Libri i parë me poezi i aktores Xhejlane Tërbunja duket si fillimi i një udhëtimi letrar që autorja ka kohë që e ka pritur, ndërsa publiku e ka mirëpritur me një vëmendje që e ka bërë këtë promovim të jetë më shumë se një prezantim libri. Poezi të krijuara gjatë katër apo pesë vjetëve të fundit prekin e riprekin përditshmërinë, të shkruara në mënyrë të çiltër dhe të drejtpërdrejtë, duke ruajtur tonin që i ka karakterizuar gjithmonë edhe interpretimet e saj
Mes ngrohtësisë së dritave minimale dhe ambientit të zbehtë brenda hapësirës së vogël të kafenesë “Kadare Bar & Books” në Prishtinë, “Asgja s’ka ndryshu” i aktores dhe tashmë poetes Xhejlane Tërbunja, ka pasur takimin e parë me lexuesin. Raftet me libra të shumtë dhe gjethet e bimëve të gjata të vendosura rreth skenës së improvizuar kanë dëshmuar zërat përshëndetës përpara se të niste promovimi të martën mbrëma, duke krijuar një atmosferë të qetë, intime dhe thellësisht të përshtatshme për një mbrëmje ku poezia është qendra e çdo gjëje. Të pranishmit kanë zënë vend ngadalë, duke e plotësuar hapësirën tashmë të tejmbushur, derisa tingulli i butë i kitarës së Arbër Krasniqit ka hapur rrugën për fjalët e mira dhe ka përcjellë interpretimet e poezive të poetes.
Tërbunja, e njohur gjerësisht për rolet e saj në teatër, film dhe televizion, ka hyrë kësaj radhe në një territor që e ka ndërtuar pa zhurmë, në mënyrë të qetë dhe të vazhdueshme. Biografia e saj artistike është e pasur. Prej skenës së Teatrit Kombëtar e teatrit “Dodona”, e deri te rolet filmike në produksione si “Der Albaner” dhe projekte të tjera që e kanë bërë prezencën e saj element të spikatur të interpretimit aktorial. Ajo ka ndjekur studimet për aktrim në Universitetin e Prishtinës dhe në vitet e fundit ka qenë e angazhuar në disa projekte të pavarura artistike. Në këtë mbrëmje, megjithatë, ka qenë e qetë, pa kërkuar vëmendje të tepruar. Poezia ka qenë zëri i saj i ri, por i sjellë me një natyrshmëri që tregon se ky territor nuk është i huaj për të; është thjesht më pak i dukshëm.
Libri i saj i parë poetik përmbledh poezi të krijuara gjatë katër apo pesë vjetëve të fundit. Një pjesë e tyre prekin e riprekin përditshmërinë, të shkruara në mënyrë të çiltër dhe të drejtpërdrejtë, duke ruajtur tonin që i ka karakterizuar gjithmonë edhe interpretimet e saj: një ndershmëri emocionale që nuk përpiqet të bëjë dramë, por që e gjen thellësinë pikërisht duke mos e tepruar. Ishte e dukshme se ajo e konsideron poezinë hapësirë të brendshme, një shtrirje tjetër të vetes që nuk ka nevojë për reflektorë, vetëm për vëmendje të qetë dhe të sinqertë.
Mbrëmja ka filluar me fjalët e miqve dhe kolegëve të saj aktorë, të cilët i kanë dhënë një pulsim të veçantë mjedisit. Në këtë atmosferë është folur edhe për miqësinë e autores me poetë e artistë të tjerë.
Shkrimtari Arbër Selmani ka treguar se ai dhe Tërbunja janë takuar së pari përmes poezisë dhe jo fizikisht.
“Unë e njoh Xhejlanen... ka kohë që e njoh, jemi njoftuar përmes poezisë, e kemi përkrahur njëri-tjetrin pa e takuar njëri-tjetrin personalisht, por duke shkruar dhe duke e motivuar njëri-tjetrin. Është e vërtetë që të paktë janë njerëzit që na motivojnë gjatë jetës, por ata që na motivojnë është mirë t’i mbajmë afër dhe t’i ndihmojmë në forma të ndryshme, për t’ua nxjerrë në pah talentin e tyre”, ka thënë ai.
Poezinë e Tërbunjës e ka konsideruar si habitatin më të natyrshëm të saj.
“Shumë prej jush po ju shoh se jeni kolegë të fushës së artit, kulturës, aktrimit, sidomos aty ku Xhejlania është në habitatin e saj, e për mua, habitati i Xhejlanes është poezia, ajo për çka jemi thirrur”, ka shtuar shkrimtari Selmani, duke e vendosur autoren në një dimension të ri brenda komunitetit të saj artistik.
