Kotorri në mesjetë ishte shumë i lidhur me Kosovën, kryesisht për shkak të interesit për miniera e xehe, sidomos për ar e argjend, por edhe mallra e interesa të tjera. Andaj rrugët ishin shumë të rëndësishme për këtë komunikim Adriatik-Kosovë. Ishin disa rrugë të konsoliduara të kësaj kohe prej kah bëhej komunikimi Kotorr-Kosovë. Ato kapnin rrugë në brendësi, në një reliev të vështirë malor. Ishin tri drejtime me rëndësi: i pari shkonte nga bregu i liqenit të Shkodrës, kah pjesa më moçalike dhe kah pjesa e epërme e luginës së lumit Lim deri në Pejë; i dyti kah qyteti mesjetar Danji, me doganën e saj të njohur që në kohën veneciane i ishte dhënë nën qeverisje familjes së njohur kotorrase Draga dhe vazhdonte tutje në Bjeshkët e Nemuna shqiptare drejt Prizrenit; drejtimi i tretë njihej si rruga e Zetës, via Zenta, në të cilin lidhej përveç Kotorrit edhe Budva e Tivari dhe që përtej maleve kah Cetina zbriste në Podgoricë, kapte Plavën ose edhe minierën Brskovo dhe vazhdonte tutje në Pejë
Prej vitit 1578 familja Bolica ishte përgjegjëse për shërbimin postar nga Venediku për në Stamboll, ku Kotorri ishte një lloj hub-i, pikëtakim i paevitueshëm i këtij komunikimi ndëradriatikas. Kjo ia mundësoi kësaj familjeje krijimin e një rrjeti të jashtëzakonshëm e të shtrirë në tërë Ballkanin. Familja nga më të vjetrat patrice kotorrase, Bolica, ishte një lloj shtylle logjistike e misioneve katolike të kundërreformacionit sidomos në Shqipëri dhe Mal të Zi. Këto kapnin hapësira që nga Tivari e Shkodra, deri në malësitë e thella që nga Kelmendi deri në Mirëditë e në Prizren.
Zamjević, që ishte instrumental në shpërnguljen e arbneshëve në Zarë, me të cilët jetoi edhe ai vetë – e zgjeroi gjeografinë e komunikimit të bokelëve me shqiptarët në një radius më të gjerë. Ndërsa jetesa e përbashkët e diasporës bokelase, kroate, malazeze e shqiptare në Venedik – ia shtoi kësaj gjeografie edhe një dimension të ri pikëtakimesh.
Në fakt, kur flitet për rrugët, Martin Segoni, kotorras me origjinë, por që gjatë jetës së tij kishte lidhje shpirtërore edhe me shqiptarë në Novobërdë e Ulqin, ishte më vonë trajtuesi më specifik i itinerarit të rrugëve. Ai shkroi një vepër speciale, që nergut i kushtohej Vatikanit, për zbërthimin e gjeografisë ballkanike me theks të veçantë të rrugëve prej kah do të mund të bëheshin kryqëzata ballkanike. Nuk është e paqëllimtë që mu këta kotorras ishin njohësit më të mirë të rrugëve e gjeografisë ballkanike dhe të pjesës ku jetonin shqiptarët. Ata e merituan këtë titull për shkak të përvojës, të kontakteve të tyre më këtë gjeografi ballkanike, ku jetonin edhe shqiptarët me të cilët kishin të bënin.
Aty ku takoheshin latinët, arbërorët, sllavët...
Siç e ka cekur edhe Šufflay, qytetet e antikitetit që lulëzuan në bregun lindor të Adriatikut patën zanafillë e rrënjë ilire, pastaj një pamje helene antike, por arritën në mesjetë me një përmbajtje të plotë romake. Zona e mesme e kështjellave ilire nga guri, sipas këtij autori emblematik, ishte ajo në veri të Durrësit e Lezhës, ku u përqendrua mbretëria e Teutës e Agronit në Rizon, jo larg Perastit, që mund të ishte qyteti fisnor ilir i Pirustëve. Por, qytetarët në gjirin e Rizonit (Kotorrit) do t’i përkisnin më vonë “tyrius Sergia” romake sikurse dhe romakët në Zarë dhe në Quarnaro (Kvarner). Dyndjet barbare dhe të popujve bënë një seleksionim të pamëshirshëm të mbijetimit të qyteteve të vjetra romake, që nën Bizantin morën karakter të vijës mbrojtëse, që nga Justiniani, ku bazën strategjike të vargut të fortifikimeve e përbënte Via Egnatia. Por, kur barbarët arritën për një kohë ta bllokojnë atë, si bazë shërbyen qytetet bregdetare në vijën Durrës-Lezhë. Në fakt, vija e kështjellave romake nga Tivari e Lezha përbri Drinit në mesjetë u njoh si via Zenta, që shpinte për në Prizren. Kufiri i theksuar i mbrojtjes bizantine nga ku rrjedh emri i sotshëm i Krajës (Krajina) mbi liqenin e Shkodrës.
