jugosllavisë u përgatitnin për të na mundur. Ka qenë problem për të na mundur. Aty-këtu e humbnim ndonjë ndeshje, por kryesisht kemi shënuar fitore”, ka shtuar ai.
Bogujevci thotë se ishte privilegj që të shikoheshin nga afër meçet e Prishtinës. Thotë se nderi më i madh që mund të bëhej ishte që t’i bëhej një ftesë dikujt. Ai ka treguar se ka pasur raste që meçet janë zhvilluar edhe në stadiumin e Prishtinës për shkak të interesimit të madh.
Kampioni i Jugosllavisë në konkurrencë ekipore caktohej në bazë të sukseseve që arriheshin në kampionatin që zhvillohej çdo javë, me xhiro të rregullta. Zhvilloheshin dhjetë duele dhe skuadra më e mirë fitonte përballjen.
Një prej boksierëve bartës te klubi prishtinas ishte Nazif Gashi. Ai e përcjell ende boksin, por nuk është i përfshirë direkt në sport. Gashi ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës në fund të viteve shtatëdhjeta, kur ishte periudha më e suksesshme.
Nazif Gashi tregon për ndryshimet e bëra e që sollën suksesin e Prishtinës së famshme, që mbahet në mend si njëra prej skuadrave më të suksesshme të Kosovës në kohën e shtetit federativ.
“Unë kur kam ardhur në klubin e Prishtinës, kur kam hyrë në ekipin e parë, në vitin 71, klubi vetëm sa ka hyrë në Ligën e Parë të Jugosllavisë. Në atë kohë prej fundit të tabelës ne u bëmë kampion. Ishte një sukses i mirë, bëhej punë e mirë në klubin e Prishtinës, një ndryshim pozitiv. Pesë tituj rresht i kemi fituar”, thotë Gashi. Në rrethe të boksit, bisedohet shpesh për duelet e Gashit me kundërshtarë nga vende tjera të Jugosllavisë. Përmendet stili i tij i boksimit dhe fitoret e mëdha që ai i ka arritur.
Gashi e njeh kontributin e të ndjerit, Lah Nimani, për rritjen e jashtëzakonshme të Prishtinës. Tregon për raportet shumë të mira të trajnerit me boksierët e që, sipas tij, ishte çelës i suksesit.
“Filluam punën, filloi puna e mbarë, filloi vullneti te ne boksierët. Filloi afërsia e trajnerit me ekipin. Filluam me punë ndryshe, më me vullnet dhe energji për suksese”.
Shpresat për të ardhmen
Rrugën që e bëri Lah Nimani, nga Mitrovica për në Prishtinë, disa vjet më pas e bëri edhe Sefedin Braha. Ai në vitin 1978 kaloi te Prishtina dhe deri në vitin 1989 ishte ndihmës i Nimanit në klubin më të madh të boksit në Kosovë.
Braha së fundi është kthyer nga Gjermania në Kosovë dhe ka hapur një klub të boksit në Mitrovicë. Klubi quhet Trepça, si gjitha klubet e mëdha të qytetit të minatorëve.
Braha është i bindur se sërish do të dalin boksierë të nivelit të lartë, që do të fitojnë medalje në kampionate botërore e evropiane.
Të tillë ishin boksierët e klubit Prishtina. Aziz Salihu ka medalje të bronztë olimpike, Mehmet Bogujevci medalje të argjendtë botërore, ndërsa edhe të tjerët kanë fituar medalje të mëdha në atë kohë.
Në fakt, kur Prishtina ishte dominante në Jugosllavi, boksi në shtetin federativ ishte në nivelin më të lartë. Medaljet në të gjitha garat ndërkombëtare e dëshmojnë këtë.
“Është një periudhë që nuk mund të përsëritet, pavarësisht talenteve dhe kushteve që mund të sigurohen tani. Vetë fakti i pesë titujve të ish-Jugosllavisë dëshmon këtë. Në të gjitha kampionatet, duke përfshirë kampionatet evropiane, botërore e Lojërat Olimpike kemi pasur suksese. Kemi marrë medalje”, kujton Braha.
Ai punon me përkushtim me pak boksierët që i ka në stërvitje. Pajisjet i ka siguruar vet. Thotë se ka hasur në përkrahje të mirë dhe se talenti e vullneti nuk mungon. Por pranon se duhet shumë punë që të arrihet maja.
Te gjenerata e artë e Prishtinës, puna nuk ka qenë problem. Skuadra kryesisht ka qëndruar në kampe përgatitore. Në Saraj të Shkupit më së shumti, thotë Bogujevci. Incizimet e kohës dëshmojnë për atmosferën shumë të mirë në stërvitje. Edhe puna e të ndjerit Lah Nimani çmohet nga të gjithë. Vlerësohet kyçe, por përkahjes nga njerëzit që atëbotë ishin në pozitë të rëndësishme.
Boksi në Kosovë, si në shumicën e vendeve të rajonit, është në nivel dukshëm më të ulët. Sukseset ndërkombëtare mungojnë, ndërsa shikuesit janë të paktë. Interesimi për boksin amator ka rënë shumë. Edhe numri i të rinjve që vendosin për karrierë në sportin e ringut, nuk është i madh.
“Ka talente, nuk besoj se do të mungojnë rezultatet. Nuk mund të paragjykoj, por talentet, aspiratat, vullneti ekziston. Shpresoj do të nisemi në një rrugë të tillë, ku kemi qenë me gjeneratën e mëparshme”, thotë Braha.
Prishtina tani nuk është as klubi më i fortë në Kosovë. Por e kaluara e tij mbetet e madhe. Me sukseset e Prishtinës mburren të gjithë, jo vetëm ish-boksierët.