Festivali ndërkombëtar i filmit “Hyjnesha në fron”, ka përthekuar programin e edicionit të sivjetmë me ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Me ngjarjen modeste në “Kino Armata”, publiku e figura të kinematografisë vendore janë mbledhur edhe njëherë për ngjarjen që sivjet ka shënuar edicionin e 16-të.
Pas tri ditësh aktiviteti të ngjeshur me shfaqjen e filmave, lista e ngjarjeve të “Hyjnesha në fron” për sivjet ka prekur fundin. Të dielën mbrëma filmi më i mirë i metrazhit të gjatë u zgjodh “Nji prej nesh” i regjisorit shqiptar, Ergys Meta.
“Është një film që për mua ka qenë shumë i rëndësishëm. Kam shpenzuar shtatëdhjetë ditë për ta shkruar e drejtuar dhe prodhuar. Kështu që kur merr vlerësim është gjë e madhe, kështu që faleminderit”, ka thënë regjisori Meta, pasi e ka pranuar çmimin. Të pranishëm kanë qenë edhe stafi realizues i filmit.
“Jemi të nderuar të gjithë si staf realizues i filmit, gjithmonë është kënaqësi dhe e veçantë të marrim vlerësime”, ka thënë Sebina Matlija.
Bashkëproducenti i filmit “Nji prej nesh”, Luan Kryeziu ka vlerësuar se kanë qenë me fat të bashkëpunojnë për filmin me të cilin korrin bashkë suksese.
“Ne kemi qenë bashkëproduksion me Shqipërinë për këtë produksion, ku Ergysi ka qenë regjisor dhe iniciator për suksesin e këtij filmi. Ne kishin fatin të jemi bashkëpunëtorë dhe të korrim bashkë suksese”, ka thënë Kryeziu.
“Nji prej nesh” ka marrë edhe çmimin e regjisë, ndërsa aktorit Alban Ukaj, që e ka luajtur rolin kryesor në film i ka shkuar Çmimi për aktorin më të mirë.
Babai i tij, gazetari veteran, Shefki Ukaj, e ka pranuar çmimin për të.
“Jam shumë i emocionuar dhe i nderuar që e mbaj këtë çmim. Ky film që e ka bërë një ekip shumë profesional dhe e ka shtruar një temë kaq të rëndësishme për rajonin, atë të korrupsionit. Me një trupë artistike tejet të fuqishme”, ka thënë Ukaj.
Çmimin ia ka ndarë anëtari i jurisë, Klodian Hoxha.
“Faleminderit që më keni bërë ftesën të jem pjesë e jurisë. Është nder shumë i madh. Sa i përket trofeut, ne aktorët jemi egoistë, i duam gjërat për vete, por çmimin për aktorin më të mirë e merr Alban Ukaj. Është emocion i veçantë të shohësh kur babai pranon çmimin e të birit’, ka thënë Hoxha para se ta ndajë çmimin.
Në kuadër të çmimeve të ndara për filmat e metrazhit të gjatë për kinematografinë më të mirë është vlerësuar “Ariel: Back to Buenos Aires” i kanadezo-britanikes Alison Murray, ndërsa çmim special për kinematografi është ndarë për filmin “Nguyen” i regjisorit amerikan Sean James Spencer.
Filmi më i mirë në kategorinë e metrazhit të shkurtër u zgjodh “Ëitness” i iranianes Aida Tebianian. Filmi me skenarin më të mirë u zgjodh “Alikija” nga Hamid Vatanparast, regjisori më i mirë në kuadër të filmave të metrazhit të shkurtër u zgjodh Hamid Yoosefi për filmin “Sphinx”, çmimi special i Festivalit i është ndarë filmit “Takbir” i spanjollit Jordi Calvet San José.
