Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Deputetëve serbë u kërkohet të mos pengojnë ndryshimet në ligjin për arsim

Komision

Prej 15 vjetësh nuk janë bërë ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë, i cili është në fuqi që nga viti 2011. Përpjekjet për ta ndryshuar atë, kanë dështuar shkaku i vetos së ligjvënësve serbë. Në Komisionin për Arsim është kërkuar që ata të mos e pengojnë miratimin e ligjit të ri, që pritet të procedohet vitin e ardhshëm

Në Komisionin parlamentar për Arsim u është bërë thirrje ligjvënësve të komunitetit serb që të mos e pengojnë miratimin e Ligjit për arsimin e lartë.

Ndryshimet në Ligjin që është në fuqi nga 2011-a, e që bën pjesë në kategorinë e dokumenteve që kërkon shumicën e dyfishtë, prej vitesh janë proceduar për miratim në Kuvend, por nuk kanë kaluar shkaku i “vetos” serbe.

Kryesuesi i Komisionit, Enver Hoxhaj, i cili ka qenë ministër i Arsimit, shtroi nevojën për reflektim dhe tha se pret që vitin e ardhshëm Qeveria ta procedojë ligjin e ndryshuar në Kuvend.

“Po kërkoj nga të gjitha subjektet politike, po kërkoj edhe nga përfaqësuesit e komunitetit serb që mos ta bllokojnë miratimin e ligjit për arsimin e lartë meqë një ligj i tillë është miratuar në vitin 2011, e në vitin 2026|27 kemi nevojë për një ligj të ri”, ka thënë ai.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, që po kështu ka qenë ministre e Arsimit, kërkoi edhe ndryshimin e ligjit për arsimin parauniversitar, që është në fuqi që nga 2006-a.

“Ne si komision i arsimit na duhet me i bo kërkesë qeverisë që sa më shpejt me bo ndryshimin e këtyre ligjeve. Në Kosovë janë mbi 340 klasa të cilat kanë më pak se 5 nxënës dhe sot e kësaj dite ne ende nuk kemi një plan konkret për riorganizimin e rrjetit të shkollave”, theksoi ajo.

Kjo nxiti polemikë, në të cilën u përfshi edhe ish-ministrja Arbërie Nagavci e deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu.

Debati u ndërpre pasi në sallë hynë përfaqësuesit e kolegjeve private, të cilët u ftuan për të diskutuar sfidat dhe ndryshimet e nevojshme në arsimin e lartë privat.

Ata ngritën shqetësime për procesin e licencimit, mbështetjen financiare për studentët dhe zgjerimin e programeve akademike.

“Agjencia e Akreditimit bën vlerësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve institucionale e në anën tjetër, një komision në ministri prapë bën vlerësimin e kushteve të njëjta, dhe shpeshherë këto vlerësime mund të jenë kundërthënëse tek ekspertët ndërkombëtarë që ndërmarrin këtë vlerësim dhe personat përgjegjës që janë të thirrur në Republikën e Kosovës”, ka thënë Artan Tahiri, përfaqësues i UBT-së.

Kërkesa shtroi edhe Blerim Olluri, rektor i Kolegjit AAB.

“Institucionet publike dhe jo-publike duhet të konsiderohen të barabarta në qasje. Dhe kjo patjetër duhet të adresohet në plotësim-ndryshimin e Ligjit mbi Arsimin e Lartë, i cili tanimë është i vjetërsuar”, tha ai.

Kryesuesi i Komisionit, Enver Hoxhaj, tha se kjo trupë e Kuvendit është e hapur për propozimet e përfaqësuesve të kolegjeve private, në mënyrë që ligji i ri të përfshijë edhe nevojat e institucioneve jopublike të arsimit të lartë.