Via publica e dikurshme romake, që lidhet bregdetin kah Puka në Prizren, kishte po aq rëndësi.
Qytetet që nuk mund t’u mbijetonin këtyre ndryshimeve dramatike u treguan të paafta për mbijetesë historike. Ndër to ishte edhe Dioklea e njohur. Por, në afërsi u krijua një tufë qytetesh si – Shasi (Suacium), Drishti (Drivastum), Balecium (Balëza), Danja (Dagno). Tivari mori primatin kishtar të trashëguar nga Dioklea. Qytete pranë si Shkodra e Lezha u ricikluan apo lëvizën duke iu përshtatur terrenit, herë ku ishte fortifikimi romak, herë duke u bartur pranë, deri te fortifikimet e mëvonshme venedikase, të dinastëve serbë, apo të Balshajve e zotave të tjerë lokalë arbërorë, deri në sundimin jetëgjatë osman.
Por, “bërthamën etnike” të qyteteve që nga ishulli Krk deri në Durrës e Krujë e përbënin në mesjetë pasardhësit e shtetasve romakë, l’tinët, latinci në gjuhët popullore të arbërve e sllavëve, apo latinët e Priftit të Dikolesë apo të Tomë Arqidakonit. Qytetet e bregut lindor adriatikas megjithatë më vonë ishin të përziera dhe ishin hapësira ku takoheshin latinët, arbërorët e sllavët, e më vonë edhe venedikasit dhe në fund osmanët.
Këto qytete u shquan me autonominë e tyre dhe me statutet që rregullonin jetën dhe bashkësinë e qyteteve të fortifikuara. Ka mendime që Bizanti nxiti këto rregullime të reja karakteristike, ndërsa presion të kundërt në të drejtën e formimit të drejtës municipale në Dalmaci ushtroi pushteti kroat, sikurse ai serb në Diokle e Zetë. Consilium Rogatorum nuk arriti të shtrihej në jug të Tivarit.
Kambana që thërriste popullin më 1330
Në Kotorr më 1330 Republika e qytetit thërret me kambanë popullin në kuvendin në shesh pranë katedrales së Shën Tripunit, por ky këshill u tërhoq plotësisht më 1361 dhe ati ia zuri vendin Consilium Maius. Por, i ndikuar nga Dubrovniku e Vendiku, më 1372 në Kotorr sillet senati apo Consilium rogatorum. Institucioni i notariatit u bë pjesë e kësaj kulture ligjore bregdetare.
Thalassokratia bizantine mund të thuhet se ka mbijetuar në pjesën e basenit të Adriatikut lindor, përkundër presionit sllav, longobard e frank, siç demonstrohet edhe nga instalimi i temës Dalmacia. Kjo ia mundësoi madje edhe një lloj pavarësimi Venedikut duke pranuar sovranitetin bizantin dhe duke refuzuar atë frank.
Edhe në kohë të vështira për Kostandinopojën me batica e zbatica politike, arriti specifikisht të ruhet “Bizanti jashtë Bizantit”.
Bizanti ruajti thalasokratian duke mbajtur në kontroll pikat kyç e strategjike në bregdet që mundësonin komunikimin e papenguar, andaj edhe mund të flitet për “Bizantin në Adriatik”.
Mendohet që shën Tripuni si shenjtor mbrojtës i Kotorrit e ndërroi traditën, sepse deri atëherë në Kotorr festohej Shën Gjergji. Ky ndryshim ishte paradigmatik e politik. Më traditën e qytetit, viti 809 shënoi sjelljen e eshtrave të shën Tripunit nga Kostandinopoja në Kotorr dhe me të u lidh edhe krijimi i marinës së famshme luftarake kotorrase, me traditë deri në ditët tona, që përcillej me festën triditëshe që u ngjan atyre të qyteteve bizantine. Kotorri tani për Bizantin ishte një stacion ushtarak i sigurt në Adriatikun lindor, si kompensim pas mosmbajtjes afatgjate të pozitave në anën tjetër të detit, në Venedik e Ravenë.
