Showbiz

Ashton Kutcher: Kam humbur role për shkak të pamjes sime

Ashton Kutcher

Aktori i njohur amerikan, Ashton Kutcher, ka rrëfyer se pamja e tij shpesh ka qenë një faktor vendimtar në projektet që i janë ofruar apo që i kanë shpëtuar nga duart.

Gjatë një paraqitjeje në New York Comic Con, 47-vjeçari tha se dukja e jashtme luan një rol të madh në ndarjen e roleve në industrinë e filmit.

“Mendoj se çdo rol që e merr, pjesërisht ka të bëjë me pamjen tënde. Është një pjesë shumë e rëndësishme e asaj që transmeton si personazh. Ka role që i kam marrë për shkak të mënyrës si dukem, dhe ka role që nuk i kam marrë pikërisht për të njëjtën arsye. Ndonjëherë është e frustruese,” tha Kutcher, sipas revistës People.

Megjithatë, përvoja e tij si producent, thotë ai, i ka ndihmuar ta kuptojë më mirë logjikën pas vendimeve të tilla në industrinë filmike.

“Kur përpiqesh të tregosh një histori përmes imazheve, ato duhet të krijojnë një ndjenjë te publiku,” shtoi aktori i njohur nga filmat romantikë si “No Strings Attached”.

Ndërkohë, Kutcher do të rikthehet në televizion me një rol të pazakontë në serinë e ardhshme të FX, të titulluar “The Beauty”. Ai do të luajë një “armik komik”, dhe thotë se kjo përvojë ka qenë ndryshe nga gjithçka tjetër që ka bërë më parë.

“Pa dhënë shumë detaje, pothuajse secili prej nesh në këtë projekt ka një rol jashtëzakonisht të nuancuar, ku në një formë apo tjetër, luajmë diçka që jemi – ose që nuk jemi – në momente të caktuara. Kjo të jep mundësinë që të mishërosh pasiguritë që i mbajmë të fshehura dhe nuk ua tregojmë askujt,” tha ai.

Kutcher e ka lavdëruar krijuesin e serialit, Ryan Murphy, për hapësirën krijuese që i ka dhënë.

“Shpesh sot, je i kufizuar vetëm në një lloj roli, sepse të luash diçka tjetër mund të jetë në kundërshtim me vlerat që shoqëria ia ka imponuar aktorëve. Në këtë projekt, kemi mundësinë të luajmë personazhe të ndërlikuar dhe të thellë. Është një kënaqësi e madhe. Të luaj këtë rol është një nga përvojat më të bukura të karrierës sime,” shtoi ai.

Seriali “The Beauty” pritet të transmetohet në fillim të vitit 2026, dhe Kutcher beson se edhe pse personazhi i tij shihet si i keq, ai e sheh atë ndryshe.

“Unë mendoj që është një njeri i mirë. Duhet ta kuptosh herët se nuk mund ta gjykosh personazhin tënd, sepse edhe kur dikush bën diçka të padrejtë, ai beson se po vepron drejt,” përfundoi aktori.