Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të specializuar për farmaci klinike, por punojnë në depo e barnatore

QKUK

Specialistët e farmacisë klinike në Kosovë vazhdojnë të mos angazhohen në fushën për çka janë shkolluar e trajnuar. Një numër i tyre janë të angazhuar në QKUK, por sipas Odës së Farmacistëve të Kosovës, ata janë të angazhuar si farmacistë të përgjithshëm, e jo në repartet klinike, e po ashtu nuk paguhen si specialistë klinikë. Ndërkohë katër spitalet rajonale, që kanë kthyer përgjigje, nuk kanë asnjë specialistë të farmacisë klinike. Për problemin, Ministria e Shëndetësisë ia ka hedhur topin SHSKUK-së e SHSKUK-ja ka zgjedhur heshtjen

Ministria e Shëndetësisë e ka përfshirë farmacinë klinike në programet e shkollimit specialistik me arsyetimin se ka nevojë institucionale, por specialistët e kësaj fushe nuk sistemohen në pozitat për të cilat janë trajnuar.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ata punojnë kryesisht në barnatore dhe depo barnash, e jo në repartet klinike ku do të duhej të ushtronin profesionin e tyre. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Konkursi i fundit për shkollim specialistik është hapur në vitin 2024. Në arsyetimin për pozitat e farmacisë klinike thuhet se ka kërkesa nga institucionet shëndetësore, ndërsa specialistët e ardhshëm parashihet të angazhoheshin në QKUK.

“Ka kërkesa të institucioneve, nevoja objektive si dhe kapacitete mentoriale e infrastrukturore”, thuhet në konkursin për shkollim specialistik të vitit 2024.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave ndërkombëtare të farmacisë spitalore, farmacistët klinikë konsiderohen pjesë e rëndësishme e ekipit multidisiplinar në spitale, me rol në rritjen e sigurisë së pacientit, përdorimin racional të barnave dhe parandalimin e gabimeve në terapi.
E nga 29 specialistë të farmacisë klinike të regjistruar në Odën e Farmacistëve të Kosovës, 11 janë të angazhuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. 

Por, sipas Odës, asnjëri prej tyre nuk është i sistemuar në pozitën e farmacistit klinik.

“Për momentin, ata janë duke kryer punën e farmacistit në barnatore apo në depot e barnatores qendrore, dhe jo detyrat e farmacistit klinik për të cilat janë specializuar. Rrjedhimisht, mund të konsiderohet se të gjithë janë të papunë në profilin e tyre profesional, pasi edhe 11 specialistët që punojnë brenda QKUK-së janë të angazhuar si farmacistë të përgjithshëm dhe jo në fushën e ngushtë të specializimit të farmacisë klinike”, thuhet në një përgjigje nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Që nga viti 2023, Oda i është drejtuar me kërkesa Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për sistemimin e specialistëve në profilin e tyre profesional.

“Po ju drejtohem me shkas duke u nisur nga fakti se jeni në finalizim të procesit të organizimit të brendshëm në kuadër të QKUK/SHSKUK. Në kuadër të sistemit shëndetësor në nivel sekondar dhe posaçërisht terciar janë të punësuar një numër i farmacistëve dhe në vitet e fundit edhe i specialistëve të disa fushave të farmacisë (farmacist klinikë, biokimistë klinikë, toksikologë), mirëpo ende nuk është gjetur një mënyrë adekuate e sistemimit të tyre në kuadër të fushës së specializimit të ngushtë dhe ushtrimit të kësaj kompetence profesionale. Meqenëse jeni në hartimin e Statutit të SHSKUK, ju lutemi ta keni parasysh sistemimin e specialistëve të farmacisë nëpër Klinikat e reparteve te ndryshme në kuadër të një klinike të formuar si ‘Departament specialistik farmaceutik’ ngjashëm si klinika e anesteziologjisë në të cilën janë të sistemuar anesteziologët të cilët më tej japin shërbimet e tyre në klinikat e ndryshme”, thuhet në kërkesën e Odës.

MSH-ja hedh topin te SHSKUK-ja e SHSKUK-ja hesht

E njëri nga ta i punësuar në një nga klinikat e QKUK-së, në kushte anonimiteti për KOHËN, ka thënë se ata janë specialistë të farmacisë klinike, por që nuk kanë mundësinë ta ushtrojnë profesionin në mënyrë të plotë.

“Ne nuk kemi shumë mundësi me u marrë me atë që jemi të edukuar si specialistë të farmacisë klinike, sepse jo çdo herë na jepet mundësia me dalë në repart. Këto që i ofrojmë nga pozita ku jemi, janë të kufizuara. Po të ishim me orar të plotë në klinikë, sigurisht do të ishim më efikas në punën që e ofrojmë dhe kjo do të përcillej me benefite në shëndetin e pacientëve. Kur resurset humane ekzistojnë, por vendimi administrativ vonohet, është fatkeqësi. Kosova i ka specialistët klinikë, por institucioni nuk ua ofron kushtet”, ka thënë ai.