Aktori më i mirë në këtë kategori u shpall Avni Dalipi për rolin në filmin “Ninullë” me regji të Adrian Asllanit. Në këtë film, aktori Dalipi luan bashkë me të Lis Kamberin. Kur është shfaqur në skenë për të pranuar çmimin, Dalipi ka thënë se dy karakteret në film e kanë përmbushur njëri-tjetrin.
“Faleminderit jurisë dhe gjithë juve që e keni aprovuar këtë çmim për mua. Dhe atyre që e kanë parë filmin ‘Ninullë’. Filmi nuk do të mund të kishte këtë sukses pa e pasur një karakter kaq të mirë siç është Lisi. Kështu që dua që këtë çmim ta ndaj bashkë me Lisin. Faleminderit të gjithëve që na përkrahni”, ka thënë Dalipi.
Çmimi i “Hyjnesha në fron” për vepër jetësore është dedikuar për aktorin e ndjerë, Xhevat Qorraj. Atë e ka ndarë regjisori e skenaristi Ilirian Himaj derisa ka kujtuar momente me aktorin Qorraj.
“Nuk është çmim tradicional, deri më tash është ndarë tri apo katër herë përgjatë 16 edicioneve. Unë kam pritur që këtë çmim t’ia ndaj vetë, por nuk na priti. Ndoshta nuk jam kompetent as me vepra as me moshë ta ndaj këtë çmim megjithatë, ndihem në aspektin personal pasi me axhën Xhevat kemi punuar në disa projekte bashkë edhe në film edhe në teatër. Në projektin e fundit në Teatër Kombëtar kam qenë asistent. Ka qenë kënaqësi të shijoj përvojën me të edhe në teatër”, ka thënë Himaj derisa ka kujtuar edhe bashkëpunimin e fundit në film, në filmin “Kujtimi”. E ka vlerësuar tamam kujtim për aktorin.
I biri i aktorit Xhevat Qorraj, Luani, e ka pranuar çmimin. E di që këtë çmim do ta vlerësonte shumë”, ka thënë ai mes tjerash.
Juria vlerësuese e festivalit “Hyjnesha në fron” sivjet ka qenë në përbërje të Muhamet Arifit, Florian Hoxhës, Rina Kllokoqit, Iliran Himajt, skenaristes e regjisores iraniane, Maryam Zahirimehr dhe Loreta Bërbatovcit.
“Kisha kënaqësinë të isha pjesë e jurisë për filmat e shkurtër. Besoj se zgjedhja e jurisë ka qenë shumë profesionale. Padyshim se të gjithë filmat kanë bukurinë e tyre. Ne jemi munduar t’i klasifikojmë çmimet”, ka thënë regjisorja Bërbatovci.
Sivjet Festivali u hap me filmin “Nji prej nesh”, ndërsa të shtunën, në ditën e dytë, janë shfaqur gjashtë filma të metrazhit të shkurtër dhe dy të metrazhit të gjatë.
Në program kanë qenë filmat “Pryaniy” i regjisorit lituan, Anton Ryumin, “Takbir” i spanjollit Jordi Calvet San José, “Ëitness” i iranianes Aida Tebianian, “Alikija” nga Hamid Vatanparast, po ashtu iranian, filmi “Ninullë” nga Adrian Asllani, “Ariel” i kanadezo-britanikes Alison Murray si dhe filmi “The Business of Pleasure” nën regji të maqedonasit Goce Cvetanovski.
Është mbajtur edhe një bashkëbisedim në kujtim të aktorit të ndjerë, Xhevat Qorraj.
Të dielën janë shfaqur edhe filmat “Pant” i Ramadan Huseinit i lindur në Danimarkë, “Soft Focus” i Ardin Klimentit, “When Cotard Comes” i Shayan Naghibit nga Irani, “Truth” me regji të Sylvie Zaidman nga Belgjika dhe Nic Shake nga Franca, “Supermodel” nga kanadezja Nicole Wensel, “Bubbles” i Meri Dishnicas, “Forbidden” i iranianes Maryam Zahirimehr dhe “Nguyen” i regjisorit amerikan Sean James Spencer.