Arbëri

Mbi 12 mijë pacientë në listë pritjeje për trajtim në 16 klinika të QKUK-së

Klinikat e QKUK-së vazhdojnë të përballen me lista të gjata të pritjes. Në 16 prej tyre, bazuar në dokumente që i posedon KOHA, në pritje janë mbi 12 mijë pacientë. SHSKUK-ja nuk ka ofruar të dhëna për dy klinika dhe për shtatë spitale. E në Shoqatën e Pacientëve thonë se mungesa e transparencës lë hapësirë për keqpërdorime

Mbi 12 mijë pacientë janë në pritje për të marrë trajtim nëpër klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në 16 prej tyre, bazuar në të dhënat që i siguroi KOHA gjatë muajve gusht e shtator, nëpërmjet qasjes në dokumente publike, totali i pacientëve të përfshirë në lista pritjesh është 12 mijë e 19.

Numrin më të madh e ka Klinika e Kardiologjisë, në të cilën gjithsej 2 mijë e 699 pacientë presin për t’iu nënshtruar koronarografisë.

Pas saj renditet Klinika e Ortopedisë, me 2 mijë e 243 pacientë, afër 2 mijë prej të cilëve presin për vendosje të protezave të gjurit që nga viti 2019.

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, 1 mijë e 635 pacientë presin për trajtim të venave varikoze.

Ndërkaq, në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL), shumica e 1 mijë e 25 pacientëve presin për ndërhyrje në gjëndër tiroide e bajame. Në këtë klinikë ka raste që presin që nga viti 2023.

Të dhënat bazohen në raportime të klinikave deri në fund të qershorit dhe janë bërë publike vetëm në gusht e shtator, pas një vendimi detyrues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Ato u ofruan nga SHSKUK-ja në formë drafti, me katër muaj vonesë, dhe nuk e përfaqësojnë gjendjen e përditësuar, pasi në këtë institucion konfirmuan se nuk i menaxhojnë listat në kohë reale, në komunikimin mes zyrtarit për menaxhim të listave dhe zyrës së ShSKUK-së.

“Të dhënat e disa klinikave dhe njësive të tjera, që ende nuk kanë raportuar, do të përditësohen dhe do të publikohen në një fazë të mëvonshme”, thuhet në këtë komunikim.

Ndonëse kërkesa e KOHËS për qasje në të gjitha listat u bë më 15 maj, në këtë institucion kërkuan kohë shtesë për publikimin e tyre.

Por, as pas 10 ditësh pritje, SHSKUK-ja nuk i ofroi të dhënat për listat e pritjes në Klinikën e Radiologjisë, atë të Mjekësisë Nukleare, si dhe për shtatë spitale të përgjithshme. Edhe këto dy klinika posedojnë listë të pritjes për shërbime të ndryshme si rezonancë magnetike, CT e PET SCAN.

E në Shoqatën e Pacientëve shprehin vërejtjen se mungesa e menaxhimit efikas të listave të pritjes nga SHSKUK-ja krijon hapësirë për keqpërdorime.

“Mungesa e transparencës në listat e pritjes së pacientëve është një burim goxha i lartë i korrupsionit. Unë mendoj se aty përfitohet shumë duke krijuar, duke mos dhënë informata se kush janë pacientët që presin në listë, cila është radha që është krijuar aty, për sa kohë pacientët duhet ta kryejnë shërbimin e caktuar dhe kjo po i dekurajon njerëzit për me i marrë shërbimet shëndetësore aty dhe të njëjtit doktorë i operojnë ata në institucione private”, ka thënë Besim Kodra nga Shoqata e  Pacientëve.

Ai thotë se përbrenda SHSKUK-së ka edhe manipulim me lista.

“A kemi ne përditësim të listave? Jo, sepse nuk ka as SHSKUK-ja. Secila klinikë e ka nën menaxhim listën e vet, thuajse secili mjek e ka nën menaxhim listën e vet. Kjo nuk krijon transparencë. Çka ka ndodhur këtu është se shumë herë janë krijuar lista fiktive nga ana e profesionistëve shëndetësorë, me theks të veçantë të disa drejtorëve të klinikave për të rritur numrin e pacientëve të cilët janë në listë dhe për t’i dekurajuar njerëzit”, ka theksuar Kodra.

Muajin e shkuar, KOHA raportoi se u zgjedh drejtor i Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL), mjeku për të cilin nuk ka marrë epilog ankesa e një qytetari që e akuzon se i ka kërkuar 600 euro për të përshpejtuar operacionin për fëmijën e tij.

Deklarata në dorëshkrim, të cilën e ka siguruar KOHA, është dorëzuar në dhjetor të 2024-tës, ndërsa tek muajin kur është realizuar procesi i zgjedhjes së drejtorit është aktivizuar Prokuroria në Prishtinë.

Prindi i fëmijës pretendon se drejtori i tanishëm i kërkoi para në ordinancën e tij private, në emër të kolegëve të tij që duhej të ishin pjesë e ekipit për ta kryer operimin në klinikën e QKUK-së.

“Sipas asaj që ndodhi atje, ai na kërkoi mjete monetare në emër të kolegëve (anesteziologëve dhe motrave të repartit) për përshpejtimin e terminit. Sipas tij, nuk thërrasin pa dhënë para. Kam dëshmi, përfshirë edhe SMS-të ku më ka bërë presion, si ‘A ke vendos për djalë?’, duke aluduar në shumën prej 600 eurosh. Pas këtyre bisedave i kam shkruar që kam vendosur të pres terminin e rregullt dhe nga ajo ditë nuk kam pasur më komunikim me të”, është shkruar në deklaratë.

Në deklaratë ky qytetar ka kërkuar nga drejtuesit e klinikës të ndërmarrin masa.

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj, konfirmoi pranimin e deklaratës dhe tha se pas interesimit të palës ankuese e ka përcjellë në Drejtorinë qendrore.

Por, në SHSKUK mohuan pranimin e ankesës.

Edhe drejtori aktual i klinikës, Arsim Elezaj i ka mohuar akuzat, të cilat i ka cilësuar shpifje dhe ka kërkuar të mos i përmendej emri.

Krahas klinikave në të cilat presin mijëra pacientë për shërbime, në disa të tjera numri është më i vogël.

Për operim të kataraktës së syrit, në Klinikën e Syve presin 921 pacientë, në kohëzgjatje mesatare nga 5 deri në 6 muaj. Në atë të Torakales janë 541 pacientë, prej të cilëve afër 200 për biopsi të gjirit të cilat raste presin për këtë shërbim deri në 8 muaj. Në Kirurgji Abdominale presin 352 pacientë, në Urologji 308, në Gastrologji 308 e Kardiokirurgji 125. Pritje deri në dy muaj e gjysmë ka për disa shërbime edhe në Kirurgjinë e Fëmijëve.

Në raportin e SHSKUK-së që i është ofruar KOHËS theksohet se rastet në pritje janë elektive dhe se rastet urgjente trajtohen në kohë reale dhe me përparësi.