Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHSKUK-ja arsyeton listat e pritjes me mungesë të anesteziologëve, disa klinika e mohojnë

SHSKUk

Ndonëse SHSKUK-ja mungesën e anesteziologëve e cilëson si një nga arsyet kryesore për listat e gjata të pritjes me mbi 14 mijë pacientë, drejtues të disa klinikave mohojnë se operacionet janë shtyrë apo pamundësuar për këtë shkak. Asnjëra nga 15 klinikat ku kryhen ndërhyrje kirurgjikale nuk ka dhënë numër të operacioneve që janë shtyrë në mungesë të anesteziologëve

Mungesa e anesteziologëve dhe racionalizimi i punës ishin dy nga shkaqet kryesore që Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) i paraqiti për grumbullimin e mbi 14 mijë pacientëve në lista të pritjeve, në mbledhjen e Bordit Drejtues në janar të këtij viti. 

Por disa nga drejtorët e 15 klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku kryhen intervenime kirurgjikale nuk kanë dhënë numër të operacioneve që kanë dështuar apo janë shtyrë për shkak të mungesës së anesteziologëve. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Disa nga ta, kanë mohuar të ketë qenë kjo arsye.

Nga Klinika e Oftalmologjisë, e cila bazuar në të dhënat e paraqitura në janar numëronte 1.099 pacientë në listë të pritjes, kryesisht për katarakte, kanë mohuar se ndonjë operacion nuk ka mundur të realizohet për shkak të mungesës së anestezionit.

“Asnjë operacion nuk ka dështuar gjatë vitit 2025 për shkak të mungesës së anesteziologëve. Asnjë operacion nuk ka dështuar gjatë katër muajve të parë të këtij viti për shkak të mungesës së anesteziologëve. Gjithashtu, asnjë operacion nuk ka dështuar në vitet paraprake për shkak të mungesës së anesteziologëve”, ka thënë drejtori i kësaj klinike Ardian Shabani.

Në Klinikën e Kardiokirurgjisë, në janar figuronin 110 pacientë në pritje, koha e të cilëve sillej mes 4 e 5 muaj. 

Edhe pse këtë çështje nuk e ka paraqitur si shumë problematike, drejtori i klinikës Shpejtim Shurdhiqi, ka pranuar se punësimi i një anesteziologu ua ka lehtësuar punën. 

“Sa u përket anesteziologëve, gjatë vitit 2025 nuk kemi pasur shumë shtyrje të operacioneve, përveç në tremujorin e parë, që ka ndikuar lehtësisht në rritjen e listës së pritjes. Megjithatë, me punësimin e një anesteziologe, në muajt vijues kemi pasur lehtësim në këtë drejtim, gjë që ka mundësuar realizimin e një numri rekord operimesh në Kardiokirurgji (416 raste gjatë vitit 2025), ka thënë Shurdhiqi.

Në Kirurgjinë Torakale, në janar figuronin 269 pacientë. 

Bazuar në listën që posedon KOHA, shumica prej tyre janë për ndërhyrje kirurgjikale në gji, raste që presin për këtë shërbim mbi 5 muaj. 

Se realizimi i tyre është pamundësuar për mungesë të anesteziologëve, e kanë mohuar nga klinika.

“Kirurgjia Torakale disponon me një sallë të operacionit, lidhur me pyetjen tuaj për anestezion, mungesat e tyre, ato kanë qenë të rralla si konferenca apo seminare vjetore të planifikuara, të organizuara nga anesteziologët, përndryshe intervenimet kirurgjike të planifikuara nga Kirurgjia Torakale janë realizuar në vazhdimësi”, ka thënë drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci. 

Në Kirurgjinë e Fëmijëve janë mbi 340 pacientë në pritje. Sipas drejtuesve të saj, po të kishte më shumë anesteziologë do të kryheshin më shumë operacione. 

“Asnjë operacion i planifikuar nuk ka dështuar për mungesë të anesteziologëve. Asnjëherë nuk ka ndodhur të planifikohet operacioni dhe të dështojë për mungesë të anesteziologut. Natyrisht, po të kishim anesteziologë më tepër do të realizoheshin më shumë operacione dhe lista e pritjes do të ishte më e shkurtë por nuk është se kanë dështuar operacionet e planifikuara apo ato urgjente për mungesë të anesteziologut. Gjatë muajve të verës, për shkak të pushimeve vjetore dhe numrit të kufizuar të anesteziologëve kemi pasur zgjatje të listës së pritjes deri në 5 muaj, ndërsa aktualisht pritjet për operacione elektive janë rreth 4 muaj”, ka deklaruar Sejdi Statovci, drejtor i kësaj klinike.
Klinika e Ortopedisë prin për nga numri i pacientëve në listën e pritjes, me rreth 2.500 që nga viti 2020 për proteza të gjurit dhe kërdhokullës.

Drejtues të saj kanë thënë se lista nuk mund të reduktohet shkaku i mungesës së anesteziologëve.
Pritje të gjata për të njëjtën arsye ka edhe në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, me afër 1 mijë e 600 pacientë për vena varikoze.

Asnjëra prej klinikave nuk ka dhënë numrin e operacioneve të parealizuara nga lista e pritjes për shkak të mungesës së anesteziologëve. 

Më 16 mars, SHSKUK-ja, që është organizatë ombrellë e QKUK-së dhe spitaleve rajonale, ka hapur konkurs për punësimin e 18 anesteziologëve.