Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Foda flet për largimin e Rrahmanit, por fokusohet tek e ardhmja

Franco Foda

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka tentuar ta bindë Amir Rrahmanin që të vazhdojë të luajë për Kosovën. Nuk ia doli. Rrahmani ka vendosur të largohet nga ekipi përfaqësues, i pakënaqur me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kosova të hënën nisi grumbullimin për katër ndeshjet e para të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve. Natyrisht, pa Rrahmanin.

Foda nuk i ka kushtuar shumë rëndësi lojtarëve që janë larguar apo atyre që mungojnë. Ai është i fokusuar tek e ardhmja, te sukseset e reja që i synon me Kosovën.

Kosova menjëherë të enjten luan me Irlandën në “Fadil Vokrri”. Të dielën luan në udhëtim ndaj Austrisë, ndërsa më pas luan me Izraelin dhe sërish me Austrinë. 

“Jemi shumë të gëzuar në këtë fazë dhe me padurim presim t’i luajmë këto ndeshje të radhës. Sigurisht në këto tre ditë e ardhshme do të përgatitemi maksimalisht, fillimisht për ndeshjen ndaj Irlandës. Si trajner apo lojtarë çdo ndeshje kemi dëshirë ta fitojmë. Mirëpo kemi disa mungesa, disa janë të lënduar, disa të tjerë janë tërhequr, por kemi ftuar edhe lojtarë të rinj. Për ndeshjet e ardhshme kemi nevojë për një ekip të mirë, një ekip që ka uri për fitore. Është shumë me rëndësi që të luajmë nga minuta e parë me intensitet shumë të lartë dhe sigurisht është përparësi se do të luajmë para tifozëve tanë dhe shpresojmë që të fitojmë”, ka thënë Foda të hënën në konferencë për shtyp.

Rrahmani nuk është mungesa e vetme, në krahasim me ndeshjet e rëndësishme të luajtura deri më tani. Florent Hadërgjonaj është larguar i pakënaqur me Fodën. Valon Berisha dhe Fidan Aliti kanë vendosur t’i japin fund karrierës ndërkombëtare.

Ndërkohë Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija janë të lënduar. 

“Kemi 27 lojtarë të tjerë në të cilët kam 100 për qind besim. Besoj që edhe me këta lojtarë do të kemi paraqitje shumë të mira. Do të shohim në ditët e ardhshme të gjejmë një formacion ideal edhe pse ky është futbolli, ka mungesa, ka lëndime dhe ka tërheqje”, ka theksuar Foda.

Amir Rrahmani për shtatë vjet ishte kapiten i Kosovës. Largimi i kapitenit ndikon edhe në përfaqësuese dukshëm më të mëdha se ajo e Kosovës. Për më tepër, Rrahmani është lojtari i Kosovës që luan në nivelin më të lartë evropian. Por gjermani Foda respekton vendimin e tij për largim.

“Më ka telefonuar Amir Rrahmani dhe kemi biseduar, detajet që i kemi biseduar do të mbeten mes nesh. Mund të konfirmoj që edhe unë kam tentuar t’ia ndryshojë mendimin, por nuk kam mundur. Ai tashmë ka marrë vendimin, dhe atë vendim si trajner duhet ta respektoj dhe ta pranoj. I uroj gjitha të mirat në të ardhmen e tij”, ka theksuar Franco Foda. 

Ndërkohë Florent Hadërgjonaj nuk e ka kontaktuar selektorin, me të cilin është i pakënaqur. Foda e ka mësuar vendimin e Hadërgjonajt përmes mediumeve. Ka thënë se u beson të gjithë lojtarëve që i fton. Foda nuk e kupton vendimin e Hadërgjonajt, por ka shtuar se ndoshta ai ka vendosur të largohet pasi nuk luante rregullisht së fundi.

Përzgjedhësi Foda thotë se Kosova ka dëshmuar tashmë se mund të luajë edhe pa kapitenin Rrahmani. Ka treguar se nuk e ka ftuar Arijon Ibrahimoviqin, ndonëse është në kontakt me të. 

Ai pret që futbollistët “dardanë” ta dëshmojnë veten edhe në ndeshjet e ardhshme, duke theksuar se “futbolli nuk jeton në të kaluarën”. 

