Shtojca për Kulturë

“Hyjnesha në fron” nis me “Nji prej nesh” të politikës e krimit

Filmi shqiptar “Nji prej nesh” me skenar dhe regji të Ergys Metës e me Alban Ukajn në rol kryesor, ka ndezur projektorin të Festivalit ndërkombëtar të filmit, “Hyjnesha në fron”, i cili ndonëse në edicionin e 16-të, ende nuk ka arritur të fuqizohet në kalendarin e ngjarjeve madhore në Kosovë. Megjithatë, në program ka 16 filma nga vendi dhe bota, përderisa “Hyjnesha...” nderon edhe figura që kanë lënë gjurmë në kinematografi

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Hyjnesha në fron” ka hapur kapitullin e 16-të dhe ka qenë “Nji prej nesh”, filmi që ka ndezur projektorin. Janë 16 filma në garë, hiç më pak se 12 çmime. Pos programit qendror, repertori i festivalit sjell edhe përkujtimin për kontribuuesit e kinematografisë në vend.

Hapësira e kinemasë “Armata” në kryeqytet ka marrë krejt tjetër imazh në ceremoninë e hapjes të premten mbrëma. E shoqëruar me muzikë ka qenë tamam festë që i ka paraprirë nisjes së një tjetër faqeje. Organizatorët janë kujdesur edhe për anën estetike të hapësirës. Holli i kinemasë është veshur krejtësisht me perde në pjesën e mureve derisa janë vendosur elemente të tjera për akomodimin e mysafirëve.

Drejtori artistik i festivalit, Enis Brahimi, në fjalën e hapjes ka thënë se në edicionin e sivjetmë janë përfshirë filma nga vendi e bota.

“Këtë edicion do të ketë shumëllojshmëri të filmave të selektuar, janë 16 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër nga e gjithë bota. Kryesisht ka nga Franca, nga Kanadaja, Gjermania, Greqia dhe India”, ka thënë ai.

Juria vlerësuese e festivalit “Hyjnesha në fron” sivjet është në përbërje të Muhamet Arifit, Loreta Bërbatovcit, Florian Hoxhës, Rina Kllokoqit, Iliran Himajt e skenaristes e regjisores iraniane Maryam Zahirimehr.

Aktori Muhamet Arifi ka thënë se për herë të parë është pjesë e një jurie të një festivali. Vlerësimi, sipas tij, do të jetë i vështirë.

“Do të jetë bajagi e vështirë, me sa pashë në katalog ka filma shumë të mirë dhe autorë tepër të mirë të filmave. Do të jetë punë e vështirë për këto tri ditë, besoj se do ia dalim mirë të bëjmë vlerësimin e duhur”, ka thënë aktori Arifi për KOHËN.

Në ceremoninë e hapjes para të pranishmëve ka ironizuar me pjesëmarrjen e paktë të artistëve në Festival. Ka përmendur edhe mungesën e udhëheqësve institucionalë e përkrahjen sipërfaqësore të tyre. Ani pse me traditë prej 16 vjetësh, “Hyjnesha në fron” deri më tash nuk ka arritur të fuqizohet si festival. Në disa edicione ka shëtitur nëpër vende të ndryshme.

Megjithatë numër i konsiderueshëm i dashamirëve të filmit janë mbledhur për të parë filmin që i paraprin krejt programit të “Hyjneshës në fron”, “Nji prej nesh” të Ergys Metës.

Para se të shfaqet filmi, Meta shkurt iu drejtua publikut duke përmendur se filmi trajton tema që prekin publikun e Shqipërisë e të Kosovës.

Filmi shpalos historinë e kryepersonazhit Sulës, rol që e luan aktori Alban Ukaj. Hakmarrja për kryerjen e detyrës së policëve është që në fillim të filmit. Një police përdhunohet nga djali i kryebashkiakut të Tiranës dhe një polic rrihet keqas. Sula betohet si polic dhe nis detyrën. Ai shfaqet si ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Portretizohet si polic i përkushtuar në punën e tij që has në dukuri negative gjatë punës në terren në ndërrimin e natës. “Nji prej nesh” është slogani i njërit prej dy kandidatëve që garojnë për të parin e kryeqytetit të Shqipërisë. Frika nga hakmarrja e pushtetarëve për të shpërfaqur krimet i çon Sulen e kolegun e tij, Shpëtimin, drejt anashkalimit të atyre që konsiderohen krime të imëta e të zakonshme.

