Shtojca për Kulturë

Skënderbeu në rrugën e kthimit për në Arbëri dhe diplomatët e tij

skenderbeu

Skënderbeu (rreth vitit 1405 – 17 janar 1468) në një portret të vitit 1606

Në fillim të shkurtit të vitit 1462 pas largimit nga Dubrovniku, me t’u kthyer nga misioni ushtarak në Itali të Jugut, Skënderbeu kishte planifikuar që në rrugën e kthimit për në Arbëri të kalonte nga Lushtica, në Bokë të Kotorrit. Por, pas erërave të kundërta që nuk mu­ndësuan lundrimin, kishte qëndruar në Cavtat dhe sërish në Dubrovnik. Rrugëtimi dhe përcjellja e tij ishin planifikuar në detaje nga dubrovnikasit, që nga shpenzimet e deri te përcjellja deri në fund të territorit të tyre. Nga Boka e Kotorrit dhe hapësira e “Albanias vene­ciane” kishte diplomatë që u angazhuan për interesat e fisnikërisë shqiptare, sidomos Skënderbeut, por ndodhte edhe e kundërta

Priftërinj nga Boka e Kotorrit, diplomacia skënderbejane dhe shërbime diplomatike të tjera kotorrase-arbërore

 Argjipeshkvi i Tivarit, Andreu, që ishte në krye të kësaj qendre më të rëndësishme katolike përreth, gjatë viteve 1448-1460, u angazhua nga Skënderbeu për disa shër­bime diplomatike.

Ai ishte me origjinë nga Mula në Bokë të Kotorrit. Ishte françeskan dhe teolog në Zarë para se të merrte postin me rëndësi si argjipeshkëv.

Në viti 1450, Skënderbeu e kishte lutur atë që të ndërmerrte një vizitë në Vatikan te papa për të kërkuar ndih­më urgjente kundër depërtimeve otomane që kanose­shin seriozisht në këtë pjesë të Ballkanit.

Argjipeshkvi Andrea nuk jetoi gjatë pas dorëzimit të postit si argjipeshkëv, vdiq dy vjet më vonë, më 1462.

Skënderbeu përndryshe, në fillim të shkurtit të vitit 1462 pas largimit nga Dubrovniku, me t’u kthyer nga misioni ushtarak në Itali të Jugut, kishte planifikuar që në rrugën e kthimit për në Arbëri të kalonte nga Lushtica, në Bokë të Kotorrit. Por, pas erërave të kundërta që nuk mu­ndësuan lundrimin, kishte qëndruar në Cavtat dhe sërish në Dubrovnik. Rrugëtimi dhe përcjellja e tij ishin planifikuar në detaje nga dubrovnikasit, që nga shpenzimet e deri te përcjellja deri në fund të territorit të tyre. Nuk dihet nëse ai kaloi nga Lushtica.

Por, në Dubrovnik ka qëndruar diplomati i Skën­derbeut, Pal Gazulli në mars të vitit 1461.

Gjergj Pelini është prift dhe diplomat që ka tërhequr vëmendjen e historianëve dhe rrjedhimisht për të është shkruar shumë, marrë parasysh aktivitetin e tij kompleks. Por këtu do t’i referohemi vetëm në kuadër të temës që ka të bëjë me Kotorrin e shqiptarët.

Pelini, ndonëse i vendosur në manastirin benediktan të Shën Mërisë në Rotecco (Ratac), pra fare afër Tivarit në Sutomore, më shumë u mbajt me Kotorr sesa me vetë Tivarin. Kjo, siç e cek edhe Blehova-Čelebići dhe të tjerët, për tri arsyeje: Pelini mbahej si pretendent real për të marrë Argjipeshkvinë e Tivarit, për çka suportohej nga venedika­sit, por ishte pranuar me shumë xhelozi nga vendorët në Tivar dhe fisi i Mërkojeviqëve në afërsi, apo nga Stefan Vukçiq Kosaqa që e kërkonte kokën e tij; mëria ndaj tij ishte edhe rezultat i  arsimimit dhe përgatitjes supe­riore të tij që e bënin të dallohej nga të tjerët; Pelini, po ashtu, duke fituar titullin protonotor papal kishte komu­nikime direkte me Dubrovnikun, Venedikun dhe Vatikanin, duke ana­shka­luar kështu çfarëdo hierarkie lokale.

