Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Pensionohet Mehdi Gashi, një prej figurave të veçanta të basketbollit kosovar

Mehdi Gashi

Mehdi Gashi e ka problem për ta përshkruar me disa fjalë jetën e tij kushtuar basketbollit, veçanërisht periudhën si gjyqtar.

“Duhet ndoshta një emision 24 orësh për të shpalosur gjithë karrierën time dhe për të ditur më shumë për mua në kohën si lojtar, gjyqtar dhe së fundmi si vëzhgues”, thotë Gashi, për të cilin Federata e Basketbollit e Kosovës ndau të mërkurën mbrëma mirënjohje me rastin e pensionimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gashi së fundi ishte i angazhuar si vëzhgues i ndeshjeve të basketbollit. Por njihet për ndarjen e dretjësisë si gjyqtar i basketbollit, të cilën karrierë e nisi më 13 mars të vitit 1983.

“Më 13 mars 2013, pas 30 vjetësh, jam përshëndetur si gjyqtar në Gjakovë”, tregon ai për KOHËN.

Gashi mburret për punën që ka bërë si gjyqtar i basketbollit, por edhe si vëzhgues. Gashi për shumë vjet ka qenë prej gjyqtarëve kryesorë në basketbollin kosovar. Në raste të rralla janë kundërshtuar vendimet e tij. Ai është njohur si gjyqtar me autoritet, por edhe i afërt.

“Kam kaluar shumë mirë edhe si gjyqtar edhe si vëzhgues. Kam ngrënë bukë, por e kam lënë vendin për ujë në basketboll. Gjithçka që kam parë, kam referuar. Nuk e kam lënë në vaj asnjë ekip për gabime të mia. Normal që ndonjë gabim është bërë, por jo qëllimisht. Jam i kënaqur, sepse me kokën lart shkoj në gjithë palestrat e Kosovës. Më presin shumë mirë në gjitha palestrat”, ka theksuar 65-vjeçari.

Tregon se në raste është dashur të ndajë drejtësi në dy qytete të ndryshme brenda ditës.

“Vetëm një Zot e di se sa ndeshje kam drejtuar si gjyqtar i basketbollit. Ka ndodhur dy ndeshje brenda ditës i kam drejtuar. Kam ndarë drejtësi në ndeshje për basketbolliste, gjenerata të reja”.

Kur bëhet fjalë për gjenerata të reja, Gashi është krenar për numrin e gjyqtarëve të zbuluar. Thotë se nga dora e tij kanë dalë rreth 60 gjyqtarë në periudhën e pasluftës në Kosovë.

“Krenohem që ende marrin këshilla nga unë të gjithë gjyqtarët. Jam duke menduar që të nxjerri ende gjyqtarë të rinj”, thotë ai.

Gashi u nderua me mirënjohje nga Federata, por thotë se ka ende energji për të dhënë kontribut në basketboll.

“Pres të mos më largojë Federata. Mendoj se edhe për pesë apo dhjetë vjet mund të jap kontributin tim. Mund ta luajë rolin e kontrollorit. Si vëzhgues nuk mund të jem më, për shkak të moshës 65-vjeçare si pensionist. Por mund ta jap kontributin tim në kontrollim të gjyqtarëve. Pra të vlerësoj gjyqtarët me nota pas çdo ndeshje”, ka thënë Mehdi Gashi.

Me mirënjohje nga FBK-ja u nderua edhe vëzhguesi, Sabri Parduzi, po ashtu kontribuues në basketbollin e Kosovës.