Mungesa e anesteziologëve në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar vazhdon të mbetet problem, ndonëse pesë specialistë tashmë janë të gatshëm për tregun e punës. Pavarësisht nevojës, SHSKUK-ja ende nuk ka hapur konkurs për punësimin e tyre
Pesë anesteziologë janë të gatshëm për tregun e punës që nga fundi i vitit 2025, por Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK), i cili përballet me mungesë të këtij profili, ende nuk ka hapur konkurs për punësimin e tyre.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Anesteziologëve, një specializant e ka përfunduar shkollimin specialistik në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa katër të tjerë në dhjetor.
Ndërkohë edhe tre kandidatë të tjerë janë aktualisht në proces.
“Numri total i anesteziologëve është 115. Deri më tani janë 5 në total (që kanë përfunduar provimin specialistik). Kontratë nuk kanë lidhur ende, sepse duhet të kalojnë procedurat e licencimit, pastaj procedurat e konkursit. Sivjet pritet që shkollimin ta përfundojnë diku 20 përgjatë vitit 2026”, ka thënë Agreta Gashi, kryetare e Shoqatës së Anesteziologëve.
Zakonisht, nga shpallja deri në përmbyllje, një konkurs për punësim në SHSKUK zgjat së paku dy muaj.
Edhe
QKUK-ja kërkon staf shtesë, SHSKUK-ja nuk i premton
Megjithëkëtë, në SHSKUK e kanë arsyetuar moshapjen e konkursit me vlerësimin se numri i anesteziologëve që ka përfunduar shkollimin specialistik është i vogël.
“Numri i specializantëve (mjekë anesteziologë) që kanë përfunduar shkollimin specialistik është i vogël, duke marrë parasysh nevojat aktuale të Klinikës së Anesteziologjisë me Mjekim Intensiv. Duke pasur parasysh gjithashtu se procedurat administrative për hapjen e një konkursi për punësim zgjasin deri në tre (3) muaj, QKUK/ShSKUK do të hapë konkurs për punësim për specializantët që pritet të përfundojnë provimin specialistik”, thuhet në përgjigjen e përbashkët që ka dhënë ShSKUK-ja dhe QKUK-ja.
Në shtator të vitit të kaluar, KOHA raportoi se në 16 klinika të QKUK-së mbi 12 mijë pacientë kanë qenë në lista pritjeje për ndërhyrje kirurgjike.
Menaxhmenti i QKUK-së ka përmendur vazhdimisht mungesën e anesteziologëve si një nga arsyet për këtë situatë.
Megjithëkëtë, QKUK-ja nuk pati kërkuar specializime për anesteziologë në konkursin e fundit për shkollim specialistik. KOHA raportoi se në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2024 ishin paraparë gjithsej pesë specializime, të gjitha për spitalet rajonale.
Edhe
Në Klinikën e Onkologjisë kërkohet shtimi i stafit, SHSKUK-ja nuk hap konkurs
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri në vitin 2030 pritet të përfundojnë shkollimin gjithsej 51anesteziologë. Nga ta, në 2026-n 15 anesteziologë, në 2028-n 24 anesteziologë, në 2029-n 8 anesteziologë dhe në 2030-n 4 anesteziologë.
Në Klinikën e Anestezionit në QKUK, vitin e kaluar, theksuan se në pesë vjetët e fundit i janë larguar 22 anesteziologë, shumica prej tyre për në sektorin privat.