Fokusimi ynë i komunikimit të shqiptarëve me Kotorrin dhe gjirin e tij, është kryesisht i kontekstit mesjetar. Pra, nuk ka të bëjë me antikën ku Boka e Kotorrit luajti një rol esencial për fatin e kuptimin e Ilirisë. Në këtë aspekt, komunikimi i shqiptarëve me Kotorrin mesjetar kontekstualizohet në disa kapituj kohorë brenda sistemeve të caktuara historike. Shqiptarët me Bokën e Kotorrit ishin të lidhur historikisht në dimensione të ndryshme – që nga priftërinjtë, detarët, ushtarët profesionistë – stradiotët, diplomatët, ndërmarrësit dhe zejtarët, tregtarët, barinjtë, shërbëtorët e të tjerë. Por nuk bëjnë përjashtim as edhe patricët e fisnikëria
Që nga antika, Gryka e Kotorrit, e njohur edhe si e Rizonit, në bazë të qytetit ilir të Teutës, pastaj atij romak, ka qenë e rëndësisë primare, falë edhe gjeografisë specifike – fjordit më të madh në këtë pjesë të basenit të Adriatikut.
Kështu ka ndodhur edhe në mesjetë kur Kotorri merr primatin e një vazhdimësie antike edhe pas dyndjes së popujve, përmes Bizantit në mesjetë të hershme, e pastaj, që nga sundimi i shkurtër i Mihajlit të Zetës, Ludovikut, mbretit hungarezo-kroat, apo sundimet më të gjata të Nemenajiqëve e sidomos Venedikut, ka bartur këtë rëndësi edhe më përtej, në kohën më të re.
Në fakt, Kotorri një kohë të gjatë ruajti autonominë e tij të brendshme dhe nominalisht pranonte suverenitete të jashtme të fuqive të kohës.
Pas Rizonit në antikë, Kotorri praktikisht mori primatin si qendra më e rëndësishme urbane e zonës. Njëherë si Acruvium antik, që si pasojë e mosmbrojtjes adekuate në kohën e dyndjeve barbare, u bart në Catharum, i cili si Decadaron përmendet për herë të parë në shek. VII nga Anonimi i Ravenës. Komuniteti i organizuar në kashtellin bizantin në pozicionin dominues bregor mbi detin, më vonë u zgjerua në Kotorrin mesjetar duke krijuar fortifikimin impozant nga Venediku, që shihet edhe sot.
Kotorri, apo thënë më qartë Boka e Kotorrit, ishte aty pranë zinxhirit të qyteteve antike e mesjetare në rripin e ngushtë të Adriatikut që u imponua me një kontinuitet civi¬lizimesh që lidhën dy anët e Adriatikut. Në këtë kontekst, Kotorri kishte fatin gjeografik që të ishte afër Dubrovnikut që dikur fitoi peshë e rëndësi të veçantë duke qenë vetë republikë detare – dhe kjo shpeshherë do të nënkuptonte edhe një rivalitet historik e konkurrues tregtar.
Kështu, Kotorri, ndër të tjera, pati komunikim edhe të paevitueshëm me shqiptarët, që nuk ishin larg tij.
Fokusimi ynë i komunikimit të shqiptarëve me Koto¬rrin dhe gjirin e tij, është kryesisht i kontekstit mesjetar. Pra, nuk ka të bëjë me antikën ku Boka e Kotorrit luajti një rol esencial për fatin e kuptimin e Ilirisë.
Prej komunikimit deri te katedralja që simbolizon qytetin prej vitit 1166
Në këtë aspekt, komunikimi i shqiptarëve me Koto¬rrin mesjetar kontekstualizohet në disa kapituj kohorë brenda sistemeve të caktuara historike.
I pari është i ndërlidhur me prezencën e hershme të benediktinëve në Zetë e Shqipëri të Veriut, një rol i rëndësishëm në forcimin e përhapjen e krishterimit në këto hapësira që nga shek. IX-XII.
Një episod me interes i këtij komunikimi të shqiptarëve me Kotorrin ndërlidhet me promovimin e katedrales ikonike që simbolizon qytetin që nga viti 1166 dhe me rolin e klerit katolik shqiptar.
Pastaj është periudha e Nemanjiqëve kur prezenca e shqiptarëve aty ndërlidhet specifikisht edhe me atë të vllehve në rrethinat e Bokës së Kotorrit, por edhe Dubrovnikut.
