Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Mjeshtri i “South Park”: Pa satirë e pasion, s’ka animacion

Si riosh në kolegj, i pëlqente matematika. Animacioni i ishte në plan të dytë. Por kur zgjodhi të merrej me të dytën, hesapet i dolën mirë. Eric “Butters” Stough, drejtori i animacionit të një nga serialet e animuara më të njohura në botë, “South Park”, ka qenë mysafiri special i edicionit të sivjetmë të Festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”. Ka treguar sekretet e punës së tij. Pasionin edhe ky – si shumë mjeshtër të tjerë – e ka vënë në rend të parë. “Nëse i heqim satirën ‘South Park’ nuk e di se çfarë do të mbetet aty”, ka thënë ndër të tjera ai. Për të “animacioni është fuqi e vërtetë”, e për Kosovën ka thënë se do të ishte inspiruese për skenaristë

Radha e të rinjve para kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë të shtunën pak para orës 16:00 ka qenë e gjatë. Vullnetarët kanë verifikuar nëse ata që prisnin në radhë kanë emrat në listat e rezervimeve për të qenë pjesë e ligjëratës. E kësaj radhe ligjërata edhe mund të tingëllojë si diçka “ekzotike”. Salla ishte plot, pasi Eric “Butters” Stough, drejtori i animacionit të një nga serialeve të animuara më të njohura në botë, “South Park”, pritej që të dilte në foltoren e vendosur në skenë. I shoqëruar nga dy vajzat e tij, “Anibar” tashmë e ka bërë praktikë që të ketë emra botërorë në edicionet e veta. Por i sivjetshmi i 14-i me radhë ka sjellë edhe një prej emrave më të njohur në botë sa i përket animacionit.

“Në kolegj më pëlqente matematika...”

Seriali i animuar “South Park” është industri më vete. Ka përfunduar 25 sezone, dhe për Eric Stough seriali ka sjellë pesë çmime “Emmy” si dhe çmimin “Peabody”. Pasi i ka vendosur vajzat në radhën e parë të ulëseve, Stough është ngjitur në skenë. Ka treguar se ishin miqtë e kolegët e tij të tanishëm që kishin nisur që të punon në filma të animuar ku komedia ishte thelbi. Kishin nisur të satirizonin edhe me figura fetare si Jezus Krishti e Muhamedi. Ishte gushti i vitit 1997 kur Trey Parker dhe Matt Stone nisën të realizonin serialin për të mos u ndalur më. Tash një prej regjisorëve dhe producentëve është edhe Stough. Karakteret e serialit të animuar në diskutimet e tyre janë shumë therës për fenomene të ndryshme shoqërore.

“Ne kemi avokatin tonë që ia dërgojmë skenarin që ta shohë në mënyrë që të mos kalojmë kufijtë. Ai na udhëzon”, ka treguar Stough. Sipas tij, prej vitit në vit stafi ka bërë progres në krejt aspektet dhe tash janë në gjendje që për gjashtë ditë të realizojnë një episod prej 22 minutash. Ka thënë se çdo gjë bëhet sikur në krye të herës, duke vizatuar karakteret për të vazhduar me proceset e tjera. Derisa ka folur për veten, ka thënë se fillimisht ka dashur të bëhet aktor.

“Në kolegj më pëlqente matematika, më pas animacioni dhe e pashë që dua të merrem me animacione”, ka thënë ai. Për këtë zanat duhen shumë njerëz. E po ashtu, edhe shumë energji.

Edhe Eric Stough i kryeveprës “South Park” – ylli i radhës në “Anibar” Kulturë Eric Stough i kryeveprës “South Park” – ylli i radhës në “Anibar”

“Është një punë grupore ku shkrihet kreativiteti i secilit, në mënyrë që produkti të jetë sa më i mirë”, ka thënë ai. Ka treguar se më së shumti të animacioni i pëlqen se nuk ka nevojë njeriu të jetë aktor në skenë, por mund të luajë nëpërmjet karaktereve që ndërton dhe përmes tyre të prekë audiencën.

“Mbi të gjitha duhet të ndjekësh pasionin”

“Por mbi të gjitha duhet të ndjekësh pasionin dhe të punosh në mënyrë që të përmirësohesh çdo ditë”, ka thënë ai.

Ka treguar se ata që bëjnë skenarin, duhet të jenë të informuar me zhvillimet shoqërore, në mënyrë që satira e mesazhet të jenë të drejtuara në pikën e duhur.

Ka folur gjatë për personazhet e “South Park” duke treguar se si janë krijuar ata. Në cilësinë e regjisorit e të producentit është rezervuar të flasë për përmbajtjen e dialogëve therës, duke thënë se bëhet fjalë për një punë që e bëjnë skenaristët.

“Kam pasur pasion të madh dhe pastaj i jam futur kësaj pune. Si i ri në Colorado e kuptova këtë”, ka thënë ai derisa ka rrëfyer se një mik i tij i kishte thënë se ky zanat do ta përcillte gjithë jetën. Sipas tij, animacioni është zanat ku luhet me kukulla dhe secili mund t’i kontrollojë kukullat e veta.

“Me njohuritë që kisha marrë në kolegj e edhe një program të ‘Dissneyt’ që kisha përcjellë u ktheva në Denver të Colorados. Aty mora vesh se nëse të duhet një punë duhet të jesh shumë i mirë, në mënyrë që t’i duhesh një kompanie”, ka thënë ai. Disa studio do t’i bënin pyetje të ndryshme dhe vazhdimisht tregonte gatishmëri të 100-përqindtë.