Pelini arriti të bënte karrierë të shquar diplomatike. Së pari si diplomat në shërbim të Vuk Brankovićit dhe pastaj luajti rol në nënshkrimin e marrëveshjes venedikase-serbe në Vuçitërn pas Luftës së Dytë të Shkodrës. Më vonë u shqua si diplomat në funksion të Skënderbeut karshi Ve­nedikut e papatit, por kreu shërbime ndërmjetëse edhe për Venedikun karshi Skënderbeut, që nga negocimi për Krujën. Po ashtu, ishte ndërmjetës edhe në konfliktin në mes të Skënderbeut e Lekë Dukagjinit dhe venedikasve. Për gjitha këto ishte shpërblyer majmë me të holla nga Skënderbeu, venedikasit e të tjerë. Pelini kishte ndërmjetësuar edhe në mes të Skënderbeut e papës Kaliksit dhe kishte qe­në në funksion të përbashkët diplomatik me Gjin Gazullin. Ai njihej edhe si përpilues i shkresave diplomatike të Skënderbeut.

Skënderbeu ka kërkuar, përmes Gjergj Pelinit, nga venedikasit, më 1457, që të kalonte kah Zeta pas invadimit turk në këtë vit, por venedikasit kishin pasur frikë që ta lejonin një gjë të tillë.

Dallimet nganjëherë në mes të klerit të Tivarit e Kotorrit dhe lojaliteteve politike e ndërhyrjeve diplomatike ishin radikalisht të dallueshme. Aktiviteti i klerikut dhe diplomatit Pelini dhe mospajtimit të tij me argjipeshkvin e Tivarit –  janë mjaft ilustrativë. Pelini e argjipeshkvi me origjinë arbërore Pjëtër Spani mbanin anë të kundërta në përpjekjet për t`i ruajtur privilegjet dhe kompetencat karshi katolikëve në brendësi të Ballkanit e Serbisë. Kjo i solli ata në krahë të kundërt politikë.

Kështu, Pelini kishte bërë edhe një raport të besue­shëm për venedikasit rreth argjipeshkopit tivaras Pjetër Spani, i cili, sipas tij, “muajve në vijim” kishte vizituar Ze­tën e Epërme së bashku me vojvodën e despotit serb, që të koordinohej për një konspiracion dhe aktivitet anti-Vene­dik. Kjo bëri që pas intervenimit venecian papa ta lar­gonte argjipeshkvin tivaras nga shërbimi fetar dhe ai u detyrua që të rreshtohej haptazi në anën serbe.

Kjo i krijoi besueshmëri Pelinit që më pas kërkoi lobimin venecian që të bëhej administrator i Tivarit dhe të kishte privilegje për familjen e tij. Ndër ta ishin edhe nipat e Pelinit, arbrit Jona dhe Jeronim Sgura, e ky i fundit me urdhër të Senatit venecian përfitoi nga kjo çështje, duke marrë edhe një bursë për shkollim.

Në fakt, këto përpjekje të Pelinit e armiqësuan atë me argjipeshkvin Spani nga Tivari e deri tek Andreu II, argji­peshkëv që duke pasur marrëdhënie të mira me venecianët kishte bllokuar Pelinin. Pelini kishte qëndruar me ëndje në Kotorr dhe aty paraqitet në një sërë doku­mentesh e funksionesh nga më të ndryshmet.

Përveç Gjergj Pelinit, një diplomat tjetër kaq dome­thënës i Skënderbeut ishte vetëm Gin Gazulli, një arbër i vendosur në Dubrovnik, që ishte humanist, astronom e diplomat në zë.