Konteksti tjetër është ai i periudhës së qeverisjes së Venedikut në këtë hapësirë dhe në hapësirë më të gjerë mediterane, ku vetë emërtimi Dalmatia et Venetia nënkupton një hapësirë gjeopolitike të konceptuar si Albania Veneta, pra Albania Veneciane.
Një tjetër është ai i rolit që ka Kotorri si juridiksion i hershëm i kishave katolike në Kosovë dhe brendësi të Ballkanit.
Kurse edhe një aspekt lidhet me rolin e personaliteteve nga Boka e Kotorrit në historinë dhe kulturën shqiptare, përfshirë këtu edhe diasporat.
Kapitull i veçantë është edhe Kotorri dhe shqiptarët pas rënies së Ulqinit dhe Tivarit në duart osmane, piratëria ulqinake e Bokës së Kotorrit, si dhe refleksionet detare-tregtare të një konstelacioni të ri gjeopolitik historik të kohës.
Shqiptarët me Bokën e Kotorrit ishin të lidhur historikisht në dimensione të ndryshme – që nga priftërinjtë, detarët, ushtarët profesionistë – stradiotët, diplomatët, ndërmarrësit dhe zejtarët, tregtarët, barinjtë, shërbëtorët e të tjerë. Por nuk bëjnë përjashtim as edhe patricët e fisnikëria.
Shqipëria si treg esencial për Bokën e Kotorrit
Më shumë se kaq, kjo ndërlidhje është shumë e shprehur në tregti. Shqipëria përbënte një hapësirë e treg esencial për Bokën e Kotorrit, që kapte lëndët e para si drurin e lëkurët, por sidomos ushqimin, e posaçërisht drithërat, produktet nga to, si dhe kripën. Kjo traditë e komunikimit intensiv tregtar solli edhe kooperime, kreditime e bashkinvestime të arbërorëve me kotorrasit, që nga lundrimi e anijendërtimi, deri tek investimi i përbashkët në transportimin, blerjen, eksportin e importin e mallrave. Limanet shqiptare, që nga ato tradicionale e deri te grykëderdhjet e lumenjve në det, ishin me shekuj të paanshkaluara nga tregtarët kotorras, që nga Shën Shirgji në Bunë, Shkodra, Lezha, Shufadaja, Durrësi, Vlora, Pirgu, Vregu, San Cas-taldo e të tjera.
Një dimension tjetër, është ai politik. Kotorri ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike te shqiptarët e të tjerët përreth dhe anasjelltas. Roli i shqiptarëve reflektohet edhe në episodin konkret në një moment kritik, kur paria e Kotorrit, pas hezitimit të Venedikut, që ta marrë këtë qytet në sistemin dhe mbrojtjen e tij – kërcënon se ata do t’ua japin qytetin shqiptarëve, serbëve, ose turqve (Aut Albanensibus, aut Scalvuis, aut Turcis).

Kjo dinamikë është shumë prezente në kohëra të ndryshme: nga Bizanti, kur edhe koncipohen nocionet politiko-territoriale rajonale si arhigu i të gjithë Dioklesë, Kroacisë, Arbanias e Splitit, që më vonë do të prodhojë edhe Albanian Venciane si përpjekje e Serenismas për të trashëguar legjitimitiin romak-biznatin në Adriatikun Lindor.
Këto ndërvarësi, para dhe pas vendosjes veneciane në Kotorr janë të lidhura me qeverisjen më të gjatë nemanjiqase apo më të shkurtër të despotatit serb, pretendentëve hercegovas e boshnjakë që nga Sandalj Hranić e Kotromanić, Dubrovnikut, por sidomos të sunduesve lokalë e rajonalë të Zetës, që nga Balshajt e lidhjet e tyre me Topiajt, krushqitë politike me feudalë shqiptarë si Zakariajt, e deri sa këto hapësira të jenë vijë ndarëse e dy mega-akterëve gjeopolitikë të historisë-Republikës së Shën Markut e Portës Osmane.
Një fazë tjetër interesante e këtyre zhvillimeve politike që kapin Kotorrin e të tjerët përreth, është edhe periudha e Cërnojeviqëve dhe vazhdimit të traditës së ndërlidhjeve të tyre me krushqi politike me feudalë shqiptarë si Kastriotët e Arianitët.
