Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bushati: Anëtarësimi në BE e protestat në Shqipëri s’pengojnë njëri-tjetrin

Ditmir Bushati

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka zënë vend në diskutimet që janë zhvilluar në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë së Beogradit, që është duke u zhvilluar në Serbi. Në njërin prej paneleve të mbajtura, pjesëmarrës ka qenë edhe ish-ministri i Shqipërisë, Ditmir Bushati

Ish-ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kundërshtuar qëndrimin e qeverisë së vendit të tij dhe të kryeministrit Edi Rama lidhur me ndikimin që protestat do të kenë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Bushati gjatë diskutimit të martën, për procesin e zgjerimit, në kuadër të Konferencës të Sigurisë që po mbahet në Beograd, ka thënë se procesi i anëtarësimit dhe protestat nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

“Protestuesit po kërkojnë ndryshime pikërisht në ato fusha ku procesi i anëtarësimit në BE, pavarësisht hapjes dhe mbylljes së kapitujve kyç, ka dështuar të sjellë rezultate konkrete. Bëhet fjalë për personalizimin e tepruar të pushtetit, normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike, si dhe polarizimin gjithnjë e më të madh shoqëror”, ka thënë Bushati.

Bushati ka thënë se Bashkimi Evropian nëse nuk ia del në Ballkanin Perëndimor, atëherë nuk mund t`ia dalë as në pjesët e tjera të kontinentit, ku duhet të përballet me Rusinë, Kinën apo edhe me SHBA-në.

Ndërkaq, Bojana Selakoviq, koordinatore e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, ka thënë se pas ndryshimit të qeverisjes në Serbi, ekziston entuziazëm e optimizëm nga të dyja palët.

“E di se ka pasur shumë diskutime për qasjen strategjike të qeverisë së ardhshme në Serbi dhe për pritshmëritë që ekzistojnë. Për ta përmbledhur, nuk mund të presim ndryshime dramatike brenda natës, sepse ky proces ka qenë shumë i vështirë. Duhet të kemi parasysh edhe faktin se jemi dëshmitarë të kapjes së shtetit dhe të institucioneve, një shkelje kjo dramatike e vlerave themelore dhe parimeve bazë nga këndvështrimi i BE-së”, ka thënë Selakoviq.

Sipas hulumtueses së lartë në fushën e sigurisë evropiane, Oana Popescu-Zamfir, ndonëse nga BE-ja ka një vullnet për të dëshmuar se procesi i zgjerimit është gjallë, vendet që synojnë integrimin gjatë rrugës do të përballen me pengesa.

“Prandaj, pritshmëria ime është që procesi të vazhdojë të ecë ashtu siç e kemi njohur deri tani. Megjithatë, në një moment, ngjarje të tilla gjeopolitike destabilizuese do të ndërhyjnë në realitetin tonë dhe do të na detyrojnë të gjejmë forma më kreative për t’i përfshirë vendet në Bashkimin Evropian përpara se ato të bëhen anëtare me të drejta të plota”, ka thënë ajo.

Diskutimi me temën “Vendet prijëse dhe vijat e përçarjes: Testimi i besueshmërisë së BE-së në procesin e zgjerimit" ka qenë njëri nga ato që janë zhvilluar të martën, në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Beogradit.

Konferenca, që ka nisur një ditë më parë, do të përmbyllet të mërkurën.