Nuk ka histori botërore të animacionit pa “The Simpsons” e “South Park” dhe nuk ka “Anibar” pa yje veprash të tilla. E kjo tashmë është shndërruar në traditë. Përherë ka pasur emra me peshë, si para tre vjetësh kur qe David Silverman, animatori i kryeveprës me një histori prej 36 vjetësh, e në edicionin e sivjetmë mysafir është Eric “Butters” Stough, drejtor i animacionit të një prej serialeve të animuara më të njohura në botë, ‘South Park’”.
“Po vjen në ‘Anibar’”, është fundi i fjalisë së parë me të cilën organizatorët e festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, nëpërmjet njoftimit për media, kanë rikonfirmuar ardhjen e tij. “Anibari” është gati për edicionin e 14-të prej 17 deri më 23 korrik, dhe përditë shpalos detaje të reja. “‘South Park’ ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët dhe është përfshirë në listat e botimeve të ndryshme të shfaqjeve më të mëdha televizive. ‘South Park’ ka fituar çmime të shumta, duke përfshirë pesë çmime ‘Primetime Emmy’ dhe një çmim ‘Peabody’. Në vitin 1999 u realizua edhe filmi ‘South Park: Bigger, Longer & Uncut’, i cili pati shumë sukses, duke fituar një nominim për çmimin ‘Oscar’. Në vitin 2013, TV Guide e renditi ‘South Park’ si serialin e dhjetë më të mirë televiziv të të gjitha kohërave”, ka rikujtuar ekipi i “Anibarit”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPo në njoftim është bëtë e ditur se Eric Stough do t’i bashkëngjitet edicionit të 14-të të festivalit të filmit të animuar “Anibar”, me një “prezantim fantastik rreth fakteve më interesante dhe punës së tij në ‘South Park”. Prezantimi është i hapur dhe organizatorët e kanë ftuar publikun për të mësuar gjithçka rreth “South Park” dhe për ta takuar njërin prej animatorëve më të suksesshëm në botë.
Sipas biografisë që “Anibari” ia ka bashkëngjitur njoftimit, Eric Stough është regjisor dhe producent i animacionit për shfaqjen e animuar hit të Comedy Central “South Park”. Seriali i animuar ka përfunduar njëzet e pesë sezone dhe Eric Stoughit seriali i ka sjellë pesë çmime “Emmy” të fituara, si dhe çmimin e lakmuar “Peabody”. “Ai përfundoi kolegjin në Universitetin e Kolorados me krijuesit Trey Parker dhe Matt Stone. Stough filloi karrierën e tij duke punuar për ‘Denver's Celluloid Studios’ duke punuar si asistent regjisor në reklama kombëtare”, shkruhet në biografi. Stought ishte regjisori i animacionit për “South Park: Bigger, Longer & Uncut” dhe ka punuar me Trey Parker dhe Matt Stone në “Orgazmo, Team America: World Police” dhe hitin e Broadwayt, “The Book of Mormon”. “Prodhoi dhe drejtoi animacion për të dy lojërat e konsolës së ‘South Park’, ‘The Stick of Truth’ (publikuar nga Ubisoft në 2014) dhe ‘The Fractured But Whole’ (publikuar nga Ubisoft në 2017). Për momentin, ai po punon në sezonin e 26-të të ‘South Park’, duke përfshirë dy edicione speciale për Paramount+, restorantin e ri të Matt dhe Trey, ‘Casa Bonita’, si dhe një lojë të re konsole”, shkruhet në biografi.
Ardhjen e tij në Kosovë e kishte bërë të ditur edhe Arba Hatashi, drejtoreshë e festivalit “Anibar” në një bisedë në emisionin “Nëpër film”, të transmetuar të shtunën. “Ne kemi pasur fatin e bashkëpunimeve të ndryshme me persona që kanë qenë prezentë në festival, e duan festivalin, por në të njëjtën kohë krejt çfarë bëjmë ne këtu dhe kjo është diçka që në hap shumë rrugë të bashkëpunimeve të tjera dhe njëra prej tyre ka qenë komunikimi dhe se si kemi arritur t’i sjellim producentët e ‘South Park’. Nuk ka qenë e lehtë”, ka thënë Hatashi, duke shtuar se kjo edhe për arsye se janë emra që kanë angazhime të mëdha. “Jemi me fat që do t’i kemi këtu”, ka thënë ajo. “Ju presim plot dashni në qytetin e Pejës nga 17 deri më 23 korrik!”, shkruhet në fund të njoftimit të “Anibarit” e dashnia sivjet ka një kuptim më të thellë. “Dashni”, është tema e edicionit të sivjetmë. Kur para dhjetë ditësh e shpalosi programin, festivali ftoi për zhytje në botën e animacionit e ajo sivjet do të bëhet me hiç më pak se 138 filma në gjashtë kategori garuese e në dy jashtë garës. Programi ka edhe një veçanti: janë tre filma të Kosovës në garë.