Sportistet më të mira në vend do të përkrahen gjatë vitit 2026 dyfish më shumë se gjatë vitit 2025.
Vendimi u mor të premten nga Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani. Ai ka rritur vlerën e pikës së kategorizimit të sportisteve dhe trajnereve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVjet vlera e pikës ishte 200 euro, ndërsa sivjet është rritur në plot 400 euro.
Po të premten ministria ka publikuar listën përfundimtare të sportistëve të kategorizuar. Të kategorizuar janë 100 sportistë gjithsej. Prej tyre 42 janë sportiste. Dhe ato do të përfitojnë dyfish më shumë se vitin e kaluar.
Sportistja bindshëm më e kategorizuar në vend është kampionia dhe nënkampionia olimpike, Distria Krasniqi. Ajo i ka 90 pikë në kategorizim. Numri i pikëve të kategorizimit shumëzohet me vlerën e pikës, që do të thotë se Distria gjatë vitit 2026 do të mbështetet nga shteti në emër të kategorizimit me 36 mijë euro. Të hyrat mujore të legjendës së xhudos nga kategorizimi do të jenë 3000 euro.
32 mijë euro në vit do të mbështetet Laura Fazliu. Fituesja e medaljes së bronztë olimpike ka 80 pikë në kategorizim. Ajo do të ketë mbështetje mujore prej 2666 euro.
Boksierja Donjeta Sadiku ka 60 pikë në kategorizim, që do të thotë se gjatë vitit 2026 do të ketë të hyra prej 24 mijë eurove, përkatësisht prej 2000 euro në muaj.
Sportistet tjera të kategorizuara kanë dukshëm më pak pikë. Në xhudo, Nora Gjakova e Loriana Kuka i kanë nga 40 pikë, kurse të tjerat 30 e më pak.
Diellza Sejdijaj është më e kategorizuara prej sportisteve në karate me 21 pikë. Ajo do të marr gjatë vitit 8400 euro, përkatësisht 700 euro në muaj.
Në aeronautikë, Lisjeta Thaqi i ka 42 pikë, që do të thotë se do të ketë të hyra vjetore prej 16 mijë e 800 euro.
Në sportet tjera, duke përfshirë ato ekipore, sportistet kanë kryesisht 10 e më pak pikë.
Rritja vlen edhe për trajneret. Të kategorizuara janë gjashtë trajnere: Majlinda Kelmendi (xhudo), Rona Gashi (taekwondo), Marjola Sallauka (boks), Florentina Thaqi (badminton), Lirije Balidemaj (kajakim), Doruntinë Ibrahimi (gjimnastikë). Madje Rona Gashi është e kategorizuar edhe si sportiste e edhe si trajnere.
Më së shumti pikë kategorizimi ka trajnerja e Donjeta Sadikut, Marjola Sallauka. Falë 30 pikëve, ajo do të mbështetet nga kategorizimi me 12 mijë euro gjashtë vitit 2026, përkatësisht me 1000 euro në muaj.
“Kemi dyfishuar mbështetjen për sportistet dhe trajneret. Ky është hap i rëndësishëm për fuqizimin e grave në sport dhe për krijimin e më shumë mundësive për zhvillim dhe përkushtim në arenën sportive. Sportistet tona kanë sjellë sukseset më të mëdha ndërkombëtare për Kosovën dhe kanë ngritur lart flamurin e vendit. Mbështetja për to, përveç obligim, është edhe investim në suksesin e sportit tonë”, ka shkruar ministri Blerim Gashani.
Sportistët dhe trajnerët kategorizohen në bazë të sukseseve që i kanë. Lidhur me sportistët, ministria nuk ka njoftuar që të jetë ndryshuar vlera e pikës. Pra përkrahja pritet të jetë njëjtë me atë të vitit të kaluar.