Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Aktori që tejkaloi paragjykimet

Ergjan Mehmeti është një shembull i një të riu të suksesshëm e punëtor. 22-vjeçari, i cili i takon komunitetit ashkali, e ka dëshmuar se talenti dhe puna e palodhshme e tij ia kanë tejkaluar çdo lloj paragjykimi në shoqëri.

Mehmeti është në vitin e 3-të në Fakultetin e Arteve, si dhe ka luajtur në 20 premiera teatrale.

Pavarësisht sfidave, ai thotë se me gjithçka që ka të bëjë me art ndihet i përmbushur.

“Zakonisht zgjohem në ora 7 të mëngjesit, sepse nga Shtimja udhëtoj për në Prishtinë për m’i ndjek ligjëratat e fakultetit. Nga ora 9:00 deri në orën 15:00 kam vetëm ligjërata. Pas kësaj ore i kam vetëm provat, ku angazhohemi nëpër shfaqje të ndryshme studentore. Si çdo fëmijë edhe unë e kam pasur ëndërr të bëhem mësues dhe kjo nuk është se nuk është realizuar, që nga mosha 15-vjeçare kam punuar me fëmijët që kanë pasur problem me shkrim dhe lexim. Pastaj nga kureshtja kam vazhduar në aktrim dhe kjo më ka përmbushur shumë, në familjen time ka këngëtar dhe profesione të tjera, vetëm unë jam aktor”, ka thënë ai për emisionin “SOT” në KTV.

Tregon edhe rreth shfaqjeve teatrale dhe filmike që ai ka luajtur. Mes tjerash tregon edhe për rolin e parë, që njëherësh ka qenë pikënisja e karrierës së tij.

Edhe Kolumne Çka po zgjedhim të studiojmë

“Roli i parë që e kam luajtur ka qenë në gjimnaz ‘Me ligj apo me kanun’, ku unë e kam luajt avokatin”, ka thënë ai.

Në mes xhirimeve filmike dhe shfaqjeve teatrale, kjo e fundit më shumë e përmbush 22-vjeçarin.

“Teatri më jep më shumë emocion, ndoshta shkaku i publikut krahasuar nga puna në film. Pra në film xhirohet, je në kontakt me aktor dhe kamera, nuk e ke atë emocion, ndërsa në teatër është kontakti me publikun, unë si artist e përzgjedh teatrin. Çfarëdo roli që më jepet mundohem me dhënë maksimumin për me luajt mirë, shumicën e roleve i kam pas role kryesore, por luaj çfarëdolloj roli”, ka shtuar Mehmeti.

Ai ka theksuar se pa barazinë, shoqëria nuk mund të jetë e drejtë. Apelon që të mos ketë paragjykime ndaj komuniteteve.

“Mesazhi im për të gjithë të rinjtë është se le ta gjejnë veten në profesionin e tyre sikurse unë që e kam gjet veten në aktrim dhe mos të ndalen asnjëherë duke punuar me veten, sepse ia dalin. Të fokusohen vetëm në një profesion dhe të mos ndalen asnjëherë. Ky mesazh shkon më shumë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian, sepse unë i përkas komunitetit ashkali. Të mos ndihen të diskriminuar, sepse edhe ne jemi duke jetuar në Kosovë”, ka thënë ai.

Mbështetja qe motivi më i mirë për një karrierë të suksesshme, thotë Ergjani.

“Jam përgatitë me veten rreth paragjykimeve në fakultetin e arteve, por fatmirësisht më kanë pritë mirë, sidomos profesoresha Ilire Vinca, e cila çdoherë më ka mësuar dhe më ka përkrahur vazhdimisht. Po ashtu edhe kolektivi dhe studentët në fakultet më përkrahin. Kosova është vendi ku kam lindur dhe ku jetoj, pra është vendi im dhe unë nuk kërkoj diçka më mirë në vendet e tjera, sepse në Kosovë i kam të gjitha”, ka treguar më tej ai.

Aktori pretendon suksese edhe jashtë kufijve nëse i ofrohet ndonjë rol specifik.

Edhe “Unrecognized” me teatrin që bashkon përballë politikës që ndan Kulturë “Unrecognized” me teatrin që bashkon përballë politikës që ndan

“Atë që e kam arritur në Kosovë jemi shumë i kënaqur, por nëse më vjen ndonjë rol për filma ndërkombëtarë do ta pranoj duke e përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë sikurse filmi Shok, Zgjoi etj”, ka thënë Mehmeti.

Ergjani me përkushtimin e tij është vlerësuar si ndër aktorët premtues të kinematografisë kosovare.