Sipas tij, as pagat nuk i marrin për llojin e profesionistëve që janë.

“E kryejmë punën e farmacistit klinik në raste të caktuara, mirëpo e keqja është që nuk paguhemi si të tillë. Për shkak të një vendimi administrativ jo fort të menduar mirë, na është zvogëluar paga. Besoj që gjatë këtyre ditëve drejtori do ta zgjidhë këtë çështje, të paktën kështu na ka premtuar, duke rikthyer koeficientin që e kemi pasur”, ka thënë ai.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik e kategorizon specialistin e farmacisë klinike me koeficient 12, një nga koeficientët më të lartë në sektorin shëndetësor, pas pozitave menaxheriale dhe drejtuese.
E specialisti i farmacisë klinike, Astrit Haxhijaha, ka treguar për rëndësinë e një farmacisti klinik në klinikat e QKUK-së.

“Prania e farmacistit klinik, me detyrat dhe përshkrimet siç i kanë të rregulluara shtetet e Bashkimit Evropian, do të ndikonte shumë në përmirësimin e cilësisë së trajtimit të pacientit. Kjo duke filluar nga rishikimi i terapisë, ku vlerësohet përshtatshmëria dhe efikasiteti i saj, pastaj ndërveprimet apo interaksionet e barnave, ku minimizohen dukshëm efektet anësore te pacienti, dozimi dhe përdorimi racional i barnave, si dhe përpilimi i protokolleve klinike”, është shprehur Haxhiu.

E nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK), ombrellë institucionale për QKUK-në dhe spitalet rajonale, nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me kërkesën për farmacistët klinikë në QKUK. 

E nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se kjo është pikërisht kompetencë e SHSKUK-së për të sqaruar situatën.

“Ju njoftojmë se menaxhimi i stafit, përfshirë edhe rekrutimin e stafit për nivelin dytësor dhe tretësor, bëhet nga SHSKUK-ja, si organizatë e veçantë buxhetore. Andaj, për informata dhe përgjigje lidhur me këtë çështje, ju lutemi t’i drejtoheni SHSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Spitalet rajonale kanë nevojë për specialistë të farmacisë klinike

KOHA ka kërkuar të dhëna edhe për numrin e specialistëve të farmacisë klinike në klinika, njësitë ku janë të angazhuar dhe shpërndarjen e tyre sipas ngarkesës së pacientëve, por nuk ka marrë përgjigje.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në spitalet rajonale lidhur me numrin e specialistëve të farmacisë klinike.

Në spitalin e Gjilanit kanë shprehur nevojën që të kenë të punësuar një farmacist.

“Në SP Gjilan, aktualisht nuk kemi te angazhuar farmacist klinik. Spitalet kanë nevojë së paku për një farmacist klinik”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Gjilanit.

Nevojë të njëjtë kanë shprehur edhe nga Spitali i Prizrenit.

“Aktualisht në Spitalin e Përgjithshëm ‘Prim. Dr. Daut Mustafa’ në Prizren nuk kemi të punësuar specialistë të farmacisë klinike. Vlerësojmë se farmacisti klinik do të luante një rol të rëndësishëm në trajtimin dhe monitorimin e pacientëve, duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor. Konsiderojmë se është e nevojshme që spitali të ketë specialistë të farmacisë klinike në kuadër të stafit profesional”, thuhet në përgjigje.

Në Spitalin e Pejës janë të angazhuar tre farmacistë, por asnjë specialist i farmacisë klinike.

“Farmacistët tanë janë të përkushtuar dhe kontribuojnë në kuadër të kompetencave të tyre profesionale në trajtimin dhe monitorimin e pacientëve, duke bashkëpunuar me stafin shëndetësor sipas nevojave të spitalit. Në rastet kur paraqiten problematika më specifike apo shqetësime më të mëdha lidhur me terapinë medikamentoze, kërkohet mbështetje profesionale nga SHSKUK-ja. Vlerësojmë se roli i farmacistit klinik është i rëndësishëm në trajtimin dhe monitorimin e pacientëve, veçanërisht në aspektin e përdorimit racional të barnave, monitorimit të efekteve anësore dhe bashkëpunimit multidisiplinar”, thuhet përgjigjen e Spitalit të Pejës.

As në spitalin e Mitrovicës nuk ka farmacist klinik të angazhuar.

“Në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë nuk ka specialist të Farmacise Klinike”, thuhet në përgjigje.
Ministri i Shëndetësisë ditë më parë ka njoftuar për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për shkollim specialistik, si dhe për hapjen e një konkursi të ri.