Bisedimet në Smederevë me despotin serb

Nga Boka e Kotorrit dhe hapësira e “Albanias vene­ciane” kishte, pra, diplomatë që u angazhuan për interesat e fisnikërisë shqiptare, sidomos Skënderbeut, por ndodhte edhe e kundërta.

Është interesante të shihen edhe bisedimet në Sme­derevë në iniciativën diplomatike të negociatave të Vene­dikut me despotin serb Đurađ.

Delegacionin venedikas e ka udhëhequr fisnikun Nikolla Memo që, pasi kishte marrë instruksionet më 28 maj 1435, ishte nisur për në Shkodër e pastaj ta vazhdonte tutje rrugën për në Smederevë. Me vete kishte marrë edhe Gas­par Jovanin nga Venediku dhe noterin, qytetarin venedikas, Johan de Regvardtis, ndonëse despoti e kishte kancelarinë e vet latine.

Por, nga Shkodra kryenegociatori venedikas mori pjesën tjetër të delegacionit: njohësin më të mirë të situatës në Serbi dhe rajon, tregtarin Luka Pautinov nga Kotorri dhe dy shkodranët –  Nikollë Spanin dhe Pjetër Malonshin. Me­mo, të cilit nga Shkodra iu deshën dhjetë ditë rrugë karvani, me siguri ishte evropiani i parë që pa selinë e re të despotin serb në Smederevë in sala magna audentie, në gjysmën e parë të gushtit 1435.

Në anën e despotit ishin çelniku Radiċ, protovestijar Nikola Rodop, kalorësi Radić Bogdašić, këshilltari Bogdan Zlokunić dhe kancelari Nikola de Arhilupis. Dokumentin final e përpiluan kancelari i despotit dhe noteri kotorras.

Në një marrëveshje pesëpikëshe, ndër çështjet krye­sore ishin tributi anual prej 1000 dukatësh që i duhej kthyer e paguar despotit serb, pastaj tregtimi me kripë, qasja në tregje të caktuara, mospengesat për karvanë që udhëtonin nga Shkodra në Kotorr, kthimi i tokave që Venedikut ia kishte marrë Djuraševići në Zetë, si dhe t’i mundësohej peshkopit të Kotorrit që ta rikthente kontrollin mbi katolikët në Serbi e brendësi të Ballkanit mbi atë të argjipeshkvit të Tivarit. Pra, në delegacionin e zgjedhur diplomatik venecian ishin edhe dy shkodranë arbërorë: Nikollë Spani dhe Pjetër Malonshi.

Kotorri, shqiptarët dhe diplomacia kishtare e unijatizmi 

Situata fetare në Zetë dhe në pjesën bregdetare ka qenë specifike në mesjetë. Në një hapësirë të ngushtë kanë jetuar të koncentruar në bregdet ata që e konsideronin veten romanë, me një traditë të lashtë me ndërlidhje katolike me përtejdetin italik, në brendësi sllavët ortodoksë, por jo larg edhe shqiptarët katolikë.

Zeta dhe Shqipëria veriore kishin më shumë pesh­kopata katolike romane se e tërë pjesa tjetër e Ballka­nit, siç e potencoi edhe Momčilo Spremići, gjegjësisht Kotorri, Budva, Ulqini, Shkodra, Danji, Lezha, Drishti, por edhe vendet më të vogla, si: Balqi, Shasi, Sarda, Shati, Sapi. Ndër­sa, mbi to ishte me traditë të argjipeshkvisë së hershme –  Tivari.

Në anën tjetër, peshkopi ortodoks i Zetës ishte i ven­dosur herë në Shën Miholin e Perevllakës, herë në Krajë dhe kishte juridiksione edhe mbi manastiret ortodokse në liqenin e Shkodrës.

Me ardhjen e venedikasve në këto troje, që arsyetohej edhe si veprim “për të mbrojtur të krishterët e atjeshëm”, si dhe me zgjerimin e tyre në terren, raportet e tyre me Bal­shajt bënë dhe përkufizimin territorial që solli edhe ripër­caktimin e kompetencave katolike e ortodokse në hapësirat përkatëse të njëri-tjetrit.