Në liturgjitë e regjistruara të mesjetës së hershme, në disa qytete dalmate, përfshirë edhe Kotorrin, ishte ruajtur lutja e njohur si exultet ose lutja e lavdërimi që i adresoheshin perandorit bizantin. Exulteti ishte shprehje direkte e nominale e sovranitetit dhe si i tillë është ruajtur edhe në Mesharin e njohur të Kotorrit, që është shtrirja më jugore e njohur e përdorimit të tij në Dalmaci e Adriatik Lindor.
E tërë kjo njëherësh shënon edhe një rietablim emblematik të Bizantit në këto hapësira me një ndikim mileniar që do të mbesë gjatë simbol i këtyre qyteteve adriatikase edhe shumë kohë pasi Bizanti të mos jetë më.
Arbanoni i para rënies së parë të Bizantit ishte pjesë e asaj që njihej si organizmi administrativ i Adriatikut lindor që përfshin Dioklenë, Kroacinë, Arbanian e Splitin. Siç dihet, ndër përmendjet e para mesjetare të Arbinit, Arbanonit (Arbanon, Αρβαηοη, Рабан) në fillet e saj, si koncept territorialo-etnik-administrativ, vjen nga një burim rrethanor, gjegjësisht nga ngjarja e përurimit të katedrales së shën Tripunit në Kotorr më 1166. Perandori bizantin Manuel Komneni (1143 –1180) kishte vendosur Konstantin Dukan më 1179, “arhig i të gjithë Dioklesë, Kroacisë, Arbanias e Splitit “(τοῦτον δοῦκ(α) καὶ ἀρχηγὸν καταστής (ας) ἐπὶ πάση Διοκλήᾳ, Δαλματ(ίᾳ), Χορβατ(ίᾳ), Ἀρβαν(ίᾳ) καὶ Σπαλάθ(ρῳ)).

Lidhja e vjetër e Arbanonit me Kotorrin
Në këtë aspekt, lidhja e Arbanonit me Kotorrin në kuadër të një hemisfere bizantine është me interes dhe shënon një lidhje të vjetër e të gjatë të Kotorrit me arbërit që do të vazhdojë tutje me shekuj. Ishte pra kjo një lloj gjeografie a gjeopolitike ndërlidhëse në mes tyre që i ka paraprirë më vonë ruajtjes së termit të etabluar juridiko-politik shekullor nga (τοῦτον δοῦκ(α) καὶ ἀρχηγὸν καταστής(ας) ἐπὶ πάση Διοκλήᾳ, Δαλματ(ίᾳ), Χορβατ(ίᾳ), Ἀρβαν(ίᾳ) καὶ Σπαλάθ(ρῳ)) në Albania Veneta.
Venediku luajti rol me rëndësi gjatë kryqëzatës IV dhe përfitoi dukshëm në përpjekjen për të kontrolluar limanet e Adriatikut lindor dhe Ballkanit dhe më 1205 solli Dubrovnikun nën sovranitet të tij. Atëherë Gjergji, mbret i Zetës, u bë vasal i Venedikut duke u betuar për aleancë dhe ndihmë nëse Dhimitri i Arbnisë (Demetrius Dei gratia panyperseuatos et manus archon; nobili Demetrio Arbanensi principi; Dametrius judex Albanaorum; áποιχομένου υρχοντος τοϋ Αρβάοου Γίνη τοϋ Προγόνου) do të sulmonte tokat e reja të pushtuara veneciane në këto hapësira. Kjo solli Venedikun në Adriatikun Lindor që do të qëndronte aty deri në fund të ekzistencës, më 1797 dhe që lidhi sërish dy brigjet e Adriatikut me një ndikim politik, tregtar e kulturor. Ky ndryshim ishte njëkohësisht gjeografik dhe gjeopolitik për këtë rrip adriatikas ku bënin pjesë edhe Kotorri e arbërorët.
Kotorri, duke qenë një liman me interes në kohën e Nemanjiqëve, kishte privilegje në tregtinë e tij në brendatokën ballkanike. Ndonëse Kotorri ruajti një autonomi substanciale që e karakterizoi, ai në kohë e Nemanjiqëve pati privilegj dhe nuk kishte tension nga feudalët më të vegjël si më vonë. Kjo ia mundësoi Kotorrit që të eksploronte këto mundësi duke zhvilluar komunikimin me brendësi ballkanike. Ky komunikim pra, përveç rrugëve detare, shtrihej edhe në brendësi dhe e bënte këtë lidhje me interes Adriatik – hinterland ballkanik.
