Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se që nga 19 dhjetori është duke operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi të energjisë elektrike, duke mbajtur tri blloqe të Termocentralit Kosova A në punë paralelisht për plot 31 ditë.
Sipas të dhënave të KEK-ut, operimi me tri njësi të Kosovës A është realizuar në periudha të ndryshme gjatë muajve dhjetor, janar dhe fillimit të shkurtit. Konkretisht, sipas njoftimit të KEK-ut, gjatë muajit dhjetor janë regjistruar 9 ditë operim paralel, ndërsa në janar ky regjim është mbajtur për 20 ditë, përfshirë periudhat 1–7 janar, 15–16 janar dhe 21–31 janar. Edhe në fillim të shkurtit, më 1 dhe 2 shkurt, tri njësitë kanë qenë në punë njëkohësisht, duke e çuar totalin në 31 ditë.
“Ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend”, thuhet në reagimin e Korporatës në Facebook.
KEK-u thekson se standardi operativ që nga paslufta ka qenë funksionimi me katër njësi gjeneruese – dy nga Kosova A dhe dy nga Kosova B – ndërsa një njësi tjetër ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë për siguri të sistemit dhe reagim emergjent.
Megjithatë, për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për garantim të sigurisë energjetike, nga 19 dhjetori KEK-u ka kaluar në një gjendje të jashtëzakonshme, duke arritur të operojë me pesë njësi gjeneruese njëkohësisht për rreth 30 ditë. Ky operim ka përfshirë tri njësi nga Kosova A dhe dy nga Kosova B, duke tejkaluar standardin normal të punës.
Një regjim i tillë, sipas KEK-ut, ka kërkuar angazhim maksimal teknik, mirëmbajtje të përshpejtuar dhe mobilizim të vazhdueshëm të stafit.
Në njoftim bëhet e ditur se njësia A5 pritet të rikthehet në operim brenda disa ditësh, duke iu bashkuar katër njësive aktuale gjeneruese. Kjo do të mundësojë vazhdimin e operimit të jashtëzakonshëm me pesë njësi aktive, në funksion të stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në vend.
KEK-u vlerëson se ky regjim operimi nuk është thjesht statistikë teknike, por rezultat i punës së pandërprerë të rreth 4 mijë punonjësve, të cilët po punojnë në kushte të ngarkesës maksimale për të mbajtur në funksion kapacitete të vjetra, por jetike për vendin.
Gjatë muajve të fundit, Kosova është përballur me reduktime të shpeshta. Së fundmi, KESCO ka kërkuar nga ZRRE-ja të rritet çmimi i rrymës për 21 për qind.