“Për çdo episod mësojmë gjëra të reja”

Stough filloi karrierën e tij duke punuar për “Denver’s Celluloid Studios” duke punuar si asistent regjisor në reklama kombëtare. Ai ishte regjisori i animacionit për “South Park: Bigger, Longer & Uncut” dhe ka punuar me Trey Parker dhe Matt Stone në “Orgazmo, Team America: World Police” dhe hitin e Broadwayt “The Book of Mormon”. Ai prodhoi dhe drejtoi animacion për të dyja lojërat e konsolës së “South Park”, “The Stick of Truth” dhe “The Fractured But Whole”. Për momentin, ai po punon në sezonin e 26-të të “South Park”. Në vitin 1999 u realizua edhe filmi “South Park: Bigger, Longer & Uncut”, i cili pati shumë sukses, duke fituar një nominim për çmimin “Oscar”. Në vitin 2013, TV Guide e renditi "South Park" si serialin e dhjetë më të mirë televiziv të të gjitha kohëve.

“Kështu u bëra pjesë e ‘South Park’ dhe vazhduam punën duke e mbajtur ende anijen në lëvizje”, ka thënë ai. Ka këshilluar animatorët që të punojnë “frame by frame” duke pasur kujdes për çdo detaj. Ka thënë se me “South Park” ka mësuar shumë dhe vazhdon të mësojë çdo ditë. Stough ka qenë i hapur për dhjetëra pyetje dhe këtë e ka bërë pa përtesë.

“Për çdo episod mësojmë gjëra të reja”, ka thënë ai. Stough ka treguar se në animacion duhet provokuar sidomos me seriale siç është ai ku punon ai.

Edhe Eddie Murphy merr çmimin prestigjioz për kontributin e tij në film Showbiz Eddie Murphy merr çmimin prestigjioz për kontributin e tij në film

“Nëse i heqim satirën ‘South Park’ nuk e di se çfarë do të mbetet aty. Animatorët punojnë me orë të tëra pa gjumë”, ka thënë ai.

“Punojmë që njerëzit të qeshin”

Ka treguar se qëllim kryesor i serisë këto ditë është që t’i bëjë njerëzit të qeshin. Ka thënë se tashmë punojnë që t’i bëjnë njerëzit të qeshin. Skenarin e ka veçuar si diçka krejt bazike pasi baza është rrëfimi.

“Skenaristët e dinë se çfarë të vendosin dhe ku ta bëjnë atë”, ka treguar Stough. Për këtë çështje ka folur goxha. Ka thënë se thumbimi duhet të ketë goxha sens.

“Politika mund të përdoret si një mjet për të lëvizur, por duhet pasur takt me këtë”, ka thënë ai. Ka këshilluar të rinjtë që vazhdimisht të punojnë dhe t’i perfeksionojnë skenarët e vizatimet e tyre.

Është pyetur se si ka ndikuar teknologjia në animacion dhe për këtë ka thënë se ajo veç ndihmon, përfshirë edhe inteligjencën artificiale. Sipas tij, është vështirë që të zëvendësohet një produkt unik ku shpenzohet shumë energji për të.

Derisa është gjendur në Kosovë ka thënë se nuk është skenarist, por sikur të ishin kolegët e tij, ndoshta do të mund të provokonin me ndonjë episod për këtë vend. Tek animacioni ka shumë besim.

“Animacioni është fuqi e vërtetë”

“Animacioni është fuqi e vërtetë”, ka thënë Eric “Butters” Stough, i cili në ditën e fundit të këtij muaji, feston ditëlindjen e 51-të. Teknikën “stop-motion” e ka përmendur si diçka ideale, pasi ka dashur që karakteri të jetë i prekshëm. Ka këshilluar që të punohet me kujdes, në mënyrë që personazhet të jenë më përmbajtjesorë. Edhe vizatimet e “South Park”, sipas këtij mjeshtri, kanë nevojë të jenë të realizuar më në detaje që personazhet dhe e gjithë fotografia të jetë sa më e mirë.

Pyetjeve të studentëve të animacionit dhe të tjerëve që merren me këtë zanat u është përgjigjur një nga një. E ka emocionuar goxha prania e një nëntëvjeçari në audiencë, e sidomos pyetjet e tij për karakteret e serisë që ka nam botëror, një histori të patejkalueshme jo vetëm në industrinë e animacionit, e shndërruar tashmë në trashëgimi.

“Është vërtet entuziaste prania e një fëmijë këtu”, ka thënë ai. Ka treguar se për Kosovën kishte dëgjuar, shkaku i luftës së fundit të viteve ’90. Madje me shaka ka bërë të ditur se miqtë e tij janë çuditur kur kanë marrë vesh se do të jetë mysafir në Kosovë dhe pos kësaj, do të ketë edhe dy fëmijët me vete.

Edhe Kutcher tregon nëse Musk e frymëzoi për rolin e miliarderit në serialin “The Beauty” Showbiz Kutcher tregon nëse Musk e frymëzoi për rolin e miliarderit në serialin “The Beauty”

“Por unë po kaloj këtu shumë mirë dhe jam rritur në Colorado, kështu që më pëlqen bjeshka që është afër Pejës”, ka thënë Stough që është dukur me shumë energji. Nuk ka përtuar të fotografohet me secilin që i është ofruar pas ligjëratës që ka mbajtur. Madje edhe ka vizatuar karaktere për ata që kanë qenë të interesuar të kenë një shenjë nga një prej njerëzve kryesorë të botës së animacionit.

“Duhet përmirësuar vizatimet dhe skenarët çdo ditë”, ka qenë këshilla e vazhdueshme e këtij mjeshtri në botën e animuar.