Anisa Ismaili ka lexuar poezitë “Kangë rome”, “Menimi n’ty” dhe “Si atëherë”, duke futur menjëherë një ton emocional, të butë, që është përcjellë edhe në reagimin e publikut. Në vijim, Arbër Selmani ka interpretuar “Prandaj t’du njeri” dhe “Kam dashtë me përqafu”, të shoqëruara nga kitara e Krasniqit që ia ka shtuar një ritëm të lehtë e të qëndrueshëm. Aktorja e këngëtarja Edona Reshitaj ka sjellë pak humor para leximit, duke treguar sesi shpesh njerëzit e ngatërrojnë me Tërbunjën, dhe ka lexuar poezinë “N’më daç”.
Edhe vetë Tërbunja ka lexuar nga libri i saj. Poezitë “Hala” dhe “Kohë e tashme”, kjo e fundit e shkruar me frymëzim nga kënga “Present Tense” e “Radiohead”, janë interpretuar me qetësi, me pauza të matura dhe me një ton që i ka lënë vargjet të marrin frymë vetë. I gjithë ritmi i mbrëmjes ka qenë i rregulluar me këtë frymë: i ngadalshëm, i butë, i ndërtuar mbi heshtjet e vogla në mes të fjalëve, sikur leximi të ishte më shumë një përbashkim përvoje sesa performim.
Ajo ka folur me modesti për librin e parë dhe për procesin e tij.
“Jam e lumtur që kam arritur t’i mbledh disa poezi në këtë libër, po ju premtoj që libri i ardhshëm do të vijë shumë shpejt. Këtu ndoshta s’ju pëlqen çka kam shkruar, por në të dytin, do të mësohem”, ka thënë ajo me një buzëqeshje të lehtë, duke e pranuar me humor procesin e rritjes artistike.
Ka folur edhe për natyrën e poezisë.
“Mendoj që poezitë e mira, ose poezia që flet, komunikon me të tjerët, është ajo që së pari ty të buron si e vërtetë dhe e sinqertë prej brenda dhe pastaj është shumë e lehtë ta dish a është e mirë a jo”, ka thënë autorja, duke e kthyer procesin e shkrimit në një përvojë që kërkon po aq lexime sa edhe përpjekje krijuese.
Aurita Agushi ka recituar “Gjumi i vjedhun”, Fatmir Spahiu poezinë “Gjethe t’shkeluna”, ndërsa të tjerë kanë sjellë para publikut “Për Zotin”, “Kam kuptu”, “Baj be”, “Unë jam krejt ato” dhe “Patjetër”. Të gjitha ato kanë ruajtur një frymë të përbashkët, një qasje intime, personale dhe të zhveshur nga artificialja.
Në rolin e recensentes, Vlora Konushevci ka folur për dorëshkrimin dhe qasjen poetike të Tërbunjës.
Ajo ka vlerësuar sinqeritetin dhe qetësinë e poezisë së autores.
“Krijimtarinë e saj e kam përcjellë prej fillimit, letraren, edhe atë artistike në teatër, se Xheki e ka një të kaluar të bujshme, me një kontribut të madh. Kam pasur fatin ta kem në dorë dorëshkrimin, dhe çka më ka pëlqyer mbase më së shumti ka qenë guximi për t’u marrë me të përditshmen, por pa e dramatizuar, pa patetizëm, pa melodramë, me një gjuhë të thjeshtë ajo e fut lexuesin në atë përditshmërinë që është e shpenguar prej mërzisë, aty do të gjeni rutinat ditore, mëngjesin, kafen, shqetësimet, largësinë e dy njerëzve që mbase e ndajnë shtratin, por jo edhe të ardhmen, dashnitë e humbura, dashnitë e gjetura, ato me të cilat secili prej nesh përballet herët a vonë”, ka thënë ajo, duke e nënvizuar natyrën e vërtetë dhe të afërt të librit.
Poezitë e Tërbunjës, të lexuara me ritëm të thjeshtë dhe të sinqertë, kanë lënë përshtypjen e një bote të brendshme që është e qetë, e matur dhe e hapur për t’u ndarë me të tjerët. “Asgja s’ka ndryshu” duket si fillimi i një udhëtimi letrar që autorja ka kohë që e ka pritur, ndërsa publiku e ka mirëpritur me një vëmendje që e ka bërë këtë promovim të jetë më shumë se një prezantim libri, një takim i parë mes autores dhe lexuesve të saj të rinj.