Kotorri si qendër e kundërzbulimit venecian dhe lidhja kulturore
Kotorri venecian, pas konsolidimit përfundimtar e shumëshekullor osman në Ballkan, luajti rolin kryesor logjistik për veprimtarinë misionare katolike në hapësirat shqipfolëse gjatë Kundërreformacionit. Por, Kotorri ishte edhe qendër e kundërzbulimit venecian në përpjekjet parandaluese, nganjëherë aventureske, të mbretërve spanjollë ndaj synimeve për kryqëzata antiosmane, që për logjistikë kishte mu këto hapësira ku jetonin shqiptarët, malazezët, hercegovasit e të tjerët, si element i gatshëm kryengritës, malësor e luftarak.
Në këtë dritë, kapitull i veçantë është ndërlidhja kulturore në mes të Bokës së Kotorrit dhe shqiptarëve, që ndërton një traditë që nga Martin Segoni, Bolicat, Zmajeviqët dhe shumë të tjerë. Zmajeviqët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kulturore të shqiptarëve me organizimin e Kuvendit të Arbrit më 1703, si dhe themelimin e kolonisë arbneshe në Zarë të Dalmacisë.
Me origjinë shqiptare ose nga Shqipëria që bënë karrierë në Kotorr ose përmes Kotorrit janë edhe mjeshtri i artit argjendaresk Andrija Izat, mjeku Spani, Zagurët, e deri te shkrimtarja Ida Verona.
Një ndërlidhje e këtillë e bokelëve me arbër, malazezë, dalmatinas e të tjerë ka mbijetuar edhe në diasporën e tyre në Venedik, me shumë shembuj të komunikimit njerëzor, por edhe asi politik e farefisnor si ai i dinastit malazez Đurađ (Zorzi) Cërnjević e dajës së tij Konstain Arianti, që shpeshherë e ka protezhuar në gadishullin italik.
Aspekti ushtarak dhe episodi me piratët ulqinakë
S’do mend, në këto relacione të gjata të Bokës së Kotorrit e të shqiptarëve, është edhe aspekti ushtarak. Stradiotët, me shumicë shqiptarë ishin pjesë e kësaj storje, por edhe komandantë e vojvoda si Mazrreku në luftën e Shkodrës, apo Fran Dukagjini që la jetën duke komanduar përpjekjen veneciane për lirimin e Hercegnovit nga osmanët në 1572 apo sejmenët shqiptarë, që më vonë ishin mbrojtësit kryesorë të Hercegnovit osman kundër aleancës krishtere gjatë Luftës së Moresë më 1687.
Episod i ndërlidhur këtu janë edhe përleshjet e piratëve ulqinakë e atyre nga Perasti, që lanë nam e histori.
Po ashtu, një jetë e ndërthurur e shqiptarëve, bokelëve, dalmatëve, malazezëve e të tjerëve u vazhdua në një formë interesante shkëmbimesh e solidaritetesh në diasporë, pas largimit në Venedik.
Kotorri dhe arbrit në mes gjeografisë e gjeopolitikës
Kontaktet e Kotorrit me shqiptarët janë shumë të gjata e të shtrira në kohë e hapësirë.
Kur thuhet kohë – ajo kap një periudhë të gjatë, që përkufizohet edhe në studimin tonë, pra, që i bie që nga përurimi i katedrales ikonike të Kotorrit më 1166 e deri te fund i Kotorrit venecian (1797).
Kjo ngaqë që nga ngjarja qendrore e promovimit të katedrales së Shën Tripunit, ku arbërorët përmenden specifikisht për herë të parë në rolin pothuajse qendror të manifestimit më se simbolik – e kap tutje tërë mesjetën me shumë zhvillime historike, por, që shkon edhe përtej saj – bazuar nga logjika e Albanias Venicane që edhe pas 1571 (kur bien Ulqini e Tivari), shihet fundamentalisht e lidhur me Kotorrin venecian apo me Albania Venetan, deri në fundin historik të Serrenismas (1797). Një përkufizim i tillë, që nuk ndjek taksativisht e kronologjikisht ngjarjet, por i kap ato në tema të shtruara e ese historike – besojmë e ka logjikën e vet që shkon përtej një periodizimi klasik, sepse ka përfillur më tepër logjikën e zhvillimeve dhe ngjarjeve reale e me rëndësi në relacionet e pasura të Bokës së Kotorrit me shqiptarët.
