Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Gashi: BE-ja është kujdesur që të mos e lë në dorën e Kuvendit mbylljen e Speciales

2 min. më parë / 29 sht 2026 20:39
kreshnik gashi

Kreshnik Gashi, kryeredaktor në Birn, vlerëson se nuk ka rrugë që Gjykata Speciale të zhbëhet. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian në kohën kur është themeluar kjo gjykatë është kujdesuar që të mos lë hapësirë ku Kuvendi i Kosovës do të mundej ta mbyllë. 

Gashi ka theksuar se Dhomave të Specializuara u përfundon mandati vetëm me miratimin e Komisionit të Ministrave të BE-së. 

“Ajo që po tentohet të bëhet me këtë ndryshim ligjor është ndryshimi i komplet strukturës së Dhomave të Specializuara, por duke ditë që ky proces i ndryshimeve politike ka mundur të ndodhë dhe evropianët e kanë pa këtë punë më herët, BE në momentin e themelimit të gjykatës janë kujdesur që të mos bëhen gabime, të mos lënë në dorën e Kuvendit të Kosovës që kjo gjykatë të mbyllet me vullnetin e Kosovës. Rrugët janë të mbyllura sepse përfundimi i mandatit bëhet vetëm me miratimin e Komisionit të Ministrave të BE-së”, ka thënë ai në Konfront.

Gashi ka thënë se kërkesa e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është bërë duke e ditur se nuk mund të miratohet askund. 

“Janë disa elemente që duhet të kuptohen për Ligjin për Dhomat e Specializuara, amandamentet kushtetuese dhe marrëveshjen ndërkombëtare apo letërkëmbimin mes baroneshës Ashton dhe ish-presidentes Jahjaga. Letërkëmbimi nuk mund të ndërrohet me vendimet e Kuvendit. Parimi tjetër është ndryshimet kushtetuese, ne nuk  mund ta ndërrojmë Kushtetutën me ligj. Çka është problemi aktual i ligjit që PDK po synon ta dërgojë në Kuvend. Mendoj se është bë një propozim për ndryshim me idenë që askund nuk mund të miratohet sepse është një fontanë dëshirash për përmirësimin e krejt gabimeve që janë bë potencialisht në ligj, letërkëmbimin dhe amendamentin kushtetues për themelimin e Speciales”, deklaroi ai. 

 

Gashi: PDK po e luan një lojë të rrezikshme me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Specialen

14 min. më parë / 29 sht 2026 20:26
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për kërkesat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të “larë mëkatet” e votimit të vitit 2015. Ai shtoi se këto ndryshime s’kanë kurrfarë efekti juridik për punën e Speciales.

Gashi ka thënë se deklaratat e fundit publike dhe përpjekjet për ndryshimin e ligjit lidhen, sipas tij, me votimin që mundësoi themelimin e Gjykatës Speciale.

“Është shumë e thjeshtë. Në prizmin tim, PDK-ja po do thjesht me i la mëkatet e veta të votimit të Gjykatës Speciale në vitin 2015 dhe gjithçka tani, deklaratat publike që jepen, tentimi për të ndryshuar ligjin, ka këtë qëllim”, ka thënë Gashi në “Konfront” të KTV-së.

Ai ka thënë se situata po përdoret edhe në kontekstin e zhvillimeve politike në vend, duke përmendur mundësinë e zgjedhjeve të reja nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit.

“Pak edhe po keqpërdoret kjo situatë për shkak se po e dimë që nuk ka afat dhe po duket që kemi gjasa të shkojmë në zgjedhje të përsëritura dhe partitë pastaj ta fajësojnë njëra-tjetrën”, u shpreh ai.

Sipas Gashit, PDK-ja po përpiqet ta paraqesë çështjen e ndryshimit të ligjit si një përplasje me partitë e tjera, veçanërisht me Lëvizjen Vetëvendosje.

“PDK-ja po e luan një lojë shumë të rrezikshme, duke pretenduar se ja po duam ta ndryshojmë Ligjin për Gjykatën Speciale, 11 vjet pasi e kanë votuar vetë dhe kinse partitë tjera, cak e kanë Lëvizjen Vetëvendosje, ata nuk po duan”, u shpreh Gashi.

Ai argumentoi se, në rrethanat aktuale politike, zgjedhja e presidentit është çështje më urgjente, pasi dështimi për ta zgjedhur atë brenda afatit kushtetues mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Jemi më pak se shtatë ditë kur është afati për zgjedhjen e presidentit dhe kjo është kërkesë më urgjente sesa kërkesat e PDK-së”, deklaroi avokati.

Gashi shtoi se zgjedhjet e reja do të sillnin një periudhë të zgjatur pasigurie institucionale.

“Nëse nuk e zgjedhim presidentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Nëse shkojmë në zgjedhje, për disa muaj nuk do të kemi as Kuvend të konstituar dhe Qeveri në detyrë, president jo e jo”, u shpreh ai.

Në fund, Gashi vlerësoi se ndryshimet e propozuara nuk do të kishin efekt juridik mbi punën e Dhomave të Specializuara.

“Nuk kanë kurrfarë efekti juridik për punën e Speciales këto ndryshime”, ka thënë Gashi.