Në një atmosferë të tillë kishte edhe përpjekje unijate për përafrim kishash apo futje nën ombrellën e Vatikanit. Me t’u kthyer nga Sinodi i Bazelit, peshkopi kotorras Marin Kontarini filloi së zbatuari idetë për unijatizëm, që pjesë­risht patën sukses në “Shën Mërinë e Papërlyer” në Krajë. Kështu, aty u vendosën edhe prelatët arbërorë dhe ata grekë unijatë. Nga viti 1454 këtë post e mbante arbërori Pal Du­shmani, klerik me shumë përvojë, që dikur kishte qenë parokier në Trevizo të Italisë dhe peshkop në Shas e Drisht. Ai, në fakt, përveç se argjipeshkëv në Krajë, mba­nte edhe titullin prestigjioz si nunc papal për Serbi e Shqi­përi.

Përvoja e tij e gjatë në rajon, njohja e gjuhëve dhe rrethanave lokale e bënë të përshtatshëm për misionin që kishte marrë. Duke mbajtur nën pozicionim joshës diplo­matik ai kishte arritur që të përfitonte edhe ortodoksët. Por, retorika e tij taktike se kisha greke është e ajo vërteta dhe nganjëherë i duhej siguruar asaj primat mbi të Romës, i solli telashe. Këto veprime të tij, i sollën akuzat në Romë për sjellje arbitrare. Ankesat ndaj tij arriti t’i bënte argjipeshkvi konkurrent nga Tivari, pasi atij i ishte hequr kompetenca mbi Drishtin e Krajën. Sido që të jetë, ndaj Pal Dushmanit filloi hetimi më 1457, por ai mbeti pa epilog, sepse atë vit ai ndërroi jetë. Ai u zëvendësua nga Joani i Kretës, një unijat grek që lojalisht mbronte pozicionet katolike dhe prestigjin venedikas. 

Kotorri luante rol interesant mbështetjeje për misionet katolike në Shqipëri gjatë veprimtarisë së Kongregatës së Fesë. Kotorri ishte mbështetja logjistike e financiare edhe për misionin unijat në Himarë, në bregdetin shqiptar.

Me misionet unjiate në Shqipëri, në Himarë, janë ma­rrë të besuarit e Venedikut, Ankonës, por edhe peshkopi i Leçes. Për këto misione është paraparë mbështetje logji­stike për misionarët, përcjellja e tyre, e vizitorëve, pagesa etj.

Në fakt pagesat dhe rimbursimet kanë kaluar përmes prokuratorit të Kongregatës për zgjerim Feje për misionarët ballkanikë, sikurse Giovanni Domenico Verusio, i cili vërtetimet për këto shërbime –  përmes venedikasve, Anko­nës e Dubrovnikut – i përcillte mu në Kotorr. Në bazë të kësaj, të besuarit për këtë veprimtari në Kotorr, duke u bazuar në vërtetime me shkrim, e realizonin shpagesën në vend për misionarët nga fondi monetar i deponuar aty më herët nga Kongregata. Ishte ky një rrjet i përpunuar lo­gjistiko-financiar i misioneve gjatë Kundërreformacionit për misione ballkanike, që kalonte edhe kah Kotorri, si hall­ka e fundit e zinxhirit drejt misioneve katolike.

Kështu, Vicko Bolica ndaj Kongregacionit për zgje­rim feje i kishte kryer shërbimet e pagesave për françes­kanët shqiptarë më 1650, përshirë dhe vitet 1658-1672.

Nga këto shënime interesante shihet se shumica e mbështetjes shkonte për furnizime të misionarëve, por edhe lirimin e pengjeve apo të të arrestuarve, kompensimet për rojat e armatosura dhe përcjellësit e shoqëruesit nëpër rrugë e shtigje, transportin në kalime ujore, furnizimin me rroba otomane për misionarët dhe logjistika të ngjashme –  që flasin shumë për mënyrën se si realizoheshin e mbaheshin këto misione.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Titulli është i Redaksisë