Avokati Tomë Gashi ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për kërkesat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të “larë mëkatet” e votimit të vitit 2015. Ai shtoi se këto ndryshime s’kanë kurrfarë efekti juridik për punën e Speciales.
Gashi ka thënë se deklaratat e fundit publike dhe përpjekjet për ndryshimin e ligjit lidhen, sipas tij, me votimin që mundësoi themelimin e Gjykatës Speciale.
“Është shumë e thjeshtë. Në prizmin tim, PDK-ja po do thjesht me i la mëkatet e veta të votimit të Gjykatës Speciale në vitin 2015 dhe gjithçka tani, deklaratat publike që jepen, tentimi për të ndryshuar ligjin, ka këtë qëllim”, ka thënë Gashi në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se situata po përdoret edhe në kontekstin e zhvillimeve politike në vend, duke përmendur mundësinë e zgjedhjeve të reja nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit.
“Pak edhe po keqpërdoret kjo situatë për shkak se po e dimë që nuk ka afat dhe po duket që kemi gjasa të shkojmë në zgjedhje të përsëritura dhe partitë pastaj ta fajësojnë njëra-tjetrën”, u shpreh ai.
Edhe
PDK-ja kërkon më shumë patriotizëm nga zyrtarët e qeverisë
Sipas Gashit, PDK-ja po përpiqet ta paraqesë çështjen e ndryshimit të ligjit si një përplasje me partitë e tjera, veçanërisht me Lëvizjen Vetëvendosje.
“PDK-ja po e luan një lojë shumë të rrezikshme, duke pretenduar se ja po duam ta ndryshojmë Ligjin për Gjykatën Speciale, 11 vjet pasi e kanë votuar vetë dhe kinse partitë tjera, cak e kanë Lëvizjen Vetëvendosje, ata nuk po duan”, u shpreh Gashi.
Ai argumentoi se, në rrethanat aktuale politike, zgjedhja e presidentit është çështje më urgjente, pasi dështimi për ta zgjedhur atë brenda afatit kushtetues mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Jemi më pak se shtatë ditë kur është afati për zgjedhjen e presidentit dhe kjo është kërkesë më urgjente sesa kërkesat e PDK-së”, deklaroi avokati.
Gashi shtoi se zgjedhjet e reja do të sillnin një periudhë të zgjatur pasigurie institucionale.
“Nëse nuk e zgjedhim presidentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Nëse shkojmë në zgjedhje, për disa muaj nuk do të kemi as Kuvend të konstituar dhe Qeveri në detyrë, president jo e jo”, u shpreh ai.
Edhe
PDK-ja insiston së pari ndryshimin e Ligjit për Specialen, LVV-ja zgjedhjen e presidentit
Në fund, Gashi vlerësoi se ndryshimet e propozuara nuk do të kishin efekt juridik mbi punën e Dhomave të Specializuara.
“Nuk kanë kurrfarë efekti juridik për punën e Speciales këto ndryshime”, ka thënë Gashi.