Interesi i Kotorrit për minierat e xehet e Kosovës
Kotorri në mesjetë ishte shumë i lidhur me Kosovën, kryesisht për shkak të interesit për miniera e xehe, sidomos për ar e argjend, por edhe mallra e interesa të tjerë. Andaj rrugët ishin shumë të rëndësishme për këtë komunikim Adriatik-Kosovë.
Ishin disa rrugë të konsoliduara të kësaj kohe prej kah bëhej komunikimi Kotorr-Kosovë. Ato kapnin rrugë në brendësi, në një reliev të vështirë malor. Ishin tri drejtime me rëndësi: i pari shkonte nga bregu i liqenit të Shkodrës, kah pjesa më moçalike dhe kah pjesa e epërme e luginës së lumit Lim deri në Pejë; i dyti kah qyteti mesjetar Danji, me doganën e saj të njohur që në kohën veneciane i ishte dhënë nën qeverisje familjes së njohur kotorrase Draga dhe vazhdonte tutje në Bjeshkët e Nemuna shqiptare drejt Prizrenit; drejtim i tretë njihej si rruga e Zetës, via Zenta, në të cilin lidhej përveç Kotorrit edhe Budva e Tivari dhe që përtej maleve kah Cetina zbriste në Podgoricë, kapte Plavën ose edhe minierën Brskovo dhe vazhdonte tutje në Pejë. Por, kjo rrugë jo rrallë përmendej edhe për vështirësi e rreziqe që u kanoseshin nga kaçakët shqiptarë.
Dy rrugët e para kapnin përveç qyteteve me rëndësi si Shkodra e Lezha e qytetet bregdetare Tivari, Ulqini, Budva, Kotorri e Dubrovniku, edhe pika të ndryshme komunikative me rëndësi në mesjetë, si Manastiri Rotecco, Shën Nikolla e Shën Shirxhi në Bunë, Shasi, Sapa, Danji, Drishti etj.
Po ashtu, nga Kosova, pra përmes dy pikave hyrëse, kryesisht Pejë e Prizren, vazhdoheshin degëzimet e tjera me lidhje të karvanëve. Drejtimi nga liqeni i Shkodrës për në Prizren përafërsisht merrte 35 orë udhëtim. Nga Prizreni tutje shkohej në Lipjan ose Janjevë dhe përmes Kaçanikut e Shkupit rrugëve të luginës së Vardarit, tutje kah Bullgaria ose Greqia. Prizreni pikëtakonte interesat rivalë të Kotorrit me Dubrovnikun.
Nga Dubrovniku, por edhe Kotorri, kishte edhe karvanë me mushka, që mbaheshin nga vllehtë, të shkathët për rrugët malore.
Në fakt, lidhja e Kotorrit dhe pjesës së Adriatikut, përfshirë edhe Dubrovnikun, në brendësi të Ballkanit, kryesisht shkonte kah hapësirat e Shqipërisë Veriore dhe të Zetës dhe pashmangshëm vinte në Kosovë e më tutje. Një rrugë e tillë kishte rëndësi primare gjatë tërë mesjetës, por më vonë ndryshoi për shkak të rrethanave të tjera gjeopolitike – me dominimin osman dhe humbjen e rëndësisë që patën minierat në Kosovë e rajon, sidomos pas sigurimit të tregjeve të tjera ndërkombëtare, e posaçërisht pas zbulimit të resurseve tejoqeanike.
Një komunikim i këtillë intensiv tregtar kishte edhe ndikime të tjera, si në kulturë e në fe. Ndikimi katolik u bë më i mundshëm në qendrat e Kosovës, por edhe ai arkitektonik.
Kishat katolike në Novobërdë, Trepçë e gjetiu janë dëshmi për këtë. Gjithsesi, ndikimi shihet edhe në manastiret ortodokse dhe shembull tipik i këtij ndikimi është Manastiri i Deçanit, me fasadën e tij emblematike me ndikime romanike, me mermer të alternuar dhe me plastikën dekorative e skulpturën, të gjitha të modës katolike së Mesdheut, që i atribuohet fra Vita Cuccolo dhe grupit të tij.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Mestitujt janë të Redaksisë