Kulturë

Deari, regjisori më i mirë me “Everybody Calls Redjo” në Tiranë

Deari, regjisori më i mirë me “Everybody Calls Redjo” në Tiranë

Çmimi i Tiranës vjen pak ditë pasi ky film u bë fitues i katërfishtë në Festivalin e Filmit në Tetovë. U shpall Filmi më i mirë, mori Çmimin për aktorin më të mirë në rol kryesor Afrim Muçaj, atë për aktoren më të mirë në rol dytësor Adriana Matoshi dhe Çmimin për aktorin më të mirë të ri Ledion Mulaku

Në një fshat fiktiv në Maqedoninë e Veriut me përplot elemente imagjinare, realitet i vetëm janë problemet që zbërthehen në rrëfimin e filmit “Everybody calls Redjo”. Mjeshtëria e shpalosjes së këtij rrëfimi është vlerësuar edhe në Tiranë. Regjisori më i mirë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë u shpall Ibër Deari, për filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë

Një javë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë u kurorëzua me ndarjen e çmimeve të shtunën mbrëma. Miq të kinemasë, artistë e kineastë u mblodhën në kinemanë “Millennium” në mbyllje të edicionit të 23-të, të një prej ngjarjeve më të rëndësishme kinematografike në Shqipëri. 

Pas shtatë ditësh, me emocionet e historive të jashtëzakonshme që sollën rreth 250 shfaqje filmash, u shpallën edhe fituesit.

Regjisori më i mirë i festivalit u shpall Ibër Deari për filmin “Everybody Calls Redjo”.

Në një fshat fiktiv në Maqedoninë e Veriut me përplot elemente imagjinare, realitet i vetëm janë problemet që zbërthehen në rrëfimin e filmit “Everybody calls Redjo”. Komedia, drama e romanca aty shpesh çojnë në rrëfime përplot sfida në fshatin pak të banuar të kryepersonazhit. Ai është simbol i vazhdimësisë dhe përkushtimit në filmin nën regji të Ibër Dearit, i cili skenarin e ka shkruar bashkë me Artin Selmanin. Çmimi i Tiranës vjen pak ditë pasi ky film u bë fitues i katërfishtë në Festivalin e Filmit në Tetovë. U shpall Filmi më i mirë, mori Çmimin për aktorin më të mirë në rol kryesor Afrim Muçaj, atë për aktoren më të mirë në rol dytësor,  Adriana Matoshi dhe Çmimin për aktorin më të mirë të ri, Ledion Mulaku. 

Në dy orë e gjashtë minuta të filmit të gjatë artistik, të gjithë e thërrasin Rexhën, kryepersonazhin.
Efektet e migrimit drejt vendeve evropiane flasin me heshtjen e fshatit të ashtuquajtur Sllupkovë. Rexhep Nushi, që luhet nga aktori Afrim Muçaj,  mbetet i vetmi person që kujdeset për të gjitha llojet e punëve në fshat. Kjo është rutina e tij në film, por ai shpesh përballet me të papritura që zbulojnë histori të thella, por edhe të thjeshta, ku secili mund ta gjejë veten.

Skena e parë e filmit e shfaq Rexhën duke punuar derisa mbulohet me audion e një materiali televiziv që rrëfen se këto vende po boshatisen. Një sekuencë e shkurtër ka fuqinë të sjellë realitetin e pastër që mat edhe peshën e ndërgjegjes së audiencës. Në njërin prej vendeve të shumta të punës kërkon pronarin e moshuar të shtëpisë që jeton krejtësisht vetëm. E gjen të shtrirë përtokë.

Filmi shpesh e lë rrëfimin në gjysmë e ngjarjet që ndodhin nuk rrëfehen deri në fund dhe kjo e bën më të dëshirueshëm atë për t’u eksploruar më tej.

Regjisori e bashkëskenaristi i “Everybody calls Redjo”, Ibër Deari, ka thënë se struktura e filmit është ndërtuar në atë mënyrë që ta mbajë shikuesin të lidhur me rrëfimin deri në fund.

“Neve na ka pëlqyer stili i filmit, shikojmë filma shumë. Edhe këtë film, që është storie tipike shqiptare, jemi munduar ta stilizojmë që të duket pak më interesante. Edhe pse tema, të gjithë e kanë pritur se është ikja e të rinjve, është e vërtetë, ajo nuk i trajton vetëm vuajtjen ose problemet në shoqërinë tonë, sepse me gjithë problemet ne vazhdojmë të jemi të lumtur dhe ta bëjmë jetën. Filmi është fotografi e jetës sonë”, kishte thënë regjisori Deari në janar të këtij viti në premierën në Kosovë. Me këtë film ai debutoi në metrazh të gjatë pas filmave të shkurtër “My City Screams” (2015), “Toka” (2016), “A long way Home” (2017).

Për skenarin më të mirë u vlerësua filmi “Meat” i Dimitris Nakos, produksion grek prej 104 minutash. Skenari i filmit përcjell një botë realiste dhe bindëse, me rrethana të trazuara njerëzore dhe shoqërore që përshkohen nga një tension dramatik i pranishëm gjatë gjithë filmit. Personazhi i shqiptarit Kristo është i mirëmenduar dhe i mbrujtur me ndjeshmëri. Përmes tij skenari shtron pyetje rreth ndasive shoqërore në shoqërinë ku jetojmë.

TIFF sivjet ka vendosur që filmi “Wondewall” nga Roisin Burns të shpallet Filmi më i mirë i shkurtër. 

“Best Live Action Short Film” e fitoi “Blue Heart” nga Samuel Suffren nga Haiti. Filmi i bredh shikuesit brenda një rrugëtimi thellësisht emocional i rrëfyer nga një këndvështrim tejet i vendosur.

Filmi më i mirë i shkurtër në kategorinë e filmave të animuar u shpall “God is Shy” nga francezi Jocelyn Charles. Filmi tregon një histori origjinale dhe të pazakontë, përmes një narrative të re dhe tërheqëse.

“Çmimi i Jurisë” shkoi për “Always” nga Deming Chen nga ShBA-ja. Juria vlerësoi ndjeshmërinë e thellë dhe delikate me të cilën ky film sjell në botën e brendshme të një fëmije nga një familje bujqish të varfër në Kinë. Gjashtë vjet në realizim, filmi balancon brishtësinë dhe forcën, duke kapur momente kalimtare humbjeje, qëndrueshmërie dhe imagjinate me një sinqeritet të rrallë.

Çmimi “Dokumentari më i mirë” iu dha filmit “Yalla Parkour” nga Areeb Zuaiter, produksion nga Palestina, Katari, Arabia Saudite dhe Suedia. 

Filmi më i mirë i shkurtër shqip u shpall “Summer Emperors” nga Renato Balla. “Për lojën mes gjuhëve të kinemasë dhe videove muzikore, duke eksploruar arkitekturën dhe peizazhet shqiptare ndërsa na argëton”, ka vlerësuar juria. 

Ndërsa “Çmimi i audiencës” shkoi për filmin shqiptar “The Champ” nga Ermir Keta.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë mbajti edicionin e 23-të prej 21 deri më 27 shtator. Në ceremoninë përmbyllëse solli në ekranin e tij filmin e restauruar “Liri a vdekje”, që konsiderohet si gur i çmuar i kinemasë shqiptare.