Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Anulohet “Finalissima” në mes të Argjentinës e Spanjës

Finalissima

Konfederata Evropiane e Futbollit ka thënë të dielën se ndeshja mes Argjentinës dhe Spanjës, e njohur si “Finalissima”, e që pritej të luhej në Katar, është anuluar për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Ndeshja në mes të kampiones së Amerikës së Jugut, Argjentinës, dhe kampiones së Evropës, Spanjës, është dashur të luhet në Doha më 27 mars. 

Pritej të ishte spektakël futbolli me Lionel Messin dhe Lamine Yamalin në fushë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por zhvillimi i ndeshjes erdhi në dyshim kur Irani nisi sulmet ndaj vendeve fqinje, pasi SHBA-ja dhe Izraeli e sulmuan Iranin.

“Pas shumë diskutimeve në mes të UEFA-s dhe autoriteteve në Katar, u komunikua sot se për shkak të situatës politike në regjion, ‘Finalissima’ mes Spanjës dhe Argjentinës nuk mund të luhet në Katar më 27 mars”, shkruan në një komunikatë të UEFA-s të lëshuar të dielën. 

U shqyrtuan opsione të tjera për ndeshjen, duke përfshirë Madridin.

Por UEFA tha se të gjitha alternativat tjera të mundshme që i shqyrtoi ajo “ishin të papranueshme për federatën argjentinase”.

“Opsioni i parë ishte të zhvillohej ndeshja në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’ në Madrid, në datën origjinale dhe me një ndarje 50:50 të tifozëve në stadium. Kjo do të kishte siguruar një mjedis të klasit botëror, të përshtatshëm për një ngjarje kaq prestigjioze. Por Argjentina refuzoi”, ka shkruar UEFA.

Opsioni i organizimit të ngjarjes në dy ndeshje, njëra në Madrid më 27 mars dhe tjetra në Buenos Aires para Euro 2028 dhe Copa America 2028, u refuzua po ashtu.

Argjentina kishte propozuar që ndeshja të luhej më vonë këtë vit, pas Kupës së Botës, por Spanja nuk ka pasur datë të lirë në dispozicion.

Argjentina e fitoi edicionin e parë të ‘Finalissima’ në vitin 2022. Kishte mposhtur Italinë në “Wembley” me rezultatin 3:0.

Lufta në Lindjen e Mesme po ka ndikim të madh në sport.

Tashmë janë anuluar dy gara të Formula 1, në Bahrejn dhe Arabi Saudite, të planifikuara për në prill. 
Ndërkohë mbetet e dyshimtë pjesëmarrja e Iranit në Botëror.