Kosova për herë të parë luan në Ligën B të Ligës së Kombeve. Është niveli i dytë i kësaj gare, që u prezantua për të evituar miqësoret. 

“Pres që këta futbollistë të jenë të uritur për fitore. Kemi tre kundërshtarë të fortë, me gjithë mungesat dhe me gjithë tërheqjet do të mundohemi të gjejmë një ekip të mirë, të bashkuar. Do të bëjmë maksimumin që tifozët t’i gëzojmë në stadiumin tonë dhe pas gjashtë ndeshjeve do të shohim se ku qëndrojmë”. 

Foda është i kënaqur me formën e futbollistëve të sulmit. Ka folur për Vedat Muriqin, Edon Zhegrovën,Baton Zabërgjën, Ermal Krasniqin e Fisnik Asllanin. Por ka thënë se të luash për Kombëtare dallon nga loja në nivel klubesh.

Në fund Foda pos që falënderoi Fidan Alitin dhe Valon Berishën për kontributin e madh, foli për tri ardhjet e reja, Milot Avdylin, Dion Kaçurin dhe talentin e Bayernit, Erblin Osmani. 

Avdyli u shpërblye me ftesë për paraqitjet e mira te Celje në Slloveni. Kaçuri është me potencial për të ardhmen, kurse afrimi i 17-vjeçarit Osmani vlerësohet “fitore” e madhe për Kosovën.

“Osmani luan me zëmër për Kosovën, luan me zemër për futboll dhe luan me pasion dhe kjo më pëlqen te lojtarët që dëshirojnë të luajnë me pasion dhe kur duan të luajnë për Kosovën. Lojtarët e rinj i sjellin energji të re ekipit përfaqësues. Çdo lojtar duhet të dëshmohet nga fillimi. Kemi katër ndeshje në vazhdim dhe të gjithë lojtarët duhen të jenë të gatshëm”, ka theksuar Foda.

Kosova luajti në finale të plejofit për kualifikim në Botëror. Tani vazhdon në Ligën e Kombeve, kurse synimi i madh mbetet kualifikimi në Euro 2028.

Foda falënderon Fidan Alitin dhe Valon Berishën

1 muaj më parë / 21 sht 2026 12:37
Franco Foda

“Për fund dua të shpreh mirënjohje. E falënderoj Fidan Alitin për paraqitjet për Kosovën. Ka luajtur maksimumin dhe ka pasur paraqitje të shkëlqyeshme. E falënderoj edhe Valon Berishën për paraqitjet e tij fantastike për Kosovën. Ishte duke luajtur për Norvegjinë dhe vendosi të vijë te Kosova. Kjo meriton respekt. Ka luajtur ndeshje shumë të mira, me pasion”.

Foda flet për talentin e Bayernit

1 muaj më parë / 21 sht 2026 12:34
franco foda

“Kemi tre lojtarë të ri të ftuar. Avdyli ka pasur sezon shumë të mirë. Ka pasur paraqitje ekstrem të mira. Ka luajtur në anën e majtë, por e kemi parë edhe në ofanzivë në anën e majtë. Mund të luajë në pozita të ndryshme. E ka merituar ftesën.

Kaçurri luan në Austri dhe e njoh për kohë më të gjatë. Për të ardhmen është lojtar i mirë dhe me potencial.

Për Osmanin ishim në kontakt për disa muaj. Ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer dhe më ka bindur. Të gjithë kemi pasur kontakt me të. Të gjithë e kemi kontaktuar, duke filluar nga presidenti, drejtori i Kombëtares dhe unë.

Ai luan me zemër për Kosovën, luan me pasion. Kjo më pëlqen kur lojtarët luajnë me pasion për Kosovën.

Secili duhet të dëshmohet nga fillimi. Kemi katër ndeshje në vazhdim dhe të gjithë na duhen”.

Foda i kënaqur me formën e lojtarëve të sulmit

1 muaj më parë / 21 sht 2026 12:29
foda

“Jam i kënaqur me gjendjen momentale të lojtarëve sulmues. Vedati është shumë i gëzuar për golat në ndeshjen e fundit. Edhe Zhegrova është i kënaqur me paraqitjet e fundit. Zabërgja ka luajtur mirë, Ermal Krasniqi po ashtu.

