Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Sakrifica e Edmond Azemit për Prishtinën

Edmond Azemi - mural

Vendimi që mori Edmond Azemi në qershor të vitit 2021 nuk ishte aspak i lehtë. 

Mes emocioneve dhe lotëve, ikona e Sigal Prishtinës kishte njoftuar tërheqjen nga basketbolli aktiv. 
Së fundi mori tjetër vendim të vështirë – atë për kthimin në parket, pesë vjet pasi u pensionua si basketbollist. 

“Është një sakrificë e madhe për mua, por sakrificë që ia vlen për Prishtinën. Nuk e bëj për vete, por për Prishtinën dhe qytetin”, ka thënë Azemi për KOHËN të hënën.

Por çka e shtyu Edon të kthehet në moshën 45-vjeçare?

“Unë jam kthyer për të fituar trofe”, thotë ai.

Azemi është i bindur se mund ta ndihmojë Prishtinën të kthehet në rrugën e suksesit.

“Unë besoj se mund ta ndihmoj. Nuk mendoj vetëm unë, por edhe të tjerët”, ka theksuar Azemi, i cili tregon se vendimin për t’u kthyer e mori falë edhe mbështetjes së familjes.

Lajmin për kthimin e kapitenit të suksesshëm e bëri të ditur të hënën klubi “bardheklatër”. Por Azemi ka disa ditë që ka nisur përgatitjet me Prishtinën.

Pjesë e Prishtinës, Azemi ka qenë prej vitit 1999, ndërsa ka luajtur edhe për disa skuadra jashtë vendit.

Gjatë karrierës, Azemi në nivel përfaqësuesesh luajti me Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa në nivel klubesh, përveç Prishtinës luajti edhe te Valbona, MZT dhe Liria nga Shkupi dhe te KR në Islandë.

Por sukseset më të mëdha i ka arritur me Prishtinën. Është basketbollisti më i trofeshëm në vend.
Ka fituar plot 36 trofe, 12 tituj kampioni në Kosovë, 14 kupa të Kosovës, shtatë Superkupa, dy Liga Ballkanike si dhe Superligën e Islandës. Për herë të fundit Prishtina titullin e fitoi në vitin 2019. Aktualisht Trepça po dominon.

Azemi thotë se me kthimin e tij te Prishtina, rivaliteti do të jetë i zjarrtë gjatë edicionit 2026/2027.

“Do ta kemi ekipin e frikshëm për gjitha skuadrat”, ka theksuar Edo. “Rivaliteti do të jetë me të gjitha ekipet. Kanë investuar të gjitha ekipet. Besoj se do të jetë një garë interesante”.

Pasi i dha fund karrierës si lojtar, Azemi kishte pozita drejtuese në klub, por edhe pozita të tjera në basketboll e jashtë tij. Ka luajtur me veteranët. Dhe tani kthehet në nivelin profesional.

“Fizikisht jam mirë. E ndiej veten shumë më të ri. Lojtarët e huaj që na janë bashkuar së fundmi janë befasuar me lëvizjet e mia në parket. Kanë menduar se jam 30-35 vjeç. Momentalisht po e ndiej veten mirë. Uroj të mos kem ndonjë lëndim”.

Frika më e madhe e Edos janë lëndimet.

“Çka po frikësohem më së shumti janë lëndimet. Dua të përgatitem mirë, pasi kurrë në karrierë nuk kam pasur lëndim”, thotë ai.

Azemi shpreson ta nis edicionin përkrah Dardan Berishës, i cili po ashtu ka qenë në të kaluarën lojtar i Prishtinës.

“Do të doja edhe Dardan Berisha të ishte me mua në ekip. Kemi bërë punë të madhe së bashku me Dardanin. Kemi fituar së bashku trofe, por vendimi mbetet i tij. Dardani është lojtar që mund të na ndihmojë shumë”, ka thënë Azemi.