Vonesa në hapjen e konkursit të ri për specializime po mban në pritje mjekët e rinj në Kosovë. Pa një afat të qartë nga institucionet, ata thonë se po përballen me pasiguri profesionale, ndërsa disa e shohin edhe largimin nga vendi si alternativë. E nga Bordi për shkollim specialistik që funksionon në kuadër të MSH-së si parakusht për hapjen e konkursit të ri e japin plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ
Që nga viti 2024, Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur konkurs të ri për shkollimin specialistik për mjekët e rinj.
Kjo vonesë në shpalljen e konkursit është vlerësuar nga mjekët e rinj si zvarritje institucionale, duke i lënë ata në pasiguri për vazhdimin e zhvillimit profesional.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjëri prej tyre, duke folur në kushte anonimiteti për KOHËN, e ka cilësuar situatën si të paarsyeshme dhe ka paralajmëruar se nëse nuk hapet së shpejti një konkurs i ri, mes opsioneve që po shqyrton është edhe largimi nga vendi.
“Vonesa e konkursit për specializime është e pajustifikueshme dhe po krijon pasiguri te mjekët e rinj. Ne kemi investuar vite në arsimim dhe nuk kemi ende qartësi për hapat e ardhshëm profesionalë. Në mungesë të një konkursi të ri, shumë kolegë po mendojnë seriozisht largimin nga Kosova”, ka thënë ai.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë se janë të vetëdijshëm për pritjet e mjekëve të rinj lidhur me shpalljen e konkursit për specializime.
Por sipas tij, procesi duhet të zhvillohet duke marrë parasysh kapacitetet dhe
organizimin brenda sistemit shëndetësor.
“Duhet pasur parasysh se në ciklin e kaluar janë dhënë një numër shumë i madh specializimesh, çka ka kërkuar kohë dhe angazhim për t’u menaxhuar në mënyrë cilësore brenda kapaciteteve ekzistuese të sistemit shëndetësor”, është shprehur Sejdiu.
Tek në nëntor të vitit të kaluar, gjenerata e pranuar më 2024 ka nisur shkollimin specialistik.
Nga Bordi për Shkollim Specialistik në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se konkursi i ri për specializime nuk mund të hapet ende, pasi aktualisht është në proces plotësim-ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për shkollim specialistik.
“Aktualisht është në proces plotësim-ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për shkollim specialistik, konsideruar ky si parakusht për hapjen e konkursit të ri, e njëkohësisht edhe përditësimi i planprogrameve specialistike sipas standardeve të UEMS. Paralelisht me këto procese, Bordi për Shkollim Specialistik, është duke pranuar kërkesa nga institucionet shëndetësore për specializime të reja, të cilat do të analizohen me kujdes dhe objektivitet në raport me nevojat në nivel vendi, kapacitetet mentoriale, infrastrukturore dhe buxhetore, për t’i propozuar më pas ministrit të Shëndetësisë draftkonkursin e radhës”, thuhet në përgjigjen nga ky bord.
Udhëzimi Administrativ për shkollim specialistik është miratuar në vitin 2023 nga Ministria e Shëndetësisë dhe mbi bazën e tij janë zhvilluar konkurset për specializime.
KOHA ka raportuar edhe më herët se konkurset e viteve të kaluara, në të cilat janë përzgjedhur rreth 1.500 specializantë, janë përcjellë me mospërputhje mes numrit të specializantëve dhe kapaciteteve ekzistuese në sistemin shëndetësor.
Në disa drejtime, si stomatologjia, farmacia dhe psikologjia klinike, numri i specializantëve ka qenë i lartë, ndërsa pati mungesë të kuadrove për mentorim dhe vlerësim.