Arbëri

KEK-u thotë se s’ka kolaps prodhimi

Termocentrali - Kosova A - Obiliq

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se operimi i njësive prodhuese vazhdon normalisht, duke siguruar se “nuk ka asnjë kolaps prodhimi”.

KEK-u ka sqaruar si po funksionojnë aktualisht njësitë në termocentrale. Në njoftimin e saj thuhet se, njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi.

Njësia A3, thuhet tutje në njoftim, është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht.

Për njësinë B1, KEK-u ka njoftuar se planifikon ta ndalë nga mëngjesi i së shtunës, për shkak “të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik”.

“Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi”, thuhet në njoftimin e KEK-ut. E rikthimin e kësaj njësie në operim të plotë, KEK-u ka thënë se po përpiqet ta bëjë në afatin e parashikuar prej 48 orësh.

Më herët gjatë ditës, KESCO (Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike) alarmoi duke thënë se është informuar për mungesë të prodhimit vendor dhe ka shtuar se në rastin më ekstrem kjo nënkupton që energjia për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit. Si pasojë, KESCO ka bërë thirrje për kursim urgjent.