Sport

Xhudistët, sportistët bindshëm më të ranguar në vend

Xhudistët, sportistët bindshëm më të ranguar në vend

Është publikuar të enjten lista preliminare e kategorizimit të sportistëve dhe trajnerëve kosovarë.

Ashtu si pritej, në krye të listës është xhudoja, që i ka plot 21 sportistë të kategorizuar. Fituesja e medaljes së argjendtë olimpike, Distria Krasniqi është e para në listë me 90 pikë. Krasniqi fitoi të argjendtën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Nga Parisi me medalje të bronztë olimpike u kthye edhe Laura Fazliu. Fazliu i ka 80 pikë, ndërsa Akil Gjakova është kategorizuar me 60 pikë. Pasojnë Nora Gjakova e Loriana Kuka me nga 40 pikë, kurse Erza Muminoviq dhe Fatjona Kasami me nga 30 pikë. Nga 20 pikë kanë Flaka Loxha, Dardan Cena, Dion Sharapolli, Debora Gjakova, Shpati Zekaj dhe Muhamedin Veseli. 15 pikë i kanë Anes Veseli, Laurina Gashi e Furkan Kelmendi, kurse Rrezarata Alimi, Ujves Mesini e Enise Zijade nga 10 pikë. 
Listën prej 21 xhudistëve të kategorizuar e mbyllin Blin Kuka dhe Sidorela Dodaj me nga 6.25 pikë.

Karateja i ka dhjetë sportistë të kategorizuar, ndërsa në krye është nënkampioni i Botës, Islam Selmani me 49 pikë.

Taekwondo i ka po ashtu 10 sportistë të kategorizuar. Blerton Ademi është vlerësuar me 25 pikë nga komisioni për kategorizim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me nëntë sportistë përfaqësohet kikboksi, ndërsa më të ranguarit me nga 17.5 pikë janë Artor Mehmeti e Gëzim Morina.

Donjeta Sadiku, Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku e Riad Isugi janë të kategorizuar nga boksi. Donjeta i ka 60 pikë, Bashkimi 30, Shpëtimi 20, e Riadi 6.25. 

Me nga katër sportistë në listë përfaqësohen edhe mundja e bodibildingu. Tre i kanë Aeronautika, kurse nga dy “muay-thai”, atletika, basketbolli, badmintoni, boullingu, çiklizmi, hendbolli, noti, pingpongu, skijimi, tenisi, kajakimi, futbolli, triatloni. Me nga një sportist përfaqësohen motoçiklizmi, gjimnastika, autosportet.

Xhudoja i ka edhe pesë trajnerë të kategorizuar, ndërsa i pakonkurrencë, me plot 260.625 pikë, i pari në listë është Driton Kuka. Mustafë Veseli i ka dhjetë kurse Majlinda Kelmendi 8.125 pikë. Nga pesë pikë kanë Anton Cena dhe Blerand Begu.

Karateja i ka plot tetë trajnerë të kategorizuar, ndërsa në krye të listës është Isak Curri me 24.5 pikë.

Marjola Sallauka i prin listës së trajnerëve të boksit me 30 pikë. Besim Brahimi i dyti me 25 pikë, kurse Shëmsedin Tahiri me 3.125 pikë. Edhe sportet e tjera kanë trajnerë të kategorizuar.

Kriter për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve janë medaljet në gara, duke nisur nga Lojërat Olimpike, Botërorët, Evropianët, Lojërat e Kampionatet Mesdhetare, Kampionatet Ballkanike dhe Kampionatet e Kosovës.

Në nivel shtetëror, kriter për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve është shpallja e tyre më të mirët e vitit te seniorët.

Kategorizimi përcakton përkrahjen e shtetit ndaj sportistëve. Sa më shumë pikë, përkrahja është më e madhe.