Gjykata Kushtetuese e Italisë ka mbështetur qëndrimin e qeverisë për kufizimin e dhënies së shtetësisë për personat e lindur jashtë vendit, vendim që mund të prekë miliona njerëz me prejardhje italiane në mbarë botën, raportoi të dielën CNN-i.
Vendimi lidhet me ligjin e vitit 2025, i miratuar përmes një dekreti emergjent, i cili kufizon të drejtën për shtetësi vetëm për ata që kanë një prind ose gjysh të lindur në Itali.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDisa gjyqtarë ngrenë dyshime për kushtetutshmërinë e këtij ligji, por gjykata njoftoi se këto pretendime janë pjesërisht të pabazuara dhe pjesërisht të papranueshme.
“Gjykata Kushtetuese i ka shpallur çështjet e legjitimitetit kushtetues të ngritura nga gjykata e Torinos pjesërisht të pabazuara dhe pjesërisht të papranueshme”, njoftoi gjykata.
Një vendim i detajuar pritet të publikohet në javët në vijim.
Ky zhvillim shihet si goditje për parimin tradicional italian të shtetësisë sipas prejardhjes, që ka qenë në fuqi për rreth 160 vjet.
Sipas këtij parimi, një fëmijë i lindur nga një shtetas italian konsiderohej automatikisht shtetas italian, edhe nëse lindte jashtë vendit.
Rregulli u vendos për herë të parë në Kodin Civil të vitit 1865, pak vite pas bashkimit të Italisë në vitin 1861, dhe më pas u konfirmua në ligjet e shtetësisë të viteve 1912 dhe 1992. Për dekada të tëra, emigrantët italianë që u larguan nga vendi mund ta transmetonin shtetësinë te pasardhësit e tyre, për sa kohë nuk kishin hequr dorë nga ajo.
Italia përjetoi valë të mëdha emigrimi sidomos mes viteve 1861 dhe 1918, kur rreth 16 milionë qytetarë u larguan në kërkim të një jete më të mirë. Shumë prej tyre ruajtën shtetësinë italiane, duke e transmetuar atë brez pas brezi bashkë me traditat kulturore.
Megjithatë, ligji i ri vendos kufizime të reja: vetëm personat me prind ose gjysh të lindur në Itali mund të njihen si shtetas, ndërsa në disa raste kërkohet edhe që këta paraardhës të kenë pasur vetëm shtetësi italiane në momentin e lindjes së pasardhësve të tyre.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Italisë, numri i shtetasve italianë që jetojnë jashtë vendit është rritur nga 4.6 milionë në vitin 2014 në 6.4 milionë në vitin 2024, ndërsa konsullatat italiane në vende si Argjentina përpunojnë dhjetëra mijëra aplikime çdo vit.
Procesi për njohjen e shtetësisë për pasardhësit e emigrantëve shpesh është i gjatë dhe i kushtueshëm, pasi kërkon dokumente të shumta të gjendjes civile dhe pritje të gjata në konsullata, që në disa raste zgjasin edhe deri në një dekadë.
Vendimi i ri pritet të kufizojë ndjeshëm këtë rrugë për shumë persona me rrënjë italiane.