Tekefundit, një përkufizim i tillë është me rëndësi edhe për vetë Kotorrin dhe Venedikun si binom i pashma¬ngshëm i kësaj historie Por, po ashtu lidhet me vetë emërtimin ambicioz jo të paqëllimshëm historik të Albanias Venciane apo të Dalmatia at Albania, që jetoi sa edhe vetë Republika e Venedikut. Në fakt, përse mu Albania Venetia – është pjesë me rëndësi e trajtimit tonë në libër? Nga këtu besojmë se arsyetohet përkufizimi kohor e tematik i këtij libri.
Kur flitet për hapësirë e gjeografi kontaktesh – edhe kjo është po ashtu intensive si komunikim historik i e shtri¬rë mjaft territorialisht. Kontaktet e Kotorrit me shqiptarët janë të një gjeografie të shtrirë e shumë përfshirëse që nga bregdeti e në hinterland.
Komunikimi pra, ishte që nga kontakti direkt mu pranë Kotorrit, me shqiptarë që kërkonin fatin në afërsi të domeneve kotorrase, ku edhe Albanenses gjejnë vend në Statutit e qytetit. Arbërorët përmenden në distriktin jashtë mureve të Kotorrit, në Lushtica e vende të tjera, apo duke shërbyer si punëtorë, shërbëtorë në qytet, tregtarë, por edhe mjekë e tregtarë që kishin bashkinvestime me kotorrasit sikurse durrsaku Merkur Zguri.
Me rrugë tokësore Kotorri ka pasur komunikime, sidomos ato që shpinin kah liqeni i Shkodrës e tutje edhe në Kosovë e brendësi të Ballkanit. Kotorri ishte liman i privilegjuar gjatë Nemanjiqëve dhe tregtia me brendësinë e Ballkanit, sidomos me Kosovën, ishte e gjallë dhe kishte të bënte sidomos me xehet.
Kisha katolike në Novobërdë, drithërat dhe kripa e Vlorës
Kisha katolike në Novobërdë ka qenë në juridiksionin administrativ të Kotorrit. Ishin shumë priftërinj shqiptarë që shërbenin në Kotorr ose në Kosovë, e që ishin të ndërlidhur, sidomos vikari Tanush gjatë kohës kur Kotorri ishte nën Venedik. Për Kotorrin qasja e lehtë në xehe në Kosovë gjatë mesjetës ishte me rëndësi, andaj komunikimi ishte i gjallë dhe i shpeshtë.
Përveç rrugëve tokësore, ato detare bënë që Kotorri të ketë kontakte me pothuajse gjithë bregdetin e Shqipërisë dhe me limanet detare dhe ato të deltave lumore që lidheshin me Adriatikun e Jonin. Kjo rridhte nga lidhja ekonomike e Bokës së Kotorrit, por edhe e Zetës dhe bregdetit të saj, madje kjo lidhje ishte tradicionale me hapësirat shqiptare dhe mjaft e natyrshme, sidomos me Shqipërinë e Veriut, e që erdhi e u zgjerua edhe me hapësira të tjera ku jetonin shqiptarët, sidomos me Durrës e Vlorë, Shkodrën dhe liqenin e saj e me lumin Buna që lidhte edhe limanet e saj me rëndësi si Shën Shirgji; tutje Lezha apo Shëngjini (Medua), Shufadaja e Zakarijave apo e Kastriotëve; por edhe me një varg limanesh lumore në pikëtakimet me det – që nga Buna shumë aktive deri në Dri, Ishëm, e skelave lumore që puqeshin me detin në mes të Shkumbinit e Devollit, Vurg, Pirg, kah Sallanca e Karavstaja, e deri poshtë në Santo Cataldo etj.
Sjellja e parë e shënuar e drithërave shqiptarë në Kotorr daton në vitin 1335, kur një kotorrasit iu lejua një kredi nga dy bashkëqytetarë. Që atëherë e deri në shek. XV kishte komunikim intensiv detar në mes të Kotorrit e limaneve shqiptare. Por, ky itinerar naval ishte edhe më kompleks: kishte raste kur kotorrasit pajtoheshin për tregti e transport në mes të limaneve në Arbëri dhe Dalmaci (Zarë, Shibenik dhe Trogir e Split), por ato përfshinin dhe destinacione të treta, sikurse në janar 1438 kur kapiten i barkusijës Drago Lukin Drago ngarkonte drithë në Durrës dhe pastaj e shpinte në Zarë, ku qëndronte një ditë dhe pastaj vazhdonte rrugën për në Venedik. Ngjashëm dy persona nga Crnilat (Tivat) zotoheshin se do t’i transportonin një kotorrasi drithë nga Buna.
