Prodhimi vendor i energjisë po mbështetet aktualisht në vetëm dy njësi aktive të Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi KEK-u ka nisur remontin e planifikuar në njësinë B2 të “Kosova B”. Investimi në këtë njësi ishte planifikuar të bëhej në mars, por me kërkesë të ZRRE-së për siguri të stabilitetit energjetik ishte shtyrë për në maj. Jashtë funksioni është edhe njësia B1, e cila nuk pritet të kthehet në funksion deri në mes të dhjetorit
Vetëm dy njësi prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës janë aktualisht në funksion, duke siguruar prodhim prej rreth 230 megavatësh në orë.
KEK-u ka bërë të ditur se në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë, të hënën, ka filluar zbatimin e remontit të rregullt vjetor 30-ditor të njësisë B2 të Termocentralit “Kosova B”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky proces është pjesë e planifikimit të rregullt operativ dhe ka për qëllim mirëmbajtjen teknike, rritjen e sigurisë në operim dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë. Ndërkohë, siç është bërë e ditur edhe më herët, njësia B1 e TC Kosova B i është nënshtruar projekteve madhore të modernizimit, përfshirë ndërtimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të cilat kanë filluar në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Në fakt, investimet në njësinë B2 ishin paraparë të bëheshin në fillim të pranverës, por rreziku për mungesë të kapaciteteve prodhuese në atë periudhë, kur ende ka ngarkesë të lartë në rrjet, ka shtyrë autoritetet që investimet t’i shtyjnë për muajin maj.
Bilanci i energjisë për 2026 reflekton këtë ndryshim pas alarmit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndikimin në sigurinë e furnizimit.
KOHA ka raportuar se si KEK-u planifikonte ta nxjerr nga funksioni bllokun B2 për 35 ditë, por që ZRRE-ja këtë e pati quajtur të papranueshme, sidomos në kohën kur ka edhe operim paralel të “Termokosit” për nevoja të ngrohjes qendrore.
“B2 - Njësia do të ndalet më datë 02.05.2026 për një periudhë prej 33 ditësh, pra deri më 03.06.2026 për t’i instaluar rotorët e pompave furnizuese dhe për të intervenuar në pajisje dhe sisteme sipas planifikimit të remonteve për përgatitje të njësisë për punë të gjatë pas ndaljes së njësisë B1”, thuhet në Bilancin vjetor të energjisë 2026.
E sipas zyrtarëve të KEK-ut, me përfundimin e këtyre investimeve, pritet të rritet siguria e operimeve, të zgjatet jetëgjatësia e njësive për rreth 20 vjet dhe të sigurohet funksionim në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
Në mungesë të prodhimit vendor, si rezultat i ndërhyrjeve në blloqe është shënuar rritje e importit të energjisë.
Situatë e njëjtë me importet është paralajmëruar gjatë tërë këtij viti dhe vitit të ardhshëm.
Megjithatë pas një marrëveshjeje mes KEK-ut dhe KESCO-s për riprogramim të përkohshëm të obligimeve dhe shtyrjen e pagesave për vitet pasuese, është shmangur rritja e tarifave të energjisë për vitin 2026.