Kemi një repart ofenziv shumë të mirë dhe shumë opsione. Asllani është në fazën e rikthimit. 

Tani është shumë me rëndësi që kemi opsione të mjaftueshme. Të luash për Kombëtaren dallon pak nga loja në ekip. Pasi kanë luajtur mirë në skuadrat e tyre edhe i kam ftuar”.

Shala paraqet qëndrimin e FFK-së për Amir Rrahmanin

1 muaj më parë / 21 sht 2026 12:23
Bajram Shala

Federata e Futbollit e Kosovës nuk është deklaruar deri të hënën lidhur me vendimin e Amir Rrahmanit për largim nga ekipi kombëtar, i pakënaqur me drejtuesit e FFK-së. 

Dhe për këtë të hënën foli menaxheri i përfaqësueses A, Bajram Shala. 

“Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dua ta falënderoj Amir Rrahmanin për gjithë kontributin që e ka dhënë për ekipin përfaqësues si lojtar. Pavarësisht se sa i papranueshëm është veprimi i tij i fundit, për ne si Federatë ai nuk e fshin kontributin e madh që Amiri e ka dhënë si lojtar për dhjetë vite edhe për një periudhë të gjatë duke qenë kapiten i Kosovës. Por as periudha dhe kontributi si lojtar nuk e arsyeton veprimin e tij të fundit, sidomos se si ky veprim ka ardhur”, ka thënë Shala. 

Ai ka treguar se ka kontaktuar me Rrahmanin, por ka shtuar se nuk i di arsyet e largimit të papritur të tij.

“Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Amirin për një kohë të gjatë. Kam provuar t'i adresoj gjitha kritikat apo vërejtjet që i ka pasur Amiri, madje kemi ofruar që të shkojmë edhe në shtëpinë e tij në Napoli të bisedojmë për këto çështje, por Amiri nuk ka qenë i gatshëm. Arsyet e një veprimi të tillë unë nuk i di, por Amiri është një djalë i pjekur. A ka qenë i manipuluar prej dikujt tjetër dhe pse ka dalë me atë njoftim, unë nuk e kuptoj. Çka mund të them për Amirin dhe për gjithë futbollistët e tjerë, është që ekipi kombëtar nuk mund të kushtëzohet me prezencën apo mosprezencën që një futbollist të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Kjo vlen për të gjithë, vlen edhe për Amirin”, ka shtuar Shala.

Ai ka treguar se janë në pritje të vendimit të FIFA-s për ndërrimin e shtetësisë së Dion Kaçurit, në mënyrë që ai ta fitojë të drejtën të luajë për Kosovën.

Çka thotë Foda për Hadërgjonajn?

1 muaj më parë / 21 sht 2026 12:13
Foda

“Hadërgjonaj nuk më ka kontaktuar. Vendimin e tij e mësova përmes mediave. Vendimin e tij e pranoj. Të gjithë lojtarët që i ftoj ua ofroj besimin e plotë. Të gjithë i përkrahi. Nuk e kuptoj arsyen pse ai është tërhequr nga Kombëtarja. Por duhet ta pranoj vendimin e tij. Është shumë me rëndësi të fokusohemi te lojtarët që i kemi në dispozicion. Ai që është i pranishëm duhet të luajë me zemër për Kosovën, duhet të jetë i uritur për të dhënë maksimumin. Në këtë drejtim secili duhet të pranojë që kur ftohet mund të mos luajë”.

Foda tregon situatën me Amir Rrahmanin

1 muaj më parë / 21 sht 2026 12:10
Franco Foda

Franco Foda ka konfirmuar se ka diskutuar me Amir Rrahmanin para se ai të merrte vendimin për largim nga përfaqësuesja.

“Më ka kontaktuar Amir Rrahmani. Kemi biseduar. Detajet mbesin mes nesh. Kam tentuar t’ia ndryshojë mendjen dhe nuk kam mundur. Ai mori vendimin dhe ne duhet ta pranojmë. I dëshirojmë çdo të mirë në të ardhmen.