Shkodrani Kaçapoli huazoi anijen – barkusijën – nga Kotorri për të transportuar plumb dhe drithë për në Venedik duke lundruar dhe qëndruar në Cres e Osor.
Më 1439, përveç se në Bunë e Pirg, u zgjeruan vijat tregtare edhe në drejtim të jugut, në mes të Kotorrit dhe Vlorës.
Por, Vlora njihej edhe për një produkt që e dëshironin kotorrasit – kripën. Gjatë fundit të shek. XIV Kotorri gjithnjë e më shumë mbështetet në kriporet e Vlorës për furnizim.
Raste si ky më poshtë ka shumë: një barkusijë e Radoslav Cenzic ishte marrë nga Alergret Medoje në Bunë, Lezhë, Durrës, Pirg, dhe Vlorë për të siguruar grurë, drithëra dhe mallra të tjera në vende të ndryshme për çka duhej shpenzuar 15 ditë dhe për çdo thes drithë pasonte pagesa prej 3 groshëve prej Durrësit në Kotorr apo 3,5 groshë në relacionin Vlorë-Pirg.
Në vjeshtën e vitit 1440 furnizimi për Kotorr dhe Venedik kryesisht bëhej nga Shën Shirgji në Bunë.
Perasti dhe marrëdhëniet e fuqishme me Durrësin
Por, nuk kishte vetëm Kotorri raporte intensive me limanet shqiptare. Perasti ndërtoi relacione të konsoliduara tregtare me limanet shqiptare saqë në moment krijoi edhe një epërsi ndaj të tjerëve në Bokë të Kotorrit e më gjerë. Ata ndërtuan marrëdhënie të fuqishme sidomos me Durrësin.
Krahas Perastit, në Durrës operonin mjaft edhe detarët tregtarë të tjerë bokelë, sikurse ata nga Dobrota dhe Prqanji.
Por, Perasti kishte një konkurrent që e godiste fuqishëm – flotën ulqinake e piratërinë, që u forcua në këtë pjesë të detit. Ndër të tjera, duhani u bë artikull i shpeshtë i transportit, krahas artikujve të tjerë të kërkuar nga Durrësi në distanca të ndryshme. Ndonëse konkurrenca ulqinake, por edhe e shkodranëve ishte e fortë, prapëseprapë, bokelët ruajtën disi prestigjin në transportin e duhanit nga Durrësi për në Venedik gjatë kohës kur osmanët po kontrollonin shumicën e tokave shqiptare dhe të Ballkanit.
Gjeografia e kontakteve Kotorr - hapësira shqiptare u bë edhe më e gjerë në brendësi gjatë shek. XVII kur vizitorë papalë e kleri i lartë katolik përgjegjës për hapësirat shqipfolëse po mbanin fijet e shkëputura me bashkësitë katolike shqiptare në Shqipërinë Veriore e të Mesme dhe në Kosovë. Por, me raste, ky komunikim prekte edhe Himarën në përpjekjet e dikurshme unijate. Në fakt, ky mision katolik, kjo rrugë që lidhte gadishullin italik me hapësirat shqipfolëse, detyrimisht kalonte nga Kotorri, sepse ky qytet bregdetar ishte hallka e fundit e zinxhirit logjistik ku mbylleshin pagesat për këto misione. Kotorrasit Bolica, që bënë dinastinë e tyre të njohur postare, instrumentale për të mbajtur komunikimin venecian në brendësinë ballkanike deri në Stamboll, mbështeteshin në lidhjet e tyre të krijuara me interlokutorë nga brendësia që ishin bartës të mesazheve, kurirë e postierë, por njëkohësisht dhe njohës të shkëlqyer të terrenit e rrugëve malore të kontinentit. Njëjtë, Zmajeviqët e Perastit, që patën shumë lidhje me brendësinë shqipfolëse në rolin e argjipeshkëve të Tivarit, ishin shumë të familjarizuar me rrugët e brendësisë ballkanike ku jetonin shqiptarët. Perasti ishte dhe një lloj stacioni para nisjes në këto rrugë.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Mestitujt janë të Redaksisë