Suspendimi i katër punonjësve të SHSKUK-së për parregullsi në menaxhimin e barnave ka nxitur kundërshtime nga farmacistët e suspenduar dhe nga Oda e Farmacistëve. Ata pretendojnë se përgjegjësia për mungesat nuk mund t'u atribuohet vetëm farmacistëve, pasi në procesin e furnizimit përfshihen edhe struktura të tjera të institucioneve shëndetësore
Vendimi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHKSUK) për suspendimin e katër punonjësve, pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit medicinal, po kundërshtohet nga farmacistët e suspenduar dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës.
Vendimi është marrë të dielën, ku pas mbledhjes së 30 shtatorit, Bordi Drejtues i SHSKUK-së kishte kërkuar ndërmarrjen e masave, bazuar në gjetjet e raportit të auditimit të brendshëm, në të cilin ishin evidentuar mangësi në furnizimin me barna dhe në proceset e planifikimit e menaxhimit të tyre.
Njëri nga farmacistët e suspenduar e ka kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se nuk mund të mbahet përgjegjës për mungesat e barnave për një periudhë kur ai nuk ishte pjesë e Barnatores Qendrore.
“Ne këtu kemi shkuar si kokë turku, le t'i shikojnë dëshmitë, është çështje kohe. Nuk mund të akuzohet dikush kur unë që 1 vit e 4 muaj jam në një klinikë me obligime, nuk mund të akuzohet dikush se çka ka bërë para 1 viti e 4 muajve për sot, për mungesat që janë”, ka thënë ai në kushte anonimiteti.
Edhe një farmacist tjetër, ka vlerësuar se masa e shqiptuar ndaj tyre nuk është e drejtë.
“Kjo masë është e përkohshme, domethënë pezullim i përkohshëm; nuk është marrë ende masë disiplinore definitive në lidhje me rastin dhe është duke u shqyrtuar, ende jemi në atë fazë... Ne pretendimet e ShSKUK-së nuk i pranojmë, i kemi shprehur ato provat tona dhe shpresoj që kemi me dalë të pastër ashtu siç kemi qenë”, ka thënë farmacisti tjetër në kushte anonimiteti.
Ndërkaq, njëra nga farmacistet e suspenduara ka thënë se kundër këtij vendimi kanë ndërmarrë veprime edhe individualisht, edhe përmes Odës së Farmacistëve.
“Është i papranueshëm ai vendim, ne kemi ndërmarrë diçka, edhe Oda e Farmacistëve ka ndërmarrë“, ka thënë ajo.
E të martën, edhe Oda e Farmacistëve të Kosovës u është drejtuar me shkresa zyrtare Bordit Drejtues të SHSKUK-së, drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni dhe drejtorit të QKUK-së, duke kundërshtuar vendimin për suspendimin e katër punonjësve.
Oda ka shprehur shqetësimin se po krijohet perceptimi publik se farmacistët janë përgjegjësit e vetëm për mungesat e barnave dhe mangësitë në sistemin e furnizimit.
“Nga sqarimet e paraqitura rezulton se ka raste kur planifikimi i sasive të barnave, përcaktimi i numrit të pacientëve dhe përzgjedhja e terapive janë realizuar nga njësitë përkatëse klinike, ndërsa shërbimi farmaceutik ka vepruar mbi bazën e planifikimeve dhe kërkesave të pranuara. Kjo është ngritur veçanërisht në lidhje me produktet Palbociclib dhe Ribociclib, për të cilat janë paraqitur sqarime se numri i pacientëve, përzgjedhja e terapive dhe sasitë e nevojshme janë përcaktuar nga strukturat profesionale të Klinikës së Onkologjisë. Përgjegjësitë për planifikimin klinik duhet të dallohen nga përgjegjësitë për administrimin, monitorimin dhe shpërndarjen e barnave”, thuhet në reagimin e Odës.
Sipas odës, farmacistët kanë kryer punën për të cilën ishin të ngarkuar.
“Farmacistët kanë deklaruar se kanë ndërmarrë veprime për monitorimin e stokut, njoftimin e njësive klinike dhe kërkimin e sqarimeve për nevojat shtesë të furnizimit. Këto rrethana duhet të verifikohen përmes evidencave të konsumit, kërkesave për furnizim dhe komunikimeve institucionale. Nëse mangësitë e konstatuara burojnë nga procese të ndërlidhura institucionale, atëherë edhe shqyrtimi i përgjegjësive duhet të përfshijë të gjithë aktorët që kanë pasur kompetenca dhe ndikim konkret në këto procese”, thuhet në reagim.
KOHA i ka dërguar pyetje për këtë çështje SHSKUK-së, por nuk ka marrë përgjigje.