Arbëri

Mijëra ndërhyrje kirurgjikale shtyhen në mungesë të anesteziologëve, QKUK-ja s’kërkoi asnjë specializim të ri

Mijëra operacione në QKUK janë zvarritur prej vitit në vit. Për pacientët që presin prej pesë vjetësh për ndërhyrje kirurgjikale, menaxhmenti arsyetohet me mungesën e anesteziologëve, por në konkursin e fundit për shkollim specialistik QKUK-ja nuk kërkoi asnjë profesionist të kësaj fushe

Në mungesë të anesteziologëve, mijëra pacientëve viteve të fundit u janë shtyrë operacionet në klinikat e QKUK-së.

Por, ky institucion nuk i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që në konkursin e fundit për shkollim specialistik, të parasheh edhe specializime për anesteziologë. Për pasojë, në konkursin e dhjetorit janë paraparë gjithsej 5 specializime, dhe që të gjitha për katër spitalet rajonale.

Në Klinikën e Anestezionit që në pesë vjetët e fundit i janë larguar 22 anesteziologë, treguan se aktualisht janë gjithsej 44 dhe nevojat janë edhe për së paku 50 të tjerë.

“Për QKUK-në, sipas llogaritjeve tona të Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv duhet t’i kemi rreth 100 anesteziologë në tërësi për mbulimin e të gjitha sallave dhe njësive ku kërkohet asistenca e anesteziologut”, ka thënë Gazmend Spahija, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

Pavarësisht se QKUK-ja ka më pak se gjysmën e anesteziologëve që i duhen, drejtori Spahija arsyetoi mungesën e kërkesave për specializime të reja, meqë tha se në vitin e fundit janë 24 nga 32 specializantë të anesteziologjisë.

“Numri total i specializantëve edhe të regjioneve ka arritur në 66, çka i tejkalon edhe kapacitetet tona të trajnimit të tyre. Nga numri total i 66 specializantëve të anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv, për Klinikën e Anestezionit në QKUK janë 32 specializant. Për këtë dhe për shkak se nëse bëhet pranimi i numrit të madh të specializantëve në një gjeneratë mund të shkaktohet një rënie e madhe e numrit të anesteziologëve në të ardhmen për shkak të pensionimit”, ka thënë ai.

E mungesa e anesteziologëve nuk do të zbutet as përmes këtij numri të specializantëve pasi sipas drejtorit Spahija, në pesë vjetët e ardhshme do të pensionohen edhe katër anesteziologë.

Në Bordin për Shkollim Specialistik thanë se në pesë vitet e fundit anesteziologjia është trajtuar si lëmi deficitare dhe prioritare.

“Pikërisht për këtë numri i shpallur i specializimeve në nivel vendi në lëmine e Anesteziologjisë për disa konkurse radhazi ka qenë mjaft i madh, konkretisht 33 specializime të ndara në konkurset e viteve 2020-2021 (16 nga këta për QKUK) dhe 38 në konkurset e viteve 2023-2024 (7 nga këta për QKUK). Nga kjo kuptohet se brenda viteve 2025-2026 Kosovës do t’i shtohen 33 specialist anesteziolog, ndërsa brenda periudhës 2025-2029, 71 specialist të tillë, prej tyre 23 vetëm QKUK-së”, ka thënë Edmond Haliti, kryesues i Bordit për Shkollim Specialistik.

Haliti e cilësoi sfidë edhe braktisjen e institucionit publik nga këta profesionistë, dhe punësimin e tyre në sektorin privat.

E në mungesë të tyre, nuk pritet të shkurtohet as lista e pritjeve për operime në QKUK. Në Klinikën e Ortopedisë, afro 2 mijë pacientë janë në listë pritjeje për intervenime kirurgjikale. Drejtues të klinikës kanë thënë se lista nuk mund të reduktohet, për aq kohë sa ka mungesë anesteziologësh. Pritje të gjata për arsyen e njëjtë ka edhe në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të ORL-së, atë të Kardiologjisë e në spitale të përgjithshme.

Në QKUK nuk treguan për numrin aktual të operacioneve nga lista e pritjes realizimi i të cilëve pengohen nga numri i limituar i anesteziologëve. E në 2022-tën, ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, përmendi se janë më shumë se 10 mijë pacientë në pritje, shkaku i mungesës së këtij profili të profesionistëve të shëndetësisë.