Image
Në ceremoninë e hapjes së “Hyjneshës në fron” është ironizuar me pjesëmarrjen e paktë të artistëve, sikurse edhe me mungesën e udhëheqësve institucionalë e përkrahjen sipërfaqësore të tyre

Në film flitet për ekzekutuesit e drejtësisë të ndikuar nga politika.

Sula nis të ndjekë dhunuesin e Sarës, duke bashkëpunuar me avokatin e Fredit, kundërshtar i Aleksandrit në zgjedhje. Zbardhja e rastit synon dështimin e këtij të fundit dhe rënien e reputacionit me qëllim të humbjes në zgjedhje. Ai bëhet një prej tyre. Fredi më pas i jep një tjetër detyrë pasi konsideron se ka fituar mbi Aleksandrin: ta përcjellë gruan e tij, për të cilën siguron dëshmi se po e tradhtonte. Sula porositet të kryejë një skenë krimi. Rezultati – tre njerëz të vrarë dhe inskenimi i skenës së krimit.

Filmi është shfaqur për të parën herë para publikut në Prishtinë. Megjithatë, regjisori Ergys Meta ka thënë se kjo nuk mund të konsiderohet premierë, pasi për një të tillë po përgatiten ta sjellin së shpejti.

“Sa herë që shfaqet filmi është eksperiencë më vete, aq më tepër që filmi i përket edhe Kosovës pasi flet për një ish-ushtar, një vullnetar të luftës në Kosovë dhe pasojat prapa saj. Është një gjë shumë e rëndësishme që shfaqet këtu, aq më tepër në festivalin ‘Hyjnesha në fron’, ku para shumë vjetësh edhe kam fituar çmim”, ka thënë Meta, i cili kishte fituar çmim në festivalin “Hyjnesha në fron” me filmin “Vrasësit”.

Ka thënë se këtë vit mbi të gjitha, është e rëndësishme njohja e publikut në Kosovë me rrëfimin dhe punën që ekipi ka bërë për filmin.

“Për mua është shumë e rëndësishme që filmi të shfaqet në Kosovë, pasi është polemik, por ka një të vërtetë brenda, një lidhje shpirtërore midis Kosovës e Shqipërisë”, ka thënë Meta më tej për KOHËN.

Në ditën e dytë, të shtunën janë shfaqur gjashtë filma të metrazhit të shkurtër dhe dy të metrazhit të gjatë. Në program kanë qenë filmat “Pryaniy” i regjisorit lituan Anton Ryumin, “Takbir” i spanjollit Jordi Calvet San José, “Witness” i iranianes Aida Tebianian, “Alikija” nga Hamid Vatanparast, po ashtu iranian, filmi “Ninullë” nga Adrian Asllani, “Ariel” i kanadezo-britanikes Alison Murray si dhe filmi “The Business of Pleasure” nën regji të maqedonasit Goce Cvetanovski. Është mbajtur edhe një bashkëbisedim në kujtim të aktorit të ndjerë Xhevat Qorraj.

Organizatorët kanë njoftuar se këtë edicion do të ndahen gjithsej 12 çmime. Prej tyre janë çmimi i rolit kryesor i aktorit më të mirë dhe aktores më të mirë, skenari më i mirë, regjia më e mirë, filmi më i mirë, çmimi special i festivalit të filmit “Hyjnesha ne Fron”, filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër, Çmimi special i festivalit për film me metrazh të shkurtër, çmimi për Dokumentarin më të mirë e Çmimi Special i festivalit për film dokumentar. Çmimet ndahen të dielën mbrëma kur edhe përmbyllet programi i Festivalit treditor. Ceremonisë përmbyllëse i paraprin shfaqja e filmave “Pant” i Ramadan Huseinit i lindur në Danimarkë, “Soft Focus” i Ardin Klimentit, “When Cotard Comes” i Shayan Naghibit nga Irani, “Truth” me regji të Sylvie Zaidman nga Belgjika dhe Nic Shake nga Franca, “Supermodel” nga kanadezja Nicole Wensel, “Bubbles” i Meri Dishnicas, “Forbidden” i iranianes Maryam Zahirimehr dhe “Nguyen” i regjisorit amerikan Sean James Spencer.

Festivali ndërkombëtar i filmit “Hyjnesha në fron” u themelua në vitin 2002 nga aktori Besim Ajeti. Çmimet që festivali ndan janë trofetë në formën e skulpturës Hyjnesha në Fron